E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lugina e Preshevës, urë lidhëse mes Perëndimit dhe Lindjes



Kosova Lindore, siç e quajnë nacional-romantikët apo Lugina e Preshevës, emërtim kryekëput amerikan, që u pagëzua gjatë periudhës së konfliktit mes UÇPMB-së dhe forcave ushtarako-policore e paramilitare serbe, është sfida më e rëndë kombëtare për politikanët e këtij rajoni, por edhe për politikën shqiptare në përgjithësi. Ky problem gjeneron nga kohërat më të lashta, mirëpo gjatë periudhave të ndryshme historike kishte pasur baticat dhe zbaticat e saj. Rajoni njihet si vendbanim i lashtë ilir (dardan), por ja që historia e kishte përcaktuar fatin e këtij vendi të jetë ende nën sundimin dhe kontrollin e serbëve. Historiku i problemit Lugina e Preshevës administrativisht ishte ndarë nga Kosova në vitin 1945 prej komunistëve jugosllavë në shkëmbim të dy komunave në veri të Kosovës, me Leposaviqin dhe Zubinpotokun, të cilat në atë kohë kishin popullsi me shumicë sllave. Qëllimi i kësaj ndarjeje ishte copëzimi i trungut shqiptar dhe defaktorizimi i tyre, si në aspektin politik, por edhe nacional. Lufta e fundit në vitin 1999 në Kosovë, por edhe ajo e vitit 2001 në Luginë, sikur filloi të ndërgjegjësonte klasën politike shqiptare se pas shpërbërjes së Jugosllavisë, populli shqiptar duhet të organizohet në mënyrë që të vetëvendosë për fatit e vet. Tani kur Kosova është në procesin e shtetbërjes dhe po bën përpjekje të shtuara që të funksionojë si tërësi sovrane, problemi i Luginës, edhe pse ishte ndërkombëtarizuar gjatë periudhës së konfliktit të vitit 2001, duket se ka mbetur nën hije dhe deri më tani, si faktori shqiptar, por edhe ai ndërkombëtar, nuk është duke i kushtuar vëmendje të duhur. Kjo indiferencë e këtyre faktorëve ka motivuar qeverinë e Serbisë të shtojë përpjekjet e saj që me forma të ndryshme të destabilizojë situatën në Kosovë, por edhe në Luginë. Rasti i fundit i arrestimit të 10 shqiptarëve, keqtrajtimi i tyre dhe i familjeve të tyre tregon më së miri se kursi i politikës serbe ndaj shqiptarëve ka ndryshuar shumë pak. Kosova Lindore dhe Veriu i Kosovës, Beogradi “me mjete diplomatike e demokratike” dëshiron t’i mbajë në tension, por edhe Luginën, në mënyrë që të krijohet bindja para bashkësisë ndërkombëtare se shqiptarët janë problemi, e jo që problemi i tyre të zgjidhet. Qeveria serbe kryesisht është përqendruar në Veriun e Kosovës ku popullsia është sllave, por herë pas here aktivizon edhe problemin e Luginës së Preshevës për nevoja të veta ditore në dëm të popullsisë autoktone. Qëllimi i kësaj politike është “që me një të gjuajtur të vrasë dy herë”, pra që Veriu i Kosovës të ndahet dhe të bëhet pjesë e Serbisë, por në të njëjtën kohë edhe Lugina e Preshevës të mbetet pjesë e saj. Nuk ka dyshim se politika serbe ka për qëllim krijimin e situatës së përhershme konfliktuoze dhe të paperspektivë në Luginë, me intencën të shpërnguljes së kësaj popullate, në mënyrë që njëherë e përgjithmonë këtë regjion ta zhbëjnë nga shqiptarët. Angazhimi i Beogradit shkon në drejtim të ndarjes së këtyre territoreve me interes të përvetësimit të tyre, sepse dihet rëndësia ekonomike, gjeopolitike dhe gjeostrategjike e këtyre rajoneve. Vlen të përmendet se gjatë bisedimeve për statusin e Kosovës, “Ekipi Kosovar”, përkundër përpjekjeve të saj për t’u treguar shumë bashkëpunues me bashkësinë ndërkombëtare, ajo kishte bërë disa gabime trashanike për Kosovën. Pranimi i ngutshëm i “Planit të decentralizimit” dhe krijimi i “zonave eksterritoriale serbe” përreth manastireve dhe kishave ishte një lëshim shumë serioz, që në të ardhmen do të ketë pasoja të dukshme për shtetin e Kosovës. Këto të ashtuquajtura “zona serbe” po krijojnë telashe edhe sot e kësaj dite në funksionimin e shtetit si vend demokratik e sovran. Një vit pas shpalljes së pavarësisë, qeveria e Prishtinës ende nuk ka mundur të shtrijë autoritetin e saj nëpër këto vendbanime. Tani, këto “zona” apo “kantone” funksionojnë si autonome, ku shumica e shërbimeve të shtetit serb, duke filluar nga posta, shërbimet e rrymës, por edhe siguria funksionojnë pa u penguar fare. Rasti më eklatant është Brezovica, ku serbët lokalë menaxhojnë pasuritë e shtetit të Kosovës, duke mos i dhënë llogari askujt. Po ashtu, kemi raste të ndryshme edhe nëpër vendbanimet e tjera, si në Anamoravë, Gorazhdec, Graçanicë, pjesën veriore të Kosovës etj. Qeveria e