E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lufter Xhuveli: “Partia Agrare do të jetë sërish në qeveri”



Aleati katërvjeçar i kryeministrit Berisha, kryetari i agraro-ambientalistëve, Lufter Xhuveli, pret që të përfshihet sërish në kabinetin e ri qeveritar, edhe pse në zgjedhjet e 28 qershorit nuk arriti të siguronte asnjë deputet. Sipas ministrit aktual të Mjedisit, pakti që partia e tij ka me PD-në nuk është marrëveshje numrash, por vlerash.
“Nevoja e bashkëpunimit vazhdon të jetë gjithnjë e më e madhe, sidomos kur mjedisi do të ketë një rol gjithnjë e më të madh në procesin e integrimit europian të Shqipërisë. Në këtë kontekst do të thosha që ashtu siç e ka theksuar dhe kryeministri Berisha, që midis Partisë Demokratike dhe Partisë Agrare Ambientaliste nuk ka një koalicion numrash, por një koalicion vlerash. Ky koalicion ka funksionuar dhe unë shpreh bindjen se do të vazhdojë të funksionojë”, - është shprehur Xhuveli në një prononcim për mediat. Por, të njëjtën deklaratë e kanë bërë pak kohë më parë edhe aleatë të tjerë të PD-së, të cilët, pavarësisht se në zgjedhjet e 28 qershorit nuk arritën të merrnin asnjë mandat deputeti, shpresojnë të përfaqësohen në qeveri me poste të nivelit të dytë, pra me poste zëvendësministrash. Kështu, si Xhuveli, edhe kryetari i PAD-së, Neritan Ceka, shpreson të marrë post zëvendësministri në kabinetin e ri qeveritar. Megjithëse nuk kanë marrë mandate deputetësh, post zëvendësministri në qeverinë e re pretendojnë dhe partitë të tjera të koalicionit, siç janë Bashkimi Liberal Demokrat me kryetar Arian Starovën, Lidhja Demokristiane e Shqipërisë me kryetar Nikollë Lesin, si dhe Partia Lëvizja e Legalitetit me kryetar Ekrem Spahiun. Për një kërkesë të tillë krerët e këtyre partive bazohen në aktmarrëveshjen e nënshkruar me PD-në para zgjedhjeve, e cila parashikon bashkëpunim paszgjedhor në rast fitoreje të koalicionit. Ndërsa partitë e tjera të këtij koalicioni synojnë bashkëpunim në nivel drejtorish.

26 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›