E Shtunë, 31 Tetor 2026

Luftëtaret gjermane të Al Qaedas

Luisa S. Bën pjesë në numrin gjithnjë e më të madh të femrave, të cilat janë shtetase gjermane dhe jetojnë në kampet e terrorit në Pakistan. Ato janë nga Berlini, Hamburgu, Boni apo Ulmi, janë rritur në një rreth mysliman apo janë konvertuar në islam. Tani autoritetet gjermane për mbrojtjen e kushtetutës kanë vendosur nën mbikëqyrje edhe këto femra. Nga Express më 05 korrik 2011 në ora 08:11

Autoritetet e qarkut Rhein Sieg nuk morën përgjigje. Në shkurt të vitit 2010, ato i dërguan punëtores së tyre shumëvjeçare, Luisa S., vendimin për largimin e saj nga puna. Por ajo nuk reagoi fare.

“Venndodhja e saj e panjohur”, theksuan zyrtarët. Edhe një muaj më vonë, kur asaj ju ndalën ndihmat për fëmijë, ajo nuk u paraqit. Luisa S. Nuk jetonte më në shtëpinë e saj të vjetër. Ajo ishte larguar, për t’iu bashkuar “luftës së shenjtë”.

Luisa S. Bën pjesë në numrin gjithnjë e më të madh të femrave, të cilat janë shtetase gjermane dhe jetojnë në kampet e terrorit në Pakistan. Ato janë nga Berlini, Hamburgu, Boni apo Ulmi, janë rritur në një rreth mysliman apo janë konvertuar në islam. Tani autoritetet gjermane për mbrojtjen e kushtetutës kanë vendosur nën mbikëqyrje edhe këto femra.

Shtetasja e konvertuar gjermane Luisa S. Sipas disa informatave jeton në rajonet fisnore në Vaziristan, në Pakistan, ku ka shkuar së bashku me bashkëshortin e saj me prejardhje afgane, Javad S. dhe me vajzën e tyre.

Ky çift nga Boni kishte vendosur të përfshihet në luftën e shenjtë, larg të “pafeve”, në luftën kundër qeverisë së Pakistanit dhe forcave të NATO-s në Afganistanin fqinj. Luisa S. i la një letër nënës së saj. Në të ajo kishte shkruar se dëshiron t’i ndihmojë myslimanëve të shtypur.

Ajo më tutje shkroi se nëna e saj nuk duhet të brengoset, ngase destinacioni i saj është një vend i sigurt, ku ka mjaft ushqim dhe rroba. Luisa dhe Javad miqve të tyre ju kishin thënë se po shkonin në pushim në Egjipt.

Bashkëshorti i saj Javad S. në ndërkohë ka vdekur. Ai u vra në tetor të vitit 2009, gjatë një përleshje me forcat pakistaneze. Për Luisen nuk vjen në shprehje largimi i saj nga Pakistani dhe kthimi në Gjermani. Përkundrazi:”Kam vendosur të jetojë këtu dhe do të vazhdojë angazhimin tim në luftën e shenjtë”, theksoi Luisa në një video-porosi, e cila u publikua në internet pas vrasjes së bashkëshortit të saj.

Siç kanë njoftuar disa burime nga radhët e radikalëve islamikë, Luisa pak kohë pas vrasjes së bashkëshortit të saj u martua me një luftëtar islamistë, gjithashtu nga Gjermania.

Islamistët qysh moti kanë vënë në shënjestër femrat si Luisa S. Al Shamikha quhet revista e re online e Al Qaedes. Aty autoret anonime shkruajnë për ndjenjat se si është të jesh bashkëshorte e një luftëtari islamit dhe për atë se cilat janë obligimet e tyre në kuadër të luftës së shenjtë.

Sipas autoriteteve gjermane, numri i islamistëve ka shënuar rritje gjatë vitit 2010. Në fund të vitit 2010, në Gjermani kishte 29 organizata aktive islamike, me 38 mijë anëtarë. Kjo nënkupton një rritje prej 2700 personave gjatë dy viteve të kaluara.

Sipas kryetarit të autoritetit për mbrojtjen e kushtetutës, Heinz Fromm, pothuajse të gjithë terroristët islamikë nga Gjermania ishin pjesëtarë të grupit salafist apo kanë pasur kontakt me të. Edhe vrasja e dy ushtarëve amerikanë, më 2 mars, ishte vepër e një individi, i cili u radikalizua në internet.

Në Gjermani deri me tani 130 persona janë cilësuar si radikalë islamikë dhe u vunë nën vëzhgimin e vazhdueshëm të autoriteteve. Megjithatë, në mesin e tyre ishin vetëm gjashtë femra, por numri i tyre mund të jetë më i madh, kur dihet se pjesa më e madhe e këtyre islamistëve janë të martuar.

Numri në rritje i luftëtareve gjermane në kampet e terrorit në Hindukush detyroi autoritetet për mbrojtjen e kushtetutës që në maj të publikojnë një analizë, me titullin “Femrat gjermane në rrjetet terroriste-islamike në Gjermani”, ku saktësohet se cilat janë detyrat e këtyre femrave.

Luisa S. bën pjesë në të ashtuquajturat femra aktive. Si gjermania e parë deri me tani, ajo është paraqitur edhe në një video-xhirim propagandistik. E veshur me të zeza, ajo kërkoj nga besimtarët tjera që të heqin dorë nga “luksi mashtrues” dhe që t’i bashkohen luftës. “Ndiqni shembullin e motrave, të cilat na janë bashkuar”, theksoi ajo.

Shtetasja gjermane me prejardhje turke, Filiz G., e udhëhoqi luftën e shenjtë nga kompjuteri i saj në shtëpi. Ajo kishte filluar të grumbullojë donacione për grupet terroriste.

Ajo udhëhoqi një prej forumeve më të mëdha të xhihadit në internet në Gjermani, ku ka publikuar mbi 1 mijë tekste dhe ka përkthyer porositë e xhihadistëve.

Në Ulm, ajo hapi një konto, për të tubuar donacione për “motrat në Afganistan”.
Hetuesit gjermanë zbuluan se nga fundi i vitit 2009, Filiz G., me ndihmën e një ndërmjetësuesi në Turqi, i kishte dorëzuar terroristëve 2450 euro. Ajo u arrestua në shkurt të vitit 2010. Filiz G. U dënua me tre vjet burg.

Zyrtarët kanë karakterizuar edhe të ashtuquajturat xhihadiste pasive, të cilat iu nënshtrohen dhe i betohen për besnikëri bashkëshortëve të tyre islamikë.
Këtë e bëri edhe Elisabeth V. Kjo gjermane e konvertuar e shoqëroi në vitin 2008 bashkëshortin e saj, terroristin e Al Qaedes, Bekay Harashin, në Pakistan.
Ajo sot është e ve, pasi që bashkëshorti i saj u vra në Afganistan.

Sipas disa informatave nga Pakistani, xhihadistet gjermane nuk e kanë ndërmend të kthehen në Gjermani. (Die Welt)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›