Salihi: Në SHBA të marrin shpirtin në aspektin fizik
Vetëm një muaj në Uashington, ku luan me skuadrën vendase të DC Junajtit, dhe Hamdi Salihit i duket vetja si në shtëpinë e tij. Në një intervistë dhënë për gazetën austriake HEUTE, ai tregon 30 ditët e para në kyeqytetin amerikan. Ndihet i qetë, por tepër i lodhur. Ndihet mire pasi ka më shumë mundësi të kontaktojë me të dashurën e tij Rosela, por nga ana tjetër ndihet i sfilitur nga mënyra e stërvitjes amerikane.
Si jeni ambjentuar në SHBA?
Mirë, sepse në Uashington është e lehtë. Qyteti është interesant, por i vogël. Shoh Shtëpinë e bardhë, pasi banoj aty pranë. Por në ambjentimin tim më ka ndihmuar dhe Boskoviç. Me të kam jetuar në një njëjtën shtëpi edhe në Vjenë. Gjithçka po duket mirë në Uashington.
Tashmë që jeni në SHBA, e keni më të lehtë për tu takuar me të dashurën tuaj?
Natyrisht. Rosela studion në Nju Jork, jemi më pranë dhe tani ne kemi më shumë kohë për të qëndruar bashkë.
I kthehemi profesionit. Cila është diferenca me Austrinë?
Stërvitja në SHBA është shumë e fortë. Duhet të jesh shumë i përgatitur fizikisht. Ndërkohë që për sa i takon taktikës, ajo nuk është aq shumë përcaktuese sa në Evropë.
Çfarë mendon sot për Rapidin?
Mu desh të largohem, pasi duhet të luaja më shumë. Megjithatë, periudha e kaluar te Rapidi ka qenë më e bukura në jetën time. Nëse do të kem kohë të lirë do të vij patjetër si mysafir. Një falënderim kam për tifozët e Rapidit, ata janë më të mirët në botë!
