E Shtunë, 31 Tetor 2026

Luter King "përplaset" me Herri Belafonte

Një ankand i zhvilluar në Hollivud ka çuar në një përplasje mes dy ikonave të lëvizjes së të drejtave civile, familjes së Martin Luter King-ut, që u vra në vitin 1968, dhe këngëtarit e aktorit Herri Belafonte, një prej miqve më të mirë të "Gandit" amerikan. Belafonte, sot në moshën 82-vjeçare, një prej më aktivëve të asaj lëvizjeje, kishte nxjerrë në ankand tri dokumente të Martin Luter King-ut, mes të cilave një prej fjalimeve të tij më të famshme, atë kundër luftës në Vietnam në vitin 1967; pjesë për një fjalim që mendohej të mbante, të cilat u gjetën në xhep pas vdekjes dhe letra e ngushëllimit që Presidenti amerikan, Lindon Xhonson, ia kishte dërguar të vesë së tij, Koretës.

Historia

Këngëtari shpresonte të fitonte rreth 1 milion e 300 mijë dollarë të destinuara për getot e zezakëve të metropoleve amerikane. Por, të mërkurën familja e King-ut e ka akuzuar se në mënyrë ilegale ai është bërë pronar i dokumenteve, ndaj e ka detyruar t‘i tërheqë nga ankandi. Kjo "përplasje" shkaktoi një zhurmë të madhe në vend dhe prej disa ditësh ka zënë faqet e para të shtypit amerikan. Herri Belafonte u njoh me Martin Luter King-un në vitet ‘50 dhe u bë një nga pasuesit e tij më të pasur dhe më me influencë, duke vënë në dispozicion edhe apartamentin e tij në Nju Jork. Miqësia e tyre zgjati deri në vdekjen e "Gandit" të zi. Të dy shfaqeshin së bashku në publik dhe luftuan krah për krah për integrimin racial. Këngëtari tregon se King e shkroi me dorë fjalimin kundër luftës në Vietnam në banesën e tij njujorkeze, dhe ia la atij pasi e kishte daktilografuar.

Letra

Ai shton se shënimet mbi fjalimin tjetër që nuk u mbajt kurrë iu dhuruan një mikut të tyre nga e veja e King-ut, që ia la në trashëgimi. "Letrën e Presidentit Xhonson ma dha vetë Koreta", shton ai. Duket se pas vdekjes së Koreta King-ut, në vitin 2006, familja i kishte kërkuar Belafonte-s t‘i dorëzonte tri dokumentet, por ky i fundit nuk kishte pranuar. Ishte pikërisht ky thelbi për shpërthimin e kësaj "përplasjeje". Këngëtari në fillim ishte ftuar për të mbajtur një fjalim në varrim, por më pas ftesa u anulua. Një mungesë që tronditi Amerikën. Nuk është e qartë se çfarë ndodhi më vonë. Familja King mbështet se Belafonte "tentoi t‘i shiste në mënyrë të fshehtë dhe anonime në një ankand në Hollivud tri dokumentet që nuk i përkisnin".

Obama

"New York Times" është përpjekur të hedhë dritë mbi çështjen për shitjen e dokumenteve në "Sobethi", shtëpinë më prestigjioze në botë për ankandet, por që nuk ia doli dot mbanë.

Belafonte dhe fëmijët e Martin Luter King-ut, Bernice dhe Martin Luter Jr, kanë refuzuar të flasin për të mos "rënduar më shumë situatën". Sipas "New York Times", familja King u kritikua sepse kishte nxjerrë në ankand rreth 10 mijë dokumente të "Gandit" të zi në vitin 2006, pasi ndryshoi mendim që i mbante të mbyllura në një arkiv dhe shumë pak njerëz kishin akses ndaj tyre (familja ka marrë nga të drejtat një shumë prej 32 milionë dollarësh). Në gazetë citohet David Garrou, biograf i King-ut dhe fitues i çmimit "Pulitzer": "Nuk e kuptoj se përse familja e ka kërcënuar se do të ngrejë padi kundër Belafonte-s, që pati marrëdhënie shumë të mira dhe një raport të ngushtë me Martin Luter King-un. Ato dokumente janë ndër më të rëndësishmet që ekzistojnë dhe menjëherë do t‘i kishte blerë ose ndonjë universitet, ose bibliotekë. Ndërkaq, një kopje e tyre i është dhënë ‘Institutit King‘", përfundon ai. Por, ka nga ata që mendojnë se vetëm një person mund të bëhet ndërmjetës për zgjidhjen e konfliktit mes King-ut dhe Belafonte-s. Bëhet fjalë për Presidentin e ri Barak Obama, zgjedhja e të cilit bëri realitet ëndrrën e madhe të Martin Luter King-ut.

Tri dokumentet

Bëhet fjalë për fjalimin ku dënohet lufta në Vietnam, mbajtur në vitin 1965. Ishte pjesë nga një fjalim që mendohej të mbahej në Tenese dhe një letër ngushëllimi që Presidenti Lindon Xhonson i drejtonte bashkëshortes së tij. Sipas shtëpisë së famshme të ankandeve, vlera e tri dokumenteve shkonte nga 750000 deri në 1 milion e 300 mijë dollarë, ku vetëm fjalimi i tij për luftën në Vietnam është vlerësuar me një çmim nga 500000 deri në 800000 dollarë. Në një intervistë telefonike të dhënë pak ditë më parë për agjencinë "Associated Press", Belafonte pati deklaruar se do t‘i nxjerrë në ankand këto dokumente, pasi ndodhet në fundin e jetës së tij. "Jam në fundin e jetës. Pas pak ditësh mbush 82 vjeç dhe ka shumë çështje për të cilat nuk ka burime informacioni në dispozicion, ndaj mendoj se është nevoja për shpërndarjen e këtyre burimeve". Sipas kuratorit të dorëshkrimeve në "Sotheby", Selbi Kifer, për nga rëndësia fjalimi për luftën në Vietnam mund të krahasohet me të tjera fjalime të famshme të Martin Luter King-ut, mes tyre edhe më madhështorin, "Unë kam një ëndërr", apo "Letër burgut të Birmingamit", që në fillim u shkrua në letër higjienike, e deri te fjalimi që i dha atij çmimin "Nobel". Në fjalimin e titulluar "Viktimat e luftës në Vietnam", Luter King nuk flet vetëm për viktimat civile dhe ushtarake, por edhe për humbjen e parimeve etike dhe burimeve të destinuara për konfliktin, në vend të betejës për të drejtat civile dhe rrezikut që SHBA të izolohej me pjesën tjetër të botës. Pjesët për fjalimin që do të mbahej në Memfis u gjetën në xhepat e King-ut, kur u vra në 4 prill të 1968-ës, në hotelin ku qëndronte në Tenese, dhe më vonë iu dorëzuan Koretës, bashkëshortes së tij. Në pjesët për fjalimin e pambajtur, King u thurte elozhe pastruesve të qytetit për grevën kundër "Rrogave të ulëta", në të cilin kishte ndër mend të merrte pjesë, ndërsa në letrën e ngushëllimit, Presidenti Xhonson shprehte angazhim të plotë të të gjitha autoriteteve lokale dhe federale për të gjetur vrasësin e Martin Luter King-ut.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›