Programi i Ullirit, aksion i rëndësishëm i bujqësisë shqiptare
Nga sipër digës së Liqenit të Tiranës, nga e cila pak vite më parë Edi Rama përmbyti disa lagje të kryeqytetit, doli dhe këndoi këngën e radhës – paratë dhe pasuritë e shqiptarëve qenkan vjedhur edhe në programin e ullirit i cili sapo ka filluar të jetësohet.
Ka kohë që Edi Rama bredh fshatrave të Shqipërisë, duke rrahur daullen e tij politike pa asnjë ide e asnjë program për fshatin.
Me politikën kundrapedale të tij dhe grupit të majtë që përfaqëson, ai herë ankohet se tokat kanë mbetur djerrë, e tash ankohet se tokat po mbillen. Herë ankohet për varfëri e herë ankohet për prodhime që nuk kanë ku shiten. Por kurrë deri më sot nuk ka ditur të thotë se cili nga programet e projektet e reformës strukturore që qeveria “Berisha” ka zbatuar në këto gati katër vjet në bujqësi, është i gabuar dhe se si ai do ta bënte ndryshe këtë reformë.
Edhe pse ka bredhur në shumë fshatra të Shqipërisë, ai kurrë nuk ka ditur të japë një mesazh se cili do të jetë programi i nesërm i PS-së për bujqësinë me të paktën tri gjëra konkrete.
Për këto inate politike, Edi Rama, ky njeri pa asnjë vizion për bujqësinë, mund të flejë me mullixhinë, por projektet e programet e sotme dhe të nesërme të kësaj mazhorance nuk do të mund t’i pengojë. Siç doli huq me kokrrat e kallirit, ka për të dalë huq edhe në zhurmën kundërshtuese për programet e ullirit.
Kryeministri Berisha ka deklaruar se në mandatin e ardhshëm qeverisës, programi më i madh e i rëndësishëm për bujqësinë do të jetë krijimi i masiveve me ullishte në Shqipëri, me së paku 20 milionë rrënjë. Ky deklarim nuk është i rastësishëm, por është në vazhdën e programit qeverisës që po mbyllet dhe të analizave që i janë bërë këtij programi.
Shqipëria është i vetmi vend në rajonin e Mesdheut me prapambetje të pajustifikueshme në zhvillimin e ullishtarisë. Nga analiza e 60 viteve të fundit, del se Shqipëria ka bërë vendnumëro. Më 1947 ajo ka prodhuar 55.4 mijë tonë ullinj. Njëzet vjet më vonë, në 1967, ka prodhuar 47 mijë tonë. Më 1987, ka kapur shifrën e vitit 1947 me 55 mijë tonë dhe në vitin 2007 është përsëri po në të njëjtën shifër të njëzet viteve më parë. Ndërkohe që në rajonin e Mesdheut, nga del 99 për qind e prodhimit botëror të ullirit, shumica e vendeve të këtij rajoni në gjashtë dekadat e fundit kanë shumëfishuar prodhimin e ullirit.
Që në fillim të mandatit qeverisës, programi i kësaj qeverie vendosi objektiv specializimin e prodhimit bujqësor në Shqipëri, duke përcaktuar parësore frutikulturën, vreshtarinë dhe ullishtat dhe duke hequr dorë nga prodhimi i çdo gjëje në vend.
Me studime dhe me skema financiare mbështetëse për fermerët, në tri vitet e fundit janë mbjellë mbi 3.5 milionë pemë të reja frutore dhe mbi një milion rrënjë ullinj. Vetëm në 2008-n, me mbështetje të fondeve buxhetore, janë mbjellë 706 ha ullishte të reja, prej të cilave 121 ha në Berat, 123 ha në Elbasan, 125 ha në Fier, 111 ha në Vlorë, 61 ha në Tiranë etj.
Në katër vitet e ardhshme do të kalojmë nga mbjelljet qindrahektarëshe në mbjellje mijërahektarëshe. Për këto arsye, me synimin dhe qëllimin për të katër – pesëfishuar numrin e ullinjve në vend, po bëhet studimi për këtë program të madh. Ky program do të bazohet në një sërë programesh e studimesh pjesore që janë kryer ndër vite, që disponohen nga strukturat e bujqësisë dhe mbi të cilat është bazuar puna e këtyre katër viteve. Mund të përmend këtu studimin e kryer në prag të viteve 1990 nga një grup prej dhjetë profesorësh e pedagogësh të ish-Institutit Bujqësor të Kamzës, studimin e kryer me fondet e programit PHARE në 2004-n, studimin e kryer para një viti nga programi i USAID-it, si dhe një sërë studimesh pjesore të kryera deri para dy vitesh nga ish-Instituti i Ullirit në Vlorë – sot Qendra e Transferimit të Teknologjive (QTTB) Vlorë.
