E Diel, 1 Nëntor 2026

Mërgim Brahimi, një Skela i ri për kombëtaren

19-vjeçari i Shpresës mbetet një ndër kandidatët kryesorë për tiu bashkuar kombëtares që drejtohet nga De Biazi.

Një yll i ri pritet të shpërthejë me kombëtaren shqiptare të futbollit. Ai është Mërgim Brahimi, anëtari i skuadrës Grasshopers në Zvicër, i cili vitin e kaluar pati një ngritje të madhe në karrierën e tij. Ai debutoi me skuadrën e parë të Grasshopersit, ndërsa gjithashtu debutoi me përfaqësuesen U-21 të Shqipërisë, ku ra në sy me paraqitjet e tij.

Mërgim Brahimi dhe Armando Sadiku konsiderohen favoritë për të bërë kalimin nga U-21 e Shqipërisë në kombëtaren A. Mërgimi, që luan në mesfushë, gjatë një prononcimi për të përditshmen kosovare Sport, u shpreh i lumtur me këtë fakt.

Nuk e di ende nëse do të ndodhë një gjë e tillë, por nëse ndodh, do të ndihesha shumë i gëzuar. Të zëvendësoj Ervin Skelën e Altin Lalën? Ata janë lojtarë shumë të mirë dhe për mua do të ishte arritje e madhe nëse do të aktivizohem në pozicionet e tyre, – shpjegoi talenti kosovar. Edhe pse ka luajtur disa ndeshje me Grasshopersin, ai akoma nuk është shndërruar titullar i padiskutueshëm.

Synimi i këtij për këtë vit është pikërisht ky: aktivizimi titullar me Grasshopersin si dhe grumbullimi nga italiani Xhani De Biazi. Synimet e mia për të janë që të jem në formacionin bazë që futet në fushë, si dhe shumë shpejt të jem pjesë e Kombëtares A, – deklaroi Brahimi.

Përfaqësuesja U-21

Mërgim Brahimi ka debutuar me përfaqësuesen U-21 të Shqipërisë në muajin shtator, përballë Polonisë në stadiumin Skënderbeu të Korçës (0-3). Ai thekson se pret paraqitje të mira gjatë këtij viti ndaj Rusisë, Portugalisë dhe Moldavisë në kuadër të eliminatoreve të Europianit. Për Mërgim Brahimin, skuadra e Grasshopersit do të jetë e duhura edhe për sezonin e ardhshëm. Mërgimi, që bëri debutimin në superligën zvicerane pikërisht me këtë skuadër vitin e kaluar, theksoi se dëshiron ta respektojë kontratën e tij:

Unë kam kontratë me Grasshopersin deri në vitin 2014 dhe mendoj se edhe gjatë sezonit të ardhshëm do të jem te kjo skuadër. Synimi ynë është që me Grasshopersin të sigurojmë vendin e tretë, ndërsa mendojmë se mund ta fitojmë Kupën e Zvicrës, – përfundon Brahimi. Te Grasshopersi paraqiten edhe disa futbollistë të tjerë shqiptarë, përfshirë Amir Abrashin dhe Imran Bunjakun.

 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›