E Shtunë, 31 Tetor 2026

Luftëtari, i gatshëm për fitore me Butrintin

Nga SOKRAT PAPADHOPULLI

Gjirokastritët janë të vendosur për ti fituar të gjitha ndeshjet në fushën e tyre, ndërkohë që i vlerësojnë drejt sarandiotët

Butrinti debutues në kategorinë e parë, fqinji më i afërt i Luftëtarit, është kundërshtari i radhës në ndeshjen që do të zhvillohet në Gjirokastër, ku patjetër do të vijnë edhe tifozë nga Saranda. Këta të fundit nuk kanë munguar as në ndeshjet miqësore që kanë zhvilluar këto dy ekipe, si dhe në ato për Kupën e Shqipërisë. Luftëtari, pas humbjes me Lushnjën, është i detyruar të kthehet te fitorja.

Por edhe nëse do të kishte ndodhur ndryshe, është mëkat i madh që të mos e pasurojë koleksionin e 10 fitoreve radhazi në Gjirokastër për këtë kampiont, gjë që deri tani përbën rekord për të dhe, me sa duket, me pak kujdes mund të bëhet 15. Pas humbjes me Lushnjën, stafi i ekipit gjirokastrit vendosi ti dënojë futbollistët e tij për të mos dhënë intervista për median, duke iu sugjeruar ti ruajnë energjitë për të folur në fushën e lojës, pasi kjo është edhe detyra themelore e tyre.

Tifozët gjirokastritë, të cilët ndjekin edhe stërvitjet dhe ndeshjet e kontrollit, nuk dyshojnë aspak që Luftëtari do të realizojë fitoren e 11-të. Futbollistët e këtij ekipi, nga vetë rrjedhja e kohës, tani

janë qetësuar, qoftë nga katastrofa e përbashkët në ndeshjen e fundit, qoftë nga ato personale të ndeshjeve të fundit, që natyrisht  janë të paevitushme plotësisht. Është e qartë se fitues del ai ekip  dhe ai individ që ruan gjakftohtësinë dhe, me personalitetin e tij  sportiv, rikthehet menjëherë te suksesi. Këtë duhet të bëjë Luftëtari me Butrintin në Gjirokastër dhe në vazhdim me Besën (ndeshja më delikate), Gramshin (që domosdo duhet marrë revanshi) dhe me Mamurrasin.

Vlerësimi Butrintit, si debutues, i takojnë plot lëvdata për paraqitjen e tij, pasi ka arritur në 8-shen e parë midis 16 ekipeve, duke e merituar këtë pozicion me luftë sportive jo vetëm në ndeshjet në Sarandë, por edhe jashtë saj, ku ka marrë 4 barazime.

Kjo do të thotë se Luftëtari duhet ta vlerësojë si një kundërshtar të denjë dhe luftarak, aq më tepër që drejtohet nga Milto Gurma, i cili, para rreth 35 vitesh, mbahet mend për lojën e tij si një ndër mbrojtësit më të specializuar në Gjirokastër, për të mos thënë më i specializuari që ka veshur fanellën e Luftëtarit.

U tha se ndeshja Lushnja-Luftëtari do të ishte reklamë e futbollit të kategorisë së parë, por, sipas gjirokastritëve që e ndoqën dhe drejtuesve, nuk rezulton e tillë. E tillë ka gjasa më së shumti të jetë Luftëtari-Butrinti, edhe pse jo në ato përmasa.

Mustafaraj: Gramshi në superformë, sdel bosh në Vlorë

Trajneri i Gramshit, Edmond Mustafaraj, thotë se skuadra e tij mund të ”çudisë” në trasfertën e Vlorës këtë fundjavë, duke marrë pikë. Sipas tij, Gramshi gëzon një formë të shkëlqyer fizike dhe mund të bëjë lojë të hapur e të dhurojë emocione. Ai shton se nuk ndihet aspak mirë, kur mëson se nga Mamurrasi ka ende pretendime për padrejtësi në fushën e Gramshit, ku ky kundërshtar u mund 3-2.

”Jam i çuditur teksa mësoj se miqtë nga Mamurrasi nuk janë pajtuar me lojën tonë, aq më tepër me rezultatin. Nëse mund të ketë ndonjë kontestim, na takon ne, pasi goli i parë i miqve erdhi pas një prekjeje me dorë. Gjithsesi, Gramshi po mendon me seriozitet për transfertën e vështirë të Vlorës, me qëllim që të kthehemi me pikë.

Grupi i futbollistëve po kalon një periudhë të shkëlqyer, që reflektohet në rezultatet e deritanishme, por edhe fizikisht. Shpresoj të japim maksimumin në ndeshjen e Vlorës, – u shpreh për Sportin shqiptar trajneri i Gramshit, Mustafaraj.

Në ndeshjen e fundit Gramshi dominoi ndaj Mamurrasit, duke qenë dy herë në avantazh, por pakënaqësia e kundërshtarit ka bërë që drejtuesit e klubit gramshiot të reagojnë. Zyrtarët e lartë të klubit kujtojnë ndeshjen e fazës së parë, ku një futbollist i Mamurrasit u dënua plot 12 javë pezullim nga aktivitetet sportive, për shkak të thyerjes së rregullave dhe etikës së futbollit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›