E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lugina e Preshevës, PS thirrje për uljen e tensioneve ndëretnike

Partia Socialiste ka shprehur shqetësimin e thellë për rritjen artificiale të tensioneve politike në prag të zgjedhjeve në Serbi, ndërsa ka bërë thirrje për uljen e tensioneve ndëretnike në Luginën e Preshevës. Reagimi ka ardhur sot permes nje deklarate per shtyp, ku PS ka tërhequr vëmendjen për shmangien e rikthimit të retorikës e praktikave serbe të pak viteve më pare.
 

“Partia Socialiste ndjek me vëmendje zhvillimet politike në Luginën e Preshevës dhe shpreh shqetësimin e thellë për rritjen artificiale të tensioneve politike në prag të zgjedhjeve në Serbi.
 

Bastisjet e arrestimet e shqiptarëve në afërsi të Bujanovcit dhe proceset e montuara polikisht, si dhe zhvillimi i zgjedhjeve në atmosferën e frikës, panikut e presioneve, vënë në diskutim standardet demokratike ndërkombëtare për respektimin e të drejtave të njeriut të detyrueshme për çdo vend.
 

Partia Socialiste bën thirrje për uljen e tensioneve ndëretnike dhe paralajmëron për rrezikun që vjen nga rikthimi i retorikës e praktikave të pak viteve më parë, të cilat dëmtojnë rëndë harmoninë ndëretnike dhe pengojnë bashkëpunimin rajonal, si një element i rëndësishëm edhe për proceset integruese euro-atlantike të rajonit”thuhet në deklaratë.
 

Më tej Partia Socialiste shpreh mbështetjen e saj të plotë për faktorin politik shqiptar në përpjekjet e tij për përballimin me maturi e pjekuri të provokimeve dhe të tentativave për zbrazjen e Luginës së Preshevës nga shqiptarët.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›