E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lushnja, edhe sfidë prestigji për Elbasanin

Nga Elton Karaj

Pëveç 3 pikëve, që mbajnë gjallë shpresat për vendin e 5-të, verdheblutë duhet të fitojnë edhe për të respektuar fanellën

Elbasani pret nesër Lushnjën në stadiumin Ruzhdi Bizhuta, në një sfidë që ndan gjithçka sa i takon objektivit sezonal. Fitorja mban gjallë shpresat e verdhebluve për të qenë në 5-shen e parë, edhe pse duket e vështirë, ndërsa humbja e pikëve do ta mbyllte një herë e mirë kapitullin e kthimit në superligë. Pritet të jetë një ndeshje e fortë dhe me emocione, sepse të dyja skuadrat do të luftojnë për fitore.

Në këtë sens, do të jetë edhe një ndeshje e hapur, ku është e vështirë ta parashikosh rezultatin. Verdheblutë janë të favorizuar nga fakti se luajnë në fushën e tyre, ku fazën e parë nuk kanë falur asnjë pikë, kurse në të dytën kanë gabuar me Besëlidhjen dhe Luftëtarin. Futbollistët besojnë se ka ardhur momenti që Elbasani ti kthehet fitores, edhe pse përballë ka një nga skuadrat më të mira të kategorisë së parë, Lushnjën.

Eshtë një ndeshje, ku verdheblutë do të luajnë edhe për prestigj, për të respektuar emrin dhe traditat që kanë në futbollin shqiptar. Dhe kjo tregohet më mirë kur ke përballë një skuadër të fortë. Duke pasur parasysh edhe faktin se Elbasani luan shansin e fundit për në zonën play-off, pritet që djemtë e trajnerit File ti shkarkojnë të gjitha bateritë.

Gjatë javës stafi teknik ka punuar shumë me grupin, në mënyrë që të mos gabojë në këtë 90-minutësh përcaktues. Janë edhe shumë pikë në lojë, kështu që elbasanasit do ti bëjnë të gjitha përpjekjet për ta kapur Besëlidhjen, që aktualisht mban vendin e 5-të. Një trepikësh në ndeshjen e nesërme, që është plotësisht i mundshëm, do të ngrinte edhe moralin e verdhebluve, që është lëkundur fort pas rezultateve të javëve të fundit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›