E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lushnja kërkon ndihmën e tifozëve edhe në Ruzhdi Bizhuta

Nga Julian Kasapi

Skuadra myzeqare humbet mesfushorin Alban Byzhyti deri në fund të sezonit, për shkak të dëmtimit që pësoi ndaj Luftëtarit 

Fitorja e së shtunës që shkoi me Luftëtarin pati edhe kosto për lushnjarët. Në atë ndeshje Lushnja humbi shërbimet e njërit prej futbollistëve më të mirë, mesfushorin Alban Byzhyti, i cili mund të qëndrojë jashtë fushave të blerta deri në fund të sezonit. Ky është konstatimi i stafit mjekësor për kaviljen e dëmtuar të mesfushorit verdhejeshil. Eshtë një humbje e madhe për stafin teknik, edhe pse Lushnja ka shumë futbollistë me përvojë.

Por nuk ishte vetëm dëmtimi i Byzhytit humbja e vetme. Sipas vendimit të komisionit të disiplinës në FSHF, Lushnja do ta luajë ndeshjen e ardhshme të kampionatit në fushën e saj pa tifozë. Ky lajm i ka brengosur të gjithë, por nuk mund të dilet kundër këtyre vendimeve, edhe pse në ndeshjet jashtë fushe të Lushnjës ka pasur dhunë verbale dhe hedhje të sendeve në fushë. Edhe mungesa e tifozëve është një humbje e madhe për skuadrën lushnjare, që në fitoren me Luftëtarin pati mbështetjen e më shumë se 6500 tifozëve në stadiumin Roza Haxhiu.

Përgatitjet Ndeshja e radhës është ndoshta më e vështirë se ajo që shkoi për myzeqarët, të cilët shkojnë në stadiumin Ruzhdi Bizhuta për tu ndeshur me Elbasanin. Një 90-minutësh mjaft i rëndësishëm, ku lushnjarëve u duhet të marrin maksimumin. Për këtë ndeshje puna ka nisur që ditën e hënë dhe në mesjavë stafi teknik ka zhvilluar edhe testin e zakonshëm për të parë gjendjen e të gjithë futbollistëve para sfidës me Elbasanin.

Sipas asaj që u pa në ndeshjen e kontrolit, formacioni do të jetë pak a shumë i njëjtë me atë të javëve të fundit. Bejte do të mbrojë portën, Sulo dhe Hasalla do të jenë në krahët e mbrojtjes, kurse Xhafa dhe Bufasi në qendër. Reparti i mesfushës do të ketë Çelën dhe Topin në organizim, si dhe Gjonin dhe Ruçon nga krahët, ndërsa në sulm do të jetë dyshja Sefa-Canka.

Apel tifozëve Klubi i futbollit lushnjar ka marrë masat që në takimin e radhës, futbollistëve të mos u mungojë asgjë. Nuk do të ketë grumbullim, pasi Elbasani është afër, ndërkohë që kërkohet mbështetja e tifozërisë. Judmir Shurdhi, sekretari i klubit verdhejeshil, shprehet: Nuk do të ketë grumbullim për shkak të afërsisë me qytetin e Elbasanit. Do të ishte mrekulli, nëse do të kishim edhe në Elbasan mbështetjen e tifozëve lushjnarë, pasi është një takim mjaft i rëndësishëm për Lushnjën.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›