Luftëtari kërkon të sigurojë titullin sa më parë
Pas fitores së thellë me Gramshin, gjirokastritët duan 3 pikët edhe në Ersekë, për tu afruar edhe më shumë me suksesin e dyfishtë
Luftëtari siguroi fitoren e 13-të në këtë kampionat në fushën e tij, ndërsa sulmuesi Arlind Nora realizoi tregolëshin e parë në fitoren
4-1 me Gramshin, ku humbi edhe një tjetër 11-metërsh. Kështu, diferenca me vendin e dytë ka mbetur 6 pikë, ndërkohë që gjirokastritët kanë përpara transfertën me Gramozin mik, që vjen pas shpartallimit në Lezhë dhe do të kërkojë të bëjë autokritikë. Trajneri Nevil Dede ka nisur dje përgatitjet për këtë transfertë në fushën sportive Lefter Millo, në Dervician, ndërkohë që para seancës së parë është bërë edhe analiza e ndeshjes së fundit.
Të pranishëm ishin të gjithë futbollistët, të cilët janë mjaft të motivuar për ta ruajtur kreun në 4 javët e fundit të kampionatit. Luftëtari, përveçse me Gramozin, do të luajë edhe me Kukësin jashtë fushe javën e parafundit, ndërsa në Gjirokastër do të presë Adën dhe Mamurrasin. Të paktën në fushën e tyre, gjirokastritët janë të vendosur për të mos lënë asnjë pikë, por për të siguruar titullin kampion të kategorisë së parë duhen pikë edhe jashtë, të paktën një e tillë.
Nora Në fitoren e thellë me gramshiotët pa dyshim që Strati dhe Nora ishin dy pratogonistët, dy autorët e golave. Sulmuesi Arlind Nora e gjeti tri herë rrugën e rrjetës, ndërkohë që humbi edhe një 11-metërsh, por ai kërkon ta ndajë suksesin me të gjithë: Jam shumë i gëzuar, sepse një lojtar nuk shënon shpesh tre gola në një ndeshje. Por, merita është e gjithë ekipit, që luajti një ndeshje shumë të bukur, si dhe e stafit teknik.
Ishte një sukses i të gjithëve, ndërsa unë bëra detyrën time. Në fushën tonë nuk do të shpërdorojmë asnjë pikë, por tani po mendojmë vetëm për ndeshjen me Gramozin në transfertë, ku objektivi ynë është tripikëshi, që do na afronte shumë me titullin kampion të kategortisë së parë. Shpresoj që të shënoj edhe në këtë ndeshje, ka theksuar sulmuesi gjirokastrit, shënuesi më i mirë i Luftëtarit, me 17 gola.
