E Shtunë, 31 Tetor 2026

Luftë për diamantet e Zimbabvesë

Minatori i ri e di prej kohësh që lehjet e qenve përbëjnë paralajmërimin ogurzi, por zhurma e helikopterëve qe diçka e re. Pak minuta më pas u shfaq një helikopter i forcave ajrore zimbabviane, i cili qëlloi me breshëri, duke lënë të vrarë disa duzina minatorësh që kërkonin të zhdukeshin nga sytë këmbët. Pas kësaj mbërriti policia, që lëshoi qentë, të cilët vranë e gjymtuan disa gërmues të tjerë. Policët hidhnin gaz lotsjellës për të nxjerrë jashtë galerive minatorët.

Se sa u vranë gjatë këtij sulmi të zhvilluar para dy javësh, nuk dihet. Disa prej trupave kanë mbetur të paidentifikuar në spitalin e Mutarit. "Dëgjuam helikopterin dhe e dija që nuk mund të qe gjë e mirë, por menduam se thjesht po sillte ushtarë", thotë minatori i ri, ish-student, i cili pranon të identifikohet vetëm si Houpuell. "Arriti mbi kokat tona e nisi të qëllonte. Pranë meje qe një burrë dhe plumbi e goditi tamam në kokë. Të gjithë u tmerruan. Njerëzit vraponin, por nuk donin të linin çfarë kishin gjetur, kështu që ndalonin duke u goditur nga plumbat".

Forcat policore dhe ato të ushtrisë prej javësh kanë nisur një fushatë të përgjakshme, të cilën juristët zimbabvistë të Organizatës së të Drejtave të Njeriut e kanë përshkruar si "një luftë të vërtetë" për të mbajtur larg një fushe diamantesh të sapozbuluar mijëra minatorët ilegalë që janë vërsulur aty me të marrë vesh lajmin se bëhej fjalë prej një prej zonave më të pasura të këtyre viteve të fundit.

Minatorët thonë se të vrarët janë me qindra. Fushat e diamanteve përreth Çiadzvës, rreth 30 kilometra në veriperëndim të qytetit Mutari, në pjesën lindore të Zimbabvesë, përbëhen nga një rreth tunelesh të ngushta e gropash sipërfaqësore të hapura që dy vjet më parë, kur në zonë u gjetën diamantet e para. Menjëherë aty ia behën mijëra gërmues ilegalë - vlerësohet se janë diku nga 10 mijë në 30 mijë vetë, përfshi edhe të tjerë nga vende të Afrikës - të cilët shpenzonin javë të tëra për të gjetur diamante mikroskopikë, që nuk vlejnë më shumë se dy-treqind dollarë. Por që janë një ëndërr për zimbabvianët, teksa vendi është në kolaps të plotë për shkak të peshës së hiperinflacionit.

Shumë prej këtyre minatorëve kanë profesione të tjera, mësues, nëpunës civilë të cilët kanë braktisur punët, pasi pagat nuk u mjaftonin për të mbajtur familjet. Të tjerë janë studentë që kanë lënë universitetin me shpresën se do arrijnë të vënë menjëherë pasuri, apo fshatarë, tokat e të cilave nuk prodhojnë prej vitesh aq sa për t‘i mbajtur.

Mutari, qytet pranë kufirit me Mozambikun, është mbushur me të rinj në kërkim të dollarëve. Hotelet janë plot me minatorë e tregtarë. Makinat luksoze mbushin rrugët e qytetit. Dyqanet janë të mbushura me produkte të importuara nga Perëndimi. Kushdo që qëndron në hotele a kalon dyqaneve, do ketë patjetër rast të hasë me ndonjë tregtar diamantesh.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Zimbabvesë, Gideon Gono, ka bërë me dije se gjenden më shumë se 500 mijë subjekte që tregtojnë diamante për një vlerë që i kalon 1 miliard dollarët në muaj. Qeveria e Zimbabvesë, ose të paktën një pjesë e elitës së saj të diskretituar, po përpiqet të vërë gjendjen nën kontroll. Policia dhe ushtria janë vënë në lëvizje për të mbajtur larg gërmuesit ilegalë. Sipas minatorëve, kjo bëhet për t‘u lënë dorë të lirë në shfrytëzimin e këtyre rezervave Greis Mugabi, bashkëshortes së Presidentit të vendit dhe Xhois Muxhuru, zëvendëspresidentes.