Kosovës, përveç politikës deklarative dhe mediatike, deri më tani nuk ka ndërmarrë asnjë hap serioz në shthurjen e këtyre organeve paralele. Ndërsa, në pjesën veriore të Kosovës as që ka tentuar të shtojë ndonjë masë për të normalizuar gjendjen shtetërore. Tani, ajo pjesë e Kosovës kontrollohet nga pushteti i Serbisë dhe është shndërruar në “zonë krimi e kontrabande”. Gafa tjetër e “palës kosovare” është “Plani i Ban Ki Munit” me gjashtë pikat e aprovuara në Këshillin e Sigurimit, sepse përveç hedhjes deklarative të këtij plani nga pala kosovare, asgjë më tepër nuk është punuar në këtë drejtim. Sipas shumë analistëve, ky plan përfundimisht në formë “tinëzare e të butë” e ndan Kosovën në dy zona administrative, në të ashtuquajturën “Kosovën serbe” dhe “Kosovën kosovare”. Aty ku jetojnë serbët do të vlejnë ligjet e Serbisë të modifikuara me ligjet e UNMIK-ut, ndërsa për “Zonën kosovare” do të vlejë Kushtetuta e Ahtisarit dhe EULEX-i. Pra, sipas tij, do të ketë një ndarje “të butë administrative” dhe duhet të kalojë pakëz kohë që aktorët politikë të pranojnë faktet e kryera në terren. Për fat të keq, kjo lojë është duke u zhvilluar në heshtje dhe janë duke u zhvilluar negociata për kinse “probleme teknike”, e në fakt janë më shumë se teknike. Derisa Beogradi është duke punuar me kapacitete të shtuara që në fazën e parë të përfitojë “ndarjen e Veriut të Kosovës”, por njëkohësisht edhe të “kontrollojë rreptë Luginën e Preshevës” me të gjitha mjetet, në anën tjetër qeveria e Prishtinës deri më tani nuk ka ndërmarrë ndonjë hap që do të pengonte zbatimin e kësaj politike. Dihet se Beogradit më së paku i interesojnë serbët e Kosovës, ai është i interesuar vetëm për grabitjen e territoreve dhe asgjë më shumë. Lufta serbe për këto territore vazhdon me “mjete diplomatike” nëpër kuluaret botërore dhe në forma të ndryshme. Beogradi e ka të qartë se Veriu i Kosovës është zona më e pasur në Evropë me xehe nëntokësore dhe jo rastësisht luftohet për këtë pikë strategjike, ndërsa Lugina ka xehe mbitokësore (Korridorin 8 dhe kanalin detar që planifikohet të ndërtohet). Pozita gjeostrategjike, në anën tjetër: Lugina e Preshevës është nyje kryesore e lidhjes së Gadishullit Ballkanik me Portin e Selanikut dhe Lindjen e Afërme, sidomos me Stambollin. Kjo nyje është një pasuri e madhe, sepse aty kalon Korridori 8 që lidh Evropën Perëndimore me Azinë. Tani ky korridor është duke u ndërtuar dhe është më i frekuentuari në rajon, sepse aty kalon autostrada dhe hekurudha për Greqi, Maqedoni dhe Turqi. Me miliona euro derdhen në buxhetin e Serbisë, si për qarkullimin e automjeteve dhe mallrave të ndryshme, por edhe tatimeve të ndryshme që paguhen në kufi. Pra, jo rastësisht Beogradi ka zgjedhur këto dy zona për t’i shfrytëzuar dhe mbajtur si pjesë të saj. Elita politike shqiptare duhet të këndellet sa më shpjet dhe të mendojë se politika nuk është vetëm togfjalësh i deklaruar nëpër media, por ajo është interes i shumëfishtë, ajo ndërtohet mbi interesat ekonomike dhe të tjera, si dhe të punojë në mënyrë që ky rajon të mos shndërrohet në interes të Beogradit, por të shndërrohet në interes të Kosovës dhe shqiptarëve. Duhet theksuar se sot, kush e kontrollon kanalin e Suezit, e mban në duar ekonominë e Lindjes së Mesme; kush e mban në duar Gjibraltarin, e ruan portin hyrës të Mesdheut; kush e kontrollon grykën e Bosforit ka dalje në Detin e Zi. Edhe Beogradi e di mirë se kush do ta ruajë kontrollin mbi Luginën e Preshevës, nga ku do të kalojë jo vetëm trafiku tokësor, por edhe ujor, do të kontrollojë edhe rajonin. Sipas planeve serbe, së shpejti planifikohet të ndërtohet një kanal prej Moravës Jugore deri në lumin Vardar dhe kështu të dilet në Portin e Selanikut. Ky plan dëshiron që t’i bëjë të parëndësishme portet shqiptare, malazeze dhe kroate. Prandaj, janë momentet e fundit që elitat politike shqiptare si në Luginë, Maqedoni, Kosovë e Shqipëri të zgjohen nga amullia dhe të hartojnë një plan të përbashkët në mënyrë që të pengojnë realizimin e skenarëve serbë për këto rajone dhe në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar t’i mundësohet integrimi i tyre në trungun e vet, në Kosovë dhe pastaj të punojnë për integrime në projektin e Evropës së Bashkuar, ku të gjithë popujt do të kenë të drejta të barabarta, perspektivë të njëjtë, zhvillim ekonomik dhe jetë të mirë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›