Rrëzimi i helikopterit, një “fluskë sapuni”, policia pushon kërkimet në Alpe
TIRANË – Duket se e gjithë zhurma e madhe për rrëzimin e një helikopteri në Alpet e Shqipërisë po kthehet në një fluskë sapuni. Pas tri ditësh kërkimi nga strukturat e policisë dhe të ushtrisë shqiptare, ditën e djeshme janë shuar të gjitha shpresat për gjetjen e mjetit të rrëzuar. Qendra e Përbashkët Operacionale e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministria e Brendshme deklaruan se nga kërkimet e helikopterëve të Forcave Ajrore të Forcave të Armatosura dhe të Policisë së Shtetit nuk rezultoi të gjendej asnjë mjet. Deri dje në mëngjes janë organizuar operacione kërkimore për rreth 45 orë me radhë në zonat e përfolura ku mendohej se mund të ishte rrëzuar mjeti fluturues. “Nga kërkimet në bazë të koordinatave të dhëna nga “RÇ Romë” në mëngjesin e 4 marsit, duke e vlerësuar si rast specifik emergjent për vetë kushtet e vështira atmosferike, në bashkëpunim me strukturat e Policisë Kufitare dhe atyre të Rendit, si dhe me organet e pushtetit vendor dhe të banorëve të zonës perreth, nuk rezulton të jetë gjetur asnjë gjurmë e mjetit të dyshuar”, - citon zëdhënësja e Shtabit të Emergjencës, Mirela Rrumbullaku.
“Për këtë arsye, nga Shtabi i Emergjencës u përcaktua dhe u vlerësua mbyllja e operacionit, mbasi verifikimi i zonës si nga ajri ashtu dhe nga toka nuk solli asnjë të dhënë apo gjurmë të objektit fluturues që dyshohej të ishte helikopter”, - shton komunikata për shtyp nga ky institucion.
Para tri ditësm u lajmërua se një mjet fluturues ra mbi Alpet e Shqipërisë, konkretisht mbi majën e Malit të Jezercës. Në disa media, banorë të ndryshëm nga qyteti i Bajram Currit, por edhe nga fshatrat përreth, pohuan se ishte rrëzuar një avion. Fillimisht u mendua se ishte ndonjë helikopter i forcave të NATO-s që po patrullonte në zonën kufitare përreth Shqipërisë dhe Kosovës. Alarmi i parë mësohet të jetë dhënë për zyrën e emergjencave nga Roma, ku, sipas alarmit SOS, lajmërohej se një mjet fluturues humbi nga radarët në veri të vendit. Pak vite më parë, një avion amerikan u rrëzua në fshatrat e thella të Gramshit, ku gjetën vdekjen disa ushtarë. Shkak i rënies së tij ishte mungesa e orientimit të avionit nga piloti për shkak të kushteve të vështira atmosferike.
7 Mars 2008