Fraholli: Naftëtari, ende në lojë për vendin e parë
Trajneri kuçovar, Barjam Fraholli, nuk e fsheh zhgënjimin për barazimin me Partizanin, por beson për ngjitjen në kategorinë e parë
Stafi teknik i Naftëtarit ka qenë mjaft i zhgënjyer pas barazimit pa gola me Partizanin të dielën që shkoi. Trajneri Barjam Fraholli thekson se skuadra nuk dha atë që pritej në fushë, duke shprehur rezerva jo vetëm për rezultatin, por edhe paraqitjen e të tijve. Njëkohësisht, trajneri kuçovar thotë se në atë ndeshje ndikoi edhe gjykimi, që me ndalesat e shumta e frenonte lojën e Naftëtarit.
Gjithsesi, ai beson në arritjen e objektivit, me apo pa ndeshjes shtesë: ”Sigurisht që jam i zhgënjyer nga rezultati i ndeshjes me Naftëtaritn, pasi na bënte punë vetëm fitorja. Kërkuam pikët maksimale në një ndeshje përcaktuese, por nuk ia arritëm qëllimit. Mendoj se Naftëtari çaloi në veprimet taktike, por edhe sepse futbollistët ishin të ngarkuar psikologjikisht dhe nuk mundën të dilnin në lojën e tyre.
Jo vetëm ne si staf teknik, por edhe gjithë opinioni sportiv kuçovar, kërkonte fitoren, ndaj dhe na vjen keq që nuk e arritëm. Kemi gabuar në ndeshjen më të rëndësishme, që do të na kishte dhënë vendin e parë në grupin tonë, që do të thotë kalim direkt në kategorinë e parë. E pranojmë se luajtëm dobët, ndërkohë që jemi të pakënaqur edhe me gjykimin. Mendoj se u penalizuam nga vendimet e gjyqtarit, që në shumë raste e ndalte pa shkak sulmin e Naftëtarit. Ishte një gjykim që favorizoi jo pak skuadrën mike.
Ishte vërtet një ndeshje e rëndësishme, së cilës federata i kishte kushtuar një vëmendje të veçantë, gjë që fatkeqësisht nuk ndodh në ndeshje të tjera. Naftëtari është ende në lojë dhe do të bëjmë përpjekjet tona për ngjitjen në kategorinë e parë. Asgjë nuk ka përfunduar. Jemi përsëri një pikë pas vendit të parë dhe mund të ketë ndonjë mundësi tjetër për ta kaluar Partizanin. Duhet të bëjmë detyrën në ndeshjet e ardhshme, duke pritur ndonjë gabim të Partizanit, ka thënë trajneri Fraholli.
