Me ju në NATO, pas jush në BE
Intervistë e presidentit, Bamir Topi, dhënë gazetës kroate, “Jutarnji List”
Bamir Topi, President i Shqipërisë, më priti në zyrën e tij të përkohshme në një vilë thjeshtë të qeverisë shqiptare, të fshehur më gjelbërimin e dendur të Grand Parkut, prej ku, nga lartësia, hidhet shikimi mbi Tiranën. Rezidenca e tij në mesin e kryeqytetit shqiptar po riparohet, dhe në vilën në të cilën është vendosur së bashku me bashkëpunëtorët e tij, në shpatin e kodrës, e cila të kujton Pantovçakun, është ngushtë, por komod. Në vilë hyhet pa kalim përmes derës së pajisur me gjurmues Rëntgen, ndërsa punonjësi i Sigurimit mezi hodhi sytë në torbën time prej gazetari.
Pesëdhjetedyvjeçari Bamir Topi, doktor në biologjinë molekulare - president i vendit, i cili duket qartë se po zhvillohet shumë shpejt, pas një kohe të izolimit të tmerrshëm që ia imponoi diktatori Enver Hoxha - përputhet plotësisht me komoditetin që mbretëron në kabinetin e tij. Është i kënaqur që Shqipëria e vogël po përfshihet në aleancën më të fuqishme të botës dhe se së shpejti, ka mundësi që në kohën e presidencës çeke, do të aplikojë për anëtarësim në BE
Shqipëria dhe Kroacia muajin e ardhshëm do të hyjnë në NATO. Sa është e rëndësishme kjo ngjarje për Ballkanin?
Hyrja e Shqipërisë së bashku me Kroacinë në NATO ka rëndësi të jashtëzakonshme për vendin tim. Ky është një sendërtim i dëshirës së popullit shqiptar për integrim në familjen euroatlantike. Shqipëria nuk është më e izoluar. Me hyrjen në NATO ne bëhemi vend i sigurt dhe pjesë e një rajoni të sigurt, në të cilin bëjmë pjesë. Kjo siguri do të kontribuojë në zhvillimin ekonomik, sigurinë shoqërore dhe stabilitetin e institucioneve.
Ishit 28 vjeç, kur vdiq Enver Hoxha. A besonit asokohe se gjatë jetës tuaj Shqipëria do të bëhej anëtare e NATO-s dhe se do të jetonit në kapitalizëm?
Gjithçka që ngjiste gjatë kohës kur ishte gjallë Enver Hoxha është ngulitur thellë në kujtesën time. Shqiptarët ishin të dënuar me vuajtje kolektive. Disa u ballafaquan në mënyrë direkte me këto vuajtje, të tjerë i përjetuan indirekt. Jetonim në një shoqëri plotësisht të kontrolluar, në të cilën nuk kishte liri të shprehjes, liri të lëvizjes, si dhe asnjë lloj lirie ekonomike. Kjo kohë e Hoxhës shkaktoi shumë varfëri. Sot, popullsia e Shqipërisë, relativisht e re, jeton e punon në kapitalizëm. Ajo pjesë e njerëzve që ende janë nostalgjikë për kohën e Enver Hoxhës nuk ka më asnjë ndikim.
Kur do ta paraqesë Shqipëria kërkesën për kandidaturë në BE?
Mendoj se kërkesa jonë për anëtarësim të plotë do të bëhet në një të ardhme të afërt.
Në Shqipëri, në fund të muajit qershor, do të mbahen zgjedhjet parlamentare. A do të jenë të ndershme, duke marrë parasysh vërejtjet se zgjedhjet e mëparshme nuk kanë qenë krejtësisht të ndershme?
Nëse zgjedhjet e qershorit do të jenë të lira, korrekte dhe të ndershme, ato do të jenë vendimtare për të ardhmen evropiane të Shqipërisë. Zgjedhjet e mëparshme në Shqipëri nuk mund të përshkruhen si të ndershme. Kësaj here parlamenti shqiptar ka miratuar në kohën e duhur një ligj zgjedhor, gjë e cila do të thotë se ekziston konsensus që zgjedhjet do të jenë korrekte.
Ju nuk keni firmosur ligjin kontrovers mbi lustracionin, por edhe nuk e keni kundërshtuar...
Ligji është shkruar që para dhjetë vitesh. Edhe atëbotë isha i përfshirë në politikë dhe isha një nga mbështetësit më zjarrtë të hapjes së dosjeve. Mendoja edhe asokohe, edhe tani po kështu mendoj, se njerëzit që duan të bëjnë karrierë politike duhet të jenë të pastër. Lustracioni ka qenë temë e një diskutimi të gjerë në shoqërinë shqiptare. Më në fund ligji u votua në parlament nga shumica në qeveri. Mund të firmosja, ta kundërshtoja ose të heshtja. Kjo e fundit nënkupton se ligji hyn në fuqi me automatizëm. Përherë kam qenë mbështetës i hapjes së dosjeve. Por ka pasur shumë çështje mbi kushtetutshmërinë e këtij ligji. Për shkak të këtyre qëndrimeve kundërshtuese vendosa heshtjen. Partitë e opozitës dhe disa organizata kanë kërkuar mendimin e Gjykatës Kushtetuese, e kjo e fundit i është drejtuar Komisionit të Venecias (Komisioni Evropian për Demokraci Nëpërmjet së Drejtës) për këshillim. Në fund Gjykata Kushtetuese mori vendimin për ngrirjen e zbatimit të këtij ligji, derisa të arrijë sugjerimi nga Venecia.