Me vendimin e qeverisë, të 21 janarit 2008, janë vënë në dispozicion 150 mijë dollarë dhe me një tender të hapur do të përzgjidhet subjekti që do të kryejë studimin e plotë për të kapur objektivin e mbjelljes së 20 milionë rrënjëve ullinj i cili do të shtrihet së paku në krijimin e 50 mijë ha ullishta të reja.
Termat e referencës të këtij studimi janë të përcaktuara. Përveç hartografimit të sipërfaqeve që do të mbillen me ullinj, do të përcaktohen kultivarët vendas dhe ata të importit në vartësi me përshtatshmërinë e tyre në rajone të ndryshme bujqësore. Ky studim do të përcaktojë ngritjen e dy impianteve, një në Vlorë e një në Tiranë, për prodhimin e materialit bazë, që do të shërbejë për fidanë të varieteteve vendase. Studimi do të përcaktojë mbjelljet që do të kryhen nga fermerët që kanë tokë në pronësi dhe ato që do të mbillen nga sipërmarrja private në toka të lira, të refuzuara etj. Studimi do të përcaktojë rajonet për ullishtat tradicionale me 200 – 250 rrënjë për ha, ullishtat intensive me 400 – 500 rrënjë për ha, e pse jo dhe ullishtat supërintensive me mbi një mijë rrënjë për ha.
Studimi do të përfundojë brenda qershorit 2009 me qëllim që në programin buxhetor të 2010-s dhe buxhetin afatmesëm të programit tjetër qeverisës, qeveria të mbështesë fermerët dhe çdo sipërmarrës privat për të realizuar këtë objektiv.
Me datën 11 shkurt, në krye të një delegacioni me ekspertët më të mirë të ullishtarisë vendase, do të jem në Romë në takim me ministrin italian të Bujqësisë dhe presidentin e shoqatave të bujqësisë italiane për të diskutuar bashkëpunimin për këtë sipërmarrje të madhe të qeverisë shqiptare.
Edi Rama sulmon me nervozizëm të parin koncesion në bujqësi vetëm pse ky nuk është koncesion për të e oborrtarët e tij.
Për këtë koncesion është punuar për dy vjet rresht dhe ai është në përputhje të plotë me të gjitha aktet ligjore e nënligjore. Kush do, është i lirë të kontrollojë procedurat. Kërkesa e studimi për këtë koncesion është paraqitur që në 2 maj 2007. Hap pas hapi është proceduar sipas akteve ligjore e nënligjore të ligjit të koncesioneve. Përzgjedhja e kompanisë fituese është bërë pas një shpalljeje të një tenderi të hapur ndërkombëtar, të shpallur publikisht në buletinin e prokurimeve publike, në disa gazeta kombëtare dhe në tre numra rresht: 19, 20, 21 maj 2008 të një prej gazetave të huaja prestigjioze, “Herald Tribune”.
Ne jemi të vendosur të procedojmë me koncesione të tjera në ato zona e territore ku tokat nuk janë ndarë, nuk janë në pronësi, janë të lira, janë të refuzuara, janë në administrim të MBUMK-së apo të pushtetit vendor.
Por Edi Rama, sa del nga Unaza e Vogël e Tiranës, jeton me mendësinë e kooperativës së Prezës, prandaj i sulmon sipërmarrësit privatë edhe në bujqësi, e cila është rruga e vetme e zhvillimit të saj.
Në Shqipëri, edhe në bujqësi ekonomia është private, sipërmarrja është private. Fermerëve u kemi garantuar siguri të plotë për atë që kanë fituar nga ligji 7501 dhe ligji për ndarjen e tokave të ish-fermave bujqësore. Po i nxitim dhe po i mbështetim financiarisht të kultivojnë ullinj, vreshta, pemëtore e perime në fushë të hapur dhe në sera, duke ia lënë partisë së Ramës të vazhdojë përpjekjen e pararendësve të tij me moton “Lufta për bukën është luftë për socializmin”.
Veç fermerëve që do të shtojnë ullishtat, edhe sipërmarrje të tjera private ka dhe do të ketë në bujqësi, përfshi edhe dhënien me qera apo koncesion të tokave djerra, jo prona të fermerëve, jo prona të pretenduara e të vërtetuara nga ish-pronarët, me qellim që ato të shndërrohen në masive me ullishta, vreshta, pemëtore, miniferma blegtorale etj.
*Ministër i Bujqësisë