E Diel, 1 Nëntor 2026

Sekretariati: Buxheti i Tiranës u miratua



Sekretari i Këshillit Bashkiak deklaroi dje se buxheti u miratua dhe se tashmë pritet vetëm firma e kryetarit të Këshillit Bashkiak, z. Sokol Dervishaj. Ndërkohë, prefekti i Tiranës, z. Ruzhdi Keçi, deklaroi se nuk do të pranojë vendimin në rast se vjen me shumë ditë vonesë. “Sipas procedurave ligjore, prefekti certifikon ligjshmërinë e një vendimi të Këshillit Bashkiak. Brenda pesë ditëve nga miratimi i një vendimi, ai duhet të vijë në zyrën time dhe nëse unë shoh se është zbatuar ligji, atëherë e miratoj”, – tha z. Keçi.

Ai deklaroi se do të certifikojë buxhetin, në rast se është i firmosur edhe nga kryetari i Këshillit Bashkiak. “Përndryshe, vendimi quhet i pavlefshëm”, – tha z. Keçi, duke shtuar se vendimi është nul edhe nëse “vjen më shumë se pesë ditë vonesë. Nëse vjen për një, dy ose maksimumi tri ditë vonesë, unë do t’i bëj vërejtje Këshillit Bashkiak, por do ta certifikoj, nëse e zbaton ligjin. Por, nëse vjen me më shumë vonesë, unë nuk mund ta pranoj”, – tha z. Keçi.

Sekretariati

Projektbuxheti i kryeqytetit është miratuar. Kështu është shprehur sekretari i Këshillit Bashkiak, Vladimir Gjonaj, përmes një konference për shtyp në Bashkinë e Tiranës, ku deklaroi se votimi i realizuar të martën në mbrëmje në Këshillin Bashkiak ishte i rregullt dhe se buxheti duhet konsideruar i miratuar në parim.

Gonaj shtoi se nuk ishte kompetencë e kryetarit të këtij Këshilli, Sokol Dervishaj. “Në votim morën pjesë 53 këshilltarë dhe pro projektbuxhetit në parim votuan 29 këshilltarë. Votimi nuk mund të anulohet nga kryetari i Këshillit. Dervishaj në fillim e pranoi votimin dhe më vonë e anuloi atë”, - deklaroi Gjonaj.

Sekretari i Këshillit Bashkiak vazhdoi më tej deklaratën duke deklaruar se sekretaria zbardhi materialin gjatë votimit dhe numëroi votat, duke realizuar kështu detyrën që i ngarkohet sipas rregullores. “Procesverbali për votimin i përgatitur nga sekretaria është versioni i vetëm zyrtar që duhet të merret parasysh”, - tha Gjonaj.

Ndërkohë që i pyetur nga “standard” në lidhje me mosnumërimin e votave pro dhe kundër, ai u shpreh: “Votat pro, kundër dhe abstenim janë thjesht për statistikë dhe neve na mjafton vetëm numri i votave pro sipas ligjit”.

Votimi

Sipas sekretariatit, në votim kanë marrë pjesë 53 këshilltarë dhe 29 këshilltarë kanë votuar pro miratimit të buxhetit të Bashkisë së Tiranës për vitin 2009. “Në konformitet të plotë me ligjin dhe rregulloren e funksionimit, zyra e Këshillit Bashkiak ka përfunduar punën e saj edhe për këtë mbledhje, duke bërë zbardhjen e materialit të buxhetit, të miratuar për vitin 2009, të cilin ia ka vënë në dispozicion për firmë kryetarit të Këshillit Bashkiak prej të cilit presim firmën”, - u shpreh Gjonaj.

Projektbuxheti i Tiranës u rrëzua dy herë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës nga votat e këshilltarëve të PD-së dhe LSI-së. Në mbledhjen e tretë votimi u anulua për shkak të kaosit të krijuar pas votimit pro në parim të buxhetit. Dokumenti financiar nuk u arrit të votohej më pas për të marrë konfirmimin kundër apo abstenim, pasi shumë këshilltarë gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak u ngritën nga vendet, duke folur pa radhë. Kryetari i Këshillit Bashkiak që vjen nga radhët e LSI-së, Sokol Dervishaj, në atë moment e konsideroi mbledhjen të mbyllur dhe votimin të anuluar. Kjo gjë shkaktoi reagimin e Bashkisë së Tiranës që e cilësoi veprimin të turpshëm dhe të paprecedent.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›