Sipas organizatave që matin korrupsionin Shqipëria qëndron ende lart. A mendoni se do ta fitoni luftën kundër korrupsionit?
Është bërë një përparim i madh në luftën kundër korrupsionit në Shqipëri. Por ky përbindësh ende ekziston. Njerëzit që ndeshen me korrupsionin më shkruajnë letra, por informacionet mbi të i marr edhe nëpërmjet kanaleve zyrtare. Korrupsioni është si puna e virusit që mbërthen tërë organizmin. Ka hyrë në institucionet publike dhe ato të drejtësisë. Korrupsioni është zgjeruar edhe në sektorin privat. Në luftën kundër korrupsionit na duhet të gjejmë metoda institucionale, por edhe të fitojmë mbështetjen e gjerë publike.
Kroacia këtë vit do të heqë vizat për qytetarët e Shqipërisë. A do të ketë pastaj marrëdhënie më të mira ekonomike mes dy vendeve?
Jam takuar me presidentin Mesiç, me kryeministrin Sanader dhe me zyrtarë të tjerë të lartë të vendit tuaj. Marrëdhëniet politike mes nesh janë më të mirat në histori, gjë e cila do të thotë se duhet të fillojnë të zhvillohen edhe ato ekonomike. Kemi projekte të përbashkëta dhe të tilla do të ketë akoma më shumë, kur të bëhemi anëtarë të së njëjtës familje, NATO-s dhe Bashkimit Evropian.
Në takimin e fundit të kryeministrave, Sanader e Berisha, në Zagreb, u fol për mundësinë që Shqipëria dhe Kroacia të ndërtojnë bashkërisht një central bërthamor...
Çështja e energjisë është një temë shumë e nxehtë. Me rastin e vizitës së fundit të presidentit francez, Sarkozy, në Itali është biseduar për ndërtimin e centraleve bërthamore. Sot ende nuk jam në gjendje të them nëse Shqipëria do të ndërtojë ndonjë central bërthamor me këtë apo me atë shtet, por këtë do ta bisedojmë, në mënyrë që të rritim me kujdes burimet tona energjitike. Tani për tani Shqipëria më së shumti varet nga hidropotencialet, por po këmbëngulim të rritim edhe burimet nga termocentralet. Po, në të ardhmen planifikojmë të ndërtojmë central bërthamor, por për këtë akoma nuk kemi vendime konkrete.
Para pak kohësh keni vizituar Kosovën. Si do ta përshkruanit raportin tuaj ndaj këtij shteti duke patur parasysh faktin shumë të ndjeshëm se edhe atje jetojnë shqiptarë etnikë?
Ka kaluar një vit, qëkur Kosova u bë e pavarur. Udhëheqja kosovare po e drejton vendin e saj me sukses, në kuadrin e vendosur nga bashkësia ndërkombëtare. Ajo që theksohet gjithandej është se Kosova po ndërton një shoqëri multietnike. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka ftuar presidentin serb, Boris Tadiç, që të vizitojë Prishtinën. Mendoj se tani është koha e duhur që të çlirohemi nga ngarkesa e së kaluarës, skenarë që kanë prodhuar vuajtje në mbarë Ballkanin. Kjo është koha për bashkëpunim politik dhe ekonomik të të gjitha vendeve të Ballkanit.
Vendimi shqiptar që të lëshojë një port shqiptar për nevojat e Kosovës, si dhe ndërtimi i autostradës që do të lidhë të dy shtetet ka shkaktuar spekulime se po punohet në njëfarë mënyre për përgatitjen e një bashkimi të mundshëm të të dy vendeve. Çfarë keni për të thënë për këtë?
Do t’ju përgjigjem në mënyrë direkte. Kur gjatë verës së kaluar presidenti maqedonas, Cervenkovski, vizitoi Shqipërinë, shprehu dëshirën që t’i mundësojmë Maqedonisë hyrjen në portin tonë në Durrës. Përgjigjja jonë ishte se porti i Durrësit është i hapur në përputhje me politikën tonë për lëvizjen e lirë të mallrave dhe të njerëzve. Në këtë kuptim po ndërtojmë edhe autostradën Durrës-Kukës-Prishtinë, në mënyrë që të mundësojmë lidhje, jo vetëm me Kosovën, por me tërë rajonin, me qëllim që të gjithë ta kenë më të lehtë daljen në detin Adriatik. Lëshimi i porteve tona dhe i kapaciteteve të tyre kontribuon në zhvillimin e mbarë rajonit. Dhe kur vjen në pyetje Kosova, ajo do të ketë përfitim nga kjo, por nga ana tjetër do të ketë përfitim edhe Shqipëria. Kjo, megjithatë, nuk ka asnjë lidhje me spekulimet për ndonjë bashkim.
A i ka cenuar qëndrimi juaj për Kosovën dhe marrëdhëniet tuaja me këtë shtet marrëdhëniet tuaja me Serbinë?
Për këtë nuk bëhet fjalë. Kur më pyetën për Shqipërinë e madhe, mbi atë nëse duan që Shqipëria dhe Kosova të bashkohen, unë iu thashë shumë haptazi, se Shqipëria e Kosova së bashku me vendet e tjera të rajonit do të bashkohen, por në Bruksel, qendra administrative e Evropës së Bashkuar dhe seli e NATO-s. Atëbotë madje edhe ata më ambiciozët do të pushojnë në mënyrë përfundimtare nga ideja e të kthyerit prapa.