E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapiteni Poçi: Besa, e ndaluar të gabojë në Kukës

Nga Leonard Dushku

Kapiteni i ekipit kavajas, Artion Poçi, thekson se për transfertën e së shtunës nuk mendohet asnjë rezultat tjetër, përveç fitores   

Besën e pret të shtunën një ndeshje shumë e vështirë në Kukës me ekipin vendës, që është një rival i drejtpërdrejtë në luftën për në superligë. Kavajasit nuk bindën me Adën, edhe pse fituan të shtunën që shkoi, kështu që një fitore e mundëshme me Kukësin do të rregullonte shumë gjëra.

Vështirësitë shtohen për Besën edhe nga fakti se Kukësi vjen pas një humbjeje, por futbollistët e saj me më shumë përvojë besojnë se do ta kalojnë me sukses këtë provë delikate. Ai që shpreh besimin për fitore në fushën e Kukësit është kapiteni i ekipit, Artion Poçi, i cili mendon se për Besën nuk vlen as barazimi, kështu që të gjithë ata që do të luajnë do ti shkarkojnë të gjitha bateritë në fushë.

Për Sportin shqiptar, mes të tjerash, ai thekson: “Besa ndodhet në një pozicion të tillë, ku çdo pikë e lënë mund ti kushtojë shumë shtrenjtë në fund të kampionatit, kur të bëhen llogaritë. Në këtë situatë, kudo që luajmë dhe ndaj çdo kundërshtari, jemi të detyruar të luajmë vetëm për fitore. Kukësi qëndron më lart se ne në tebelë dhe kemi rastin që ti afrohemi me pikë.

Duhet ta mundim këtë rival, që duhet respektuar për vlerat që ka, por nuk mendojmë rezultat tjetër veç fitores, nëse duam ta arrijmë objektivin që kemi përkëtë sezon. Do ta quaja një ndeshje jetike dhe, si e tillë, nuk na lejohet të hedhim hap fals.

Besa duhet të ngjitet direkt në superligë dhe jo me ndeshje shtesë, ndaj dhe të gjithë përpjekjet tona do të jenë për të qenë në dyshen e parë të renditjes në finish, ka thënë dje mesfushori fierak, që shpesh merr situatën në dorë dhe e udhëheq ekipin e tij drejt fitores. Përvoja e Poçit ka qenë vendimtare në shumë ndeshje, por kuptohet që i vetëm ai nuk mund ta fitojë një ndeshje.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›