Opozita politike e Mutarit vëren se pas ndërhyrjes së njerëzve të armatosur qëndron shefi i forcave ajrore zimbabviane, Perens Shiri, ish-komandanti i së njohurës Brigada e Pestë, e cila masakroi rreth 20 mijë vetë gjatë mesit të viteve tetëdhjetë. Ai i dërgoi helikopterët e armatosur me mitraloza në zonën me rezerva diamantesh para tri javëve. Ndërkohë, policia kishte nisur prej ditësh lëshimin e qenve kundër minatorëve, duke shkaktuar disa viktima mes tyre. Një prej taktikave të përdorura nga policia është hedhja e bombave lotësjellëse në brendësi të galerive, gjë që shkakton përplasjen e tyre pranë daljeve, duke bërë që disa të mbeten edhe të vdekur. Minatorët tregojnë se në disa raste policët u qëllojnë me armë minatorëve të verbuar nga gazi lotsjellës.

Njëri prej minatorëve përshkroi se si kishte të shtëna thuajse për çdo natë. "Ishim tre minatorë. Gjatë natës erdhi një polic dhe i qëlloi një prej shokëve të mi dy herë në gjoks. Ikëm nga sytë këmbët, por u kthyem më pas. Qe ende gjallë, por vdiq kur po e shpinim në spital", tregoi minatori.

Një police nga Çiadzva tregoi se qe grumbulluar një pirg trupash pas një sulmi me helikopter. "Kishte shumë trupa. I kishin grumbulluar mbi njëri-tjetrin. Nuk e di me saktësi ç‘u kishte ndodhur, tregoi. Vriten çdo ditë minatorë. Policët kanë urdhër t‘u qëllojnë në rast se i shohin duke gërmuar, por shumë prej tyre nuk duan ta zbatojnë këtë urdhër. Janë njerëz të zakonshëm, si ne".

Situata ka arritur në atë pikë sa disa prej minatorëve janë armatosur dhe mbrohen me zjarr. Mediat qeveritare kanë raportuar se gjatë përplasjeve të armatosura kanë gjetur vdekjen disa policë. E megjithatë asgjë prej këtyre nuk i ndalon njerëzit të shkojnë çdo ditë nëpër galeri në kërkim të diamanteve. "Ia vlen barra qiranë", thotë Hopuelli. "Disa prej minatorëve janë larguar, por shumica nuk rrinë larg për shumë kohë. Kemi dëgjuar histori për diamantet gjigandë. Kam shitur deri tani sa për të fituar aq para sa do kisha fituar në pesë vjet punë. Kam blerë shumë gjëra që u nevojiten prindërve të mi: kam blerë një televizor e një DVD nga Afrika e Jugut. Kam ndër mend të blej një makinë, në rast se nuk më vrasin", thotë djaloshi teksa buzëqesh.

Një nënkontraktore e kompanisë "De Beers", e cila kishte të drejtën e shfrytëzimit të rezervave të zonës deri në vitin 2006, nuk vendosi ta zgjaste kontratën për shkak të cilësisë së dobët të diamanteve. Pas kësaj, të drejtën e shfrytëzimit e bleu një firmë britanike, "African Consolidated Resources", e cila u zbua nga qeveria me t‘u mësuar se qenë zbuluar sasi të konsiderueshme diamantesh cilësore thuajse në sipërfaqe. Teorikisht e drejta e shfrytëzimit është aktualisht në dorën e kompanisë shtetërore zimbabviane, "Zimbabwe Mining Development Corporation", por minatorët ilegalë u shfaqën në çastin kur kjo komani nuk qe e aftë të kontrollonte gjithë fushën.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›