Tri aksione të dështuara në një strategji elektorale
Strategjia e së majtës, në përgjithësi, dhe e Ramës, në veçanti, për t’iu qasur fitores në zgjedhjet e pritshme mund të përmblidhet në tre aksione politike lehtësisht të perceptueshme. Aksioni i parë: ngjitja e çarjes që ka nisur këtu e afro një dhjetëvjeçar të shkuar me ndarjen e bijës LSI nga PS-ja, partia “mëmë e dytë”, çka u thellua me hyrjen e saj në koalicion me të djathtën, në zgjedhjet e 2009-s. Le ta quajmë aksioni i rilindjes së PS-së së parë, të 1991-së. Aksioni i dytë: afrimi i mundshëm i partive të vogla të së majtës dhe të së djathtës, të pakënaqura nga PD-ja e PS-ja, në një të ashtuquajtur pol i tretë, i cili do të shërbente si balancues mes dy partive kryesore. Synimi i liderit opozitar Rama ishte akaparimi i polit të tretë për hir të rrotacionit politik, e vetmja shpresë për të fituar. Aksioni i tretë: mohimi i gjithçkaje të arritur gjatë qeverive të kryesuara nga Kryeministri Berisha, prej 2005-s e këtej. Ky aksion e ka futur Ramën në një rrugë pa krye, për shkak se një pjesë e rrathëve në tabelën e qitjes, madje ata më afër qendrës, i përkisnin partnerit të ri politik të PS-së, LSI-së.
Çështja e sherreve brendapërbrenda PS-së dhe së majtës në përgjithësi, lidhur me listat e kandidatëve për deputetë, i ngjan hungërimit të qenve që futin turinjtë në një çanak.
Rruga për kapërcimin e përçarjes, domethënë aksioni i bashkimit të dy forcave kryesore të së majtës, u projektua qysh në darkën e ashtuquajtur “të ngjalave”, çka e ka pohuar me gojën e vet lideri i PS-së, zoti Rama. S’ka dyshim që piketat e gabuara për të marrë pushtetin në tavolinë me anë intrigash politike, do të jenë hedhur në eufori e sipër, nën efektin e shijes së ngjalave dhe të avujve të verës së konsumuar. S’ka dyshim, gjithashtu, që, bash ajo darkë fatale, do të ketë qenë njëherësh edhe pikënisja e tatëpjetës për koalicionin e projektuar në fshehtësi nga dy liderët e së majtës, Rama e Meta. Siç dihet, intriga nuk funksionoi as në rrafshin teorik, as në atë praktik. Nga njëra anë, për arsye që dihen tashmë, elektorati i majtë nuk e priti mirë afrimin PS - LSI, me gjithë shpjegimet e sforcuara që u përpoq të jepte Rama, shpesh herë kontradiktore ose të gjetura keq. Nga ana tjetër, largimi i LSI-së nga koalicioni qeverisës në prag të fushatës elektorale, nuk i dha frytet që prisnin dy liderët e koalicionit të ri. Llogaria e tyre për të lënë në pakicë Kryeministrin Berisha dhe qeverinë e tij rezultoi e gabuar, falë kohezionit të PD-së me partitë aleate të saj, tradicionalisht të djathta, falë edhe përgjegjësive politike e atdhetare që morën përsipër deputetë të pavarur të PS-së, protagonistë të luftës për ta rikthyer partinë e tyre në binarët e politikës së vërtetë. Mesa duket, ka dështuar përfundimisht edhe intriga tjetër për të nxjerrë jashtë loje KQZ-në, duke keqinterpretuar ndonjë sinjal diplomatik që, për fat të lumtur, s’pati jetë të gjatë, por u sqarua nga vetë diplomatët përkatës, të cilët ose u ngutën, ose u gjendën përballë befasisë së mosnjohjes në imtësi të ligjeve tona. Në vend të ngjitjes, Rama shkaktoi shkërmoqjen e mëtejshme të së majtës, jo vetëm sepse dy gjela në një pleh nuk mund të kakarisin, por sepse dëshira e liderëve të tjerë të atij krahu politik për të kakarisur, sa vjen e shtohen.
