E Shtunë, 31 Tetor 2026

Luftëtari fiton bindshëm 4-0 ndaj Gramozit

GJIROKASTËR- Luftëtari e mbylli ndeshjen me fitore përballë Gramozit të Ersekës dhe kryeson kështu Kategorinë e Parë, me pretendim Superligën.

Trajneri i Luftëtarit, Mustafa Hysi, tha pas ndeshjes, se skuadra e tij e mori seriozisht takimin dhe futbollistët respektuan me përpikmëri udhëzimet. “Fitorja ndaj Gramozit ishte vendimtare për vazhdimin e kampionatit. Tashmë do të përqëndrohemi tek ndeshja e rradhës”, tha Hysi.

Ndeshja filloi me gol për Luftëtarin, ku Devolli ekzekuton me mjeshtëri një goditje dënimi duke e çuar topin në rrjetë. Njëzetë minuta më vonë, Nora shënon golin e dytë, pasi më parë ka shfrytëzuar më së mirë gabimin e portierit mik. Në fund të pjesës së parë, miqtë kishin rastin më të mirë, por portieri shkodran i Luftëtarit, Selimaj, bën mrekullinë duke e çuar topin në goditje këndi.
Në pjesën e dytë, Mezini, Devolli, Braho dhe Shehaj humbasin raste të pastërta deri në minutën e 78-të, ku Nora shënon nga pika e bardhë e 11 metërshit, ndërsa në minutat ekstreme të shtesës, mbrojtësi mik Peçi shënon autogol, duke “dhuruar” golin e katërt për Luftëtarin.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›