E Shtunë, 31 Tetor 2026

Luftëtari, në Skrapar është edhe çështje imazhi

Nga SOKRAT PAPADHOPULLI

Shanset për fitore janë të mëdha, por, cilido qoftë rezultati, rëndësi ka që të mos e zbehin atë që kanë arritur deri tani

Luftëtari ka humbur vetëm 2 ndeshje në transfertë, me Besëlidhjen dhe me Gramshin, ndërkohë që është ndarë në barazim me Besën, kurse në 13 përballjet e tjera ka fituar. Ndeshjen e radhës e ka me Skraparin, që në Gjirokastër e ka mundur 2-1, por tani dueli ka vështirësi më të mëdha, sepse në shumë raste faktori fushë luan një rol  të konsiderueshëm për ekipin vendas.

Ka raste, madje edhe në ndeshjet e rangjeve më të larta (rasti më i freskët dhe ndër më të bujshmit në ndeshjen MilanJuventus), që gjyqtarët e nxjerrin rezultatin si e duan vetë, me dashje apo pa dashje, për  interesa ose gabimisht.  Nuk duhet të paragjykojmë, por, duke pranuar se ndeshja do të zhvillohet normalisht dhe do të gjykohet po ashtu, mundësitë më të shumta janë që Luftëtari të fitojë 3 pikët.

Luftëtari ka në dorë që të luajë me kujdes në mbrojtje dhe me agresivitet në sulm, ku finalizimet kanë çelësin e suksesit. Ky ekip disponon Norën dhe Raboshtën, që kanë mjeshtëri në goditjen e rrjetave kundërshtare, ndërkohë që nuhatje për to kanë edhe  Mersini, Baci, Çaço, Sinani, Devolli dhe Ramadani, gjë që e kanë  treguar përderisa kanë shënuar. Mund të shënojë edhe dikush tjetër, fjala vjen Stoja, por fitorja mund të arrihet edhe me autogol.

Sipas statistikave, Luftëtari rezulton të ketë sulmin më të mirë, me 30 gola, të ketë mbrojtjen e dytë më të mirë, me 9 gola, pas Besëlidhjes që ka pësur 7. Janë këta tregues, që duan të thonë se Luftëtari duhet të fitojë me Skraparin, që ka realizuar 13 gola  dhe ka pësuar 23 të tillë. Por, në radhë të parë fitorja e 14-të për të do të realizohet falë asaj që do të prezantojë në tapetin e Skraprit, që flitet se është një ferr i vërtetë, kështu që forca fizike dhe mendore e lojtarëve të të tij kanë fjalën kryesore në këtë përballje.

Ndeshja ka rëndësia e vetë për të dyja palët. Luftëtari do të fluturonte me një fitore, kurse Skrapari do të shtonte mundësitë për të qëndruar në kategorinë e parë. Rezultati mund të zgjidhet edhe në mënyrë episodike, por, pavarësisht kësaj, rëndësi ka që Luftëtari të mos e zbehë imazhin e tij, që e ka skalitur deri tani me aq mund dhe sakrifica.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›