Aksioni i dytë, pjesë e strategjisë së Ramës për të ardhur në pushtet, ishte tentativa në prapaskenë për krijimin e polit të tretë. Dështoi edhe ky aksion i prapaskenës, i cili do të tentonte afrimin e partive të vogla, ku më e madhja do të ishte LSI-ja me një përqindje elektorale që e kapërcente barrierën ligjore për të qenë parti parlamentare. Në të vërtetë, portën e dështimit e çeli vetë lideri socialist nën euforinë e verës dhe të dhjamit të ngjalave, duke mos ditur të përdorë në çastin e duhur çelësin kopil, LSI-në e Metës. Edhe në këtë rast, si shkak i mundshëm, mund të konsiderohet euforia e darkës me ngjala të dhjamura dhe me verë të markave të shtrenjta, të denja për një pasanik si mikpritësi, ndërkohë që përvoja e hidhur italiane ishte evidente. Për një qime, ndoshta, vendi ynë do të kishte hyrë në një udhëkryq me shumë dalje, siç hyri Italia pas zgjedhjeve të shkurtit të kaluar, asnjëra në dobi të secilës ndër palët konkurruese, asnjëra në dobi të rotacionit aq të dëshiruar nga e majta jonë e përgjëruar për pushtet. Tashmë rrotacioni, i cili do të ishte i besueshëm me një pol të tretë në tryezën e ndarjes së gjësë, është i vetmi argument me të cilin paraqitet Rama në botën e jashtme. Kështu, në Vjenë, i ftuar nga një prej miqve të tij me një farë reputacioni artistik. Kështu në Kopenhagë, i pritur nga Kryeministrja daneze me ndërmjetësinë e kushedi se kujt. Kështu në Londër, i pritur privatisht nga ish lideri i së majtës britanike. Përveç skandalit të Vjenës, ku Rama pati përballë edhe gazetarë, edhe diplomatë, edhe intelektualë të rrafsheve të ndryshme politike, nuk kemi parë ndonjë konferencë shtypi të tij me mikpritësit, siç zakonisht ndodh në botën e qytetëruar kur pritet ndonjë lider opozite. A thua në një pritje formale fillon e mbaron mbështetja e aksh institucioni europian ose e aksh lideri, qoftë ky edhe me përmasat e një kryeministri, për pretendimet kryeministrore të Ramës? Keqpërdorimi i etikës politike të shprehur nga liderë të huaj të të njëjtit krah politik e ul liderin e opozitës sonë, në vend që ta lartësojë.
Aksioni i tretë, siç e thashë pak më lart, e ka futur Ramën në një rrugë pa krye. Sulmi ndaj Kryeministrit Berisha dhe mohimi i gjithçka është arritur në këta vjet, është shndërruar në një bumerang të vërtetë, që, sa herë hap gojën zoti Rama, aq herë merr goditje politike vdekjeprurëse. Të godasë shëndetësinë, bumerangu kthehet e u bie përpara Metës, Vasilit e Tavos, që, pastaj, të përfundojë mbi Ramën. Të flasë për ekonominë, tregtinë dhe energjetikën, ca më keq. Pa ditur ç’ flet, ka filluar të flasë për rrugët dhe për buzë-greminën ku, sipas tij, e ka çuar vendin qeveria Berisha e, më pas, ajo Berisha - Meta. Po të ndjekësh itinerarin e tij për të paraqitur qark më qark listat e kandidatëve për deputetë, kontradikta me vetveten është lehtësisht e lexueshme. Mbyllur në autobusin vjollcë me ca gazetarë dhe bashkëpunëtorë të afërt, harron se udhëton bash në ato rrugë që mallkon në udhëtim e sipër, harron se kamerat regjistrojnë pamje me fusha të mbjella e të lulëzuara, me qytete që kanë marrë tashmë pamje perëndimore, me fshatra ku kanë mbirë vila të mrekullueshme dy-tri-e-mëshumëkatëshe, ku spikasin komplekse industriale që pohojnë të kundërtën e propagandës bajate të zotit Rama. Bumerangu, në këtë udhëtim elektoral është i pranishëm sa herë ai hap e mbyll gojën.