Serbia, midis ambicies e ankthit
Serbia e nisi vitin e ri me një frymë shprese. Sinjale pozitive kanë ardhur nga Brukseli dhe qeveria ka deklaruar synimin e saj për të shpejtuar procesin e integrimit në BE më 2009.
Megjithatë, vetëm pas disa ditësh që kishte hyrë janari, shpërtheu një krizë pune, duke treguar se rruga përpara ka akoma shumë pengesa. Përveç atyre të mirënjohura, të tilla si domosdoshmëria e arrestimit të ish-prijësit të luftës, serbit boshnjak Ratko Mlladiç, autoritetet mund të ndeshen me disa të tjera që nuk i presin.
Të zemëruara lidhur me një premtim të pambajtur për të rritur pagat, sindikatat e mëdha serbe kanë kërcënuar të bëjnë grevë. Qeveria, mbështetur nga përfaqësuesit e sektorit të biznesit thotë se rritjet nuk janë më të mundshme për shkak të krizës globale ekonomike, efektet e së cilës kanë pasur një ndikim të madh në ekonominë serbe. Në të tilla kushte, thonë autoritetet, pagesa më të larta për disa do të thotë pushime nga puna për të tjerë.
Megjithatë, sindikatat thonë se kontrata që premtoi ngritjet u nënshkrua në nëntor, kur fusha e veprimit të krizës globale tashmë dihej dhe ato nuk do të pranojnë shpjegimet e qeverisë.
Duke lënë mënjanë çështjen e pagave, kriza ekonomike globale ka shërbyer tashmë si një arsyetim për heqjen nga puna të disa mijëra punëtorëve gjatë ditëve të fundit të 2008-s. Disa tremben se “Fiati” i Italisë, i cili ka në plan të investojë 700 milionë euro në industrinë serbe të makinave, mund të heqë dorë nga marrëveshja për shkak të ngjarjeve në tregjet globale. Po të realizohet kjo frikë, Serbia do të mbetet pa një investim që mund të rigjallëronte ekonominë e saj.
Serbisë gjithashtu do t'i duhet të ndeshet me një rënie prodhimi dhe një rënie në normën e rritjes së PKB-së, e cila në vend të asaj të parashikuar prej 6%, llogaritet tani në një shifër modeste prej 2.5% për vitin e ri.
Konflikti politik
Në skenën politike, dy partnerët më të mëdhenj në koalicionin në pushtet, Partia Demokratike dhe G17 Plus u përleshën në fund të vitit të shkuar lidhur me shitjen e kompanisë serbe të naftës NIS tek Gazpromi i Rusisë. Shumë analistë e shohin shitjen si përshkallëzim të tensioneve ndërpartiake që ekzistonin tashmë. Konflikti shkoi deri atje sa publiku spekuloi në lidhje me mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme apo ristrukturim të qeverisë.
Megjithatë, Kryeministri Mirko Cvetkoviç, një zyrtar i Partisë Demokratike, tha se një riorganizim i qeverisë nuk ishte duke u konsideruar për momentin. “Zgjedhjet e parakohshme gjatë krizës ekonomike do të ishin zgjidhja më e keqe”, - këmbënguli ai. Serbia "duhet të hyjë në ujëra më të qeta politike, me kompromisin dhe stabilitetin si fjalë kyçe, në vend të konflikteve, ndarjeve, fushatës dhe zgjedhjeve", - tha Cvetkoviçi.
Shpresat për në BE
Stabiliteti politik do të rritej mjaft në qoftë se qeveria arrin suksese të mëdha këtë vit me axhendën e saj evropiane. Një pengesë e madhe mbetet, megjithatë, dhe ajo është dështimi deri tani për të arrestuar Mlladiçin dhe bashkëpunëtorin e tij të krimeve të luftës, Goran Haxhiç.
Ndonëse 26 vende anëtare të BE-së janë në favor të vazhdimit të integrimit evropian të Serbisë, Holanda thotë se do të vazhdojë të bllokojë procesin derisa Mlladiçi të dorëzohet në gjykatë.
Rasim Ljajiç, i cili kryeson këshillin kombëtar të vendit për bashkëpunimin me Gjykatën Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), pranon se arrestimet duhet të bëhen këtë vit ose përparimi do të ngecë. Qeveria pretendon se kërkimi për Mlladiçin ka qenë më intensiv se kurrë dhe se ajo po bashkëpunon me shërbimet e huaja të inteligjencës për ta gjetur atë.
Ministri i Jashtëm, Vuk Jeremiç, i cili ishte në Bruksel javën e fundit për të diskutuar aplikimin e Serbisë në BE i kërkoi BE-së të dërgojë një mision vëzhgimi për të vlerësuar gjendjen e bashkëpunimit me ICTY. Komisioneri i Zgjerimit të BE-së, Oli Ren, ra dakord me propozimin dhe tha se do të dërgojë një mision dhe do të shkojë vetë në Beograd më 12 shkurt.
Jeremiçi tha se Serbia ka në plan të paraqesë aplikimin e saj të anëtarësimit në Bashkim deri në qershor. Ai tha se kishte folur me ministrat e anëtarëve kryesorë të BE-së dhe ata e kishin siguruar atë se qenë gati të ndihmonin Serbinë "të arrinte objektivin parësor, bërjen e një vendi kandidat të BE-së deri në fund të 2009-s".
Rasti i Mlladiçit nuk është e vetmja pengesë potenciale. Cvetkoviçi ka paralajmëruar se BE-ja është e preokupuar me vetë çështjet e saj të brendshme, veçanërisht, krizën ekonomike e vështirësitë në miratimin e marrëveshjes së Lisbonës. Si rezultat, klima e zgjerimit mund të mos jetë ideale.
Jo zbutje lidhur me Kosovën
Gati një vit pasi krahina jugore serbe e Kosovës shpalli njëanshmërisht pavarësinë, situata mbetet e pazgjidhur. Beogradi nuk ka treguar shenja se është gati t'i heqë vizë Kosovës si një betejë e humbur. Përkundrazi, ai po shton përpjekjet për të bllokuar pavarësinë në fushat ligjore e diplomatike. Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë i është kërkuar të bëjë një vlerësim dhe përfaqësuesit serbë do të kenë një mundësi për të paraqitur anën e tyre të historisë.
Serbia po bën gjithashtu përpjekje që të ndalë njohjen ndërkombëtare të shtetit të ri. Deri tani, 53 vende kanë dhënë njohjen, duke përfshirë disa nga ekonomitë më të forta të botës. Beogradi synon të sigurojë se numri nuk do të rritet ndjeshëm gjatë 2009-s.
"Unë pres presion të madh në rreth 50 shtete anembanë botës për të njohur Kosovën dhe Metohinë, duke injoruar praktikisht kështu procesin gjyqësor. Ne do të përpiqemi të shmangim, reduktojmë e ndalim këtë presion", - tha Jeremiçi.
Sado të forta të jenë fjalë të tilla, ka kufij në atë që Serbia mundet në fakt të bëjë për të ndikuar situatën. Me të vërtetë, ky është një problem potencial që prek shumicën e axhendës së qeverisë: përparimi në shumë fusha varet nga faktorë të ndryshueshëm që janë përtej kontrollit të vendit.
Si rezultat, opinioni për 2009-n mbetet i pasigurt me potencialin që ekziston si për festim dhe për pakënaqësi. Udhëheqja duket e vendosur për të bërë përpjekjet maksimale të duhura për të shmangur një vit shpresash të dështuara.