Partizani sërish e ka me biletat, kërkon ulje çmimi
Administratori i të kuqve, Gjergji Thaka, pohon se bileta për tifozët në Selman Stërmasi duhet të jetë 200 lekë, që të pranishmit të jenë më të shumtë
Partizani është në rrugën e duhur për të realizuar objektivin sezonal, që ka të bëjë me ngjitjen në kategorinë e parë. Teksa kanë mbetur edhe 7 javë që të mbyllet kampionati, kërkohet një Partizan perfekt, ku çdo ndeshje konsiderohet një finale që duhet fituar. Për ta konkretizuar me sukses misionin, të kuqtë kërkojnë edhe përkrahjen e sa më shumë tifozëve, që nuk i ka munguar as në transfertat më të largëta.
Për Partizanin mbetet problem çmimi i biletave, kur ata luajnë në stadiumin Selman Stëramsi, pasi 300 lekë konsiderohet disi e tepruar, për vetë faktin se është një ndeshje e kategorisë së dytë. Adiminstartori i të kuqve, Gjergji Thaka, sërish insiston se administruesit e stadiumit duhet ta marrin në konsideratë kërkesën e tyre, pasi me një çmim më të arsyeshëm, 200 lekë, numri i tifozëve do të ishte edhe më i madh.
Edhe më parë kemi kërkuar që drejtuesit e stadiumit Selman Stërmasi duhet të vendosin një çmim bilete më të arsyeshëm, pasi, për mua, të shikosh një ndeshje të kategorisë së dytë në Shqipëri me 300 lekë është disi e tepruar. 200 lekë do të ishte një çmim i arsyeshëm, që do të na dihmonte edhe ne si ekip, që kemi nevojë për përkrahjen e tifozëve.
Partizanit nuk i kanë munguar tifozët, pasi ata na janë gjendur kudo, por duke qenë në kohë krize, duhet të jemi më të arsyeshëm, sepse kjo është një mënyrë edhe për të afruar tifozët në stadium. Partizani ka treguar se është një emër që i grish të gjithë, por nuk duhet të jemi abuzivë me ndienjat e tifozëve të kuq.
Skuadra është në rrugën e duhur dhe kam bindje se do ta realizojmë misionin që kemi. Një prani akoma më e madhe e tifozëve do të na e bënte akoma më të lehtë rrugën që na ka mbetur deri në përfundim të kampionatit,- u shpreh për Sportin Shqiptar administratori i Partizanit, Gjergji Thaka.
