Merxha: Elbasani sfal askënd në Ruzhdi Bizhuta
Kapiteni i verdhebluve, Eriol Merxha, shprehet se Besëlidhja është më mirë të mendojë për ndeshjen e javës së ardhshme
Skuadra e Elbasanit po punon shumë seriozisht për ndeshjen me Besëlidhjen, që do ta luajë në Ruzhdi Bizhuta këtë fundjavë. Kjo ndeshje është po aq e rëndësishme sa derbi për skuadrën verdheblu, sepse ka përballë një rival direkt. Motivimi i futbollistëve është mjaft i madh edhe për faktin se fazën e parë lezhjanët i kanë mundur thellë, 4-0. Po vjen momenti i hakmarrjes, por më shumë fitorja i shërben objektivit të verdhebluve, të cilët duken ndryshe në fazën e dytë.
Merxha Kapiteni i skuadrës, Eriol Merxha, shprehet se ndeshja me Besëlidhjen ka rëndësi të veçantë, sepse fitorja ka vlera të dyfishta. Sipas tij, një fitore plotësisht e mundëshme me lezhjanët, do tia hapte rrugën Elbasanit për superligën, ndaj dhe të gjithë do të bëjnë përpjekjet maksimale, që ky shans të mos u ikë nga duart. Merxha beson se Elbasani do të bëjë ritualin e zakonshëm në stadiumin Ruzhdi Bizhuta, ku ka vetëm fitore:
Ndeshja e radhës është shumë e rëndësishme për vetë faktin se presim një rival të drejtpërdrejtë dhe nuk mund të gabojmë në fushën tonë. Fitorja me Besëlidhjen do të na krijonte shanse për të qenë në superligë direkt, ndaj dhe do tia bëjmë hyzmetin këtij 90-minutëshi. Nuk llogarisim rezultat tjetër veç fitores, sepse luajmë në fushën tonë, ku jemi të pamposhtur ka theksuar kapiteni Merxha.
Lezhjanët Më tej, ai pohon se lezhjanët është më mirë të mendojnë për ndeshjen tjetër dhe jo këtë me Elbasanin, duke nënkuptuar një fitore te sigurt të skuadrës së tij: U them lezhjanëve që të mos mendojnë për këtë ndeshje, por të shohin për atë të radhës. Fitorja përballë tyre do të tregojë forcën tonë reale. U bëj thirrje të gjithë tifozëve elbasanas të vijnë në stadium për ta mbështetur skuadrën, pasi kemi vërtet nevojë për ta. Elbasani është edhe i tyre.
