Luhaten temperaturat, fluks pacientësh në spitale

Mjekët pohojnë se ulja e menjëhershme e temperaturave ka sjellë fluks pacientësh të pazakontë. Këshillat e mjekëve
Luhatjet e temperaturave kanë sjellë fluks pacientësh në spitale. Tekat e motit bënë që brenda dy ditësh ato të bien me dhjetë gradë njëherësh dhe kjo u reflektua menjëherë tek problemet shëndetësore, sidomos tek fëmijët dhe të moshuarit. Mjekët pohojnë se kjo luhatje e madhe e temperaturave ka ndikuar në një valë të re viroze e pazakontë për këtë periudhë.
E ndërsa meteorologët pohojnë se deri në fund të javës do të kemi mot të paqëndrueshëm, mjekët japin këshilla se si të mbrohen ndaj luhatjeve të temperaturave.
Mjekët
Luhatjet e temperaturave gjatë ditëve të fundit kanë sjellë fluks pacientësh në spital. Temperaturë të lartë, këputje trupore dhe diarre: këto janë disa nga shqetësimet e fëmijëve, prej të cilëve çdo ditë paraqiten rreth 150 raste në urgjencën e Pediatrisë, në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza".
Mjekët shpjegojnë arsyet e fluksit të pacientëve dhe japin këshilla se si duhet të mbrohen nga kjo situatë. "Koha ka qenë e paqëndrueshme dhe nënat, shpesh, nuk dinë si të sillen me këto luhatje të temperaturave.
Shumica i veshin shumë fëmijët edhe kur del koha me diell, ndërsa një pjesë tjetër e prindërve neglizhojnë dhe i lënë fëmijët të veshur hollë, kur koha freskon për shkak të shirave.
E rëndësishme është që nënat t'i përshtaten kohës dhe t'i mbajnë fëmijët në kushte sa më normale", - theksojnë mjekët. Ndërsa prindërit të shqetësuar pohojnë se fëmijët e tyre po vuajnë nga temperatura e lartë dhe diarreja. "Ka rreth 5 ditë që e kam djalin me diarre dhe temperaturë. Nuk e di se çfarë ka saktësisht, pasi edhe mjekët nuk po më thonë gjë", - pohon njëri nga prindërit e pacientëve në Pediatri.
Këshilla
Mjekët kërkojnë që njerëzit të bëjnë kujdes në mënyrën e të ushqyerit dhe të veshurit, ndërsa në rastin më të parë që shohin përkeqësim të gjendjes shëndetësore të paraqiten në poliklinika. "Të mbahet higjienë maksimale dhe kujdes nga konsumimi i produkteve ushqimore jo të garantuara.
Ky është apeli që bëjnë mjekët pediatër, duke theksuar se në këto temperatura mikrobet janë të destinuara për t'u zhvilluar sa më shumë", pohojnë mjekët, duke theksuar se vënë re shumë fëmijë që kanë infeksione në zorrë për shkak të kequshqyerjes. Tashmë rekomandohen vetëm produkte të freskëta dhe të sigurta. Sipas mjekëve, fëmijët janë më të ekspozuarit ndaj këtyre infeksioneve, ndaj duhet kujdes maksimal.
Meteorologët: Mot i paqëndrueshëm deri në fundjavë
Temperaturat e ulëta do të jenë prezent në vendin tonë deri në fund të javës. Meteorologët shpjegojnë se një masë ajrore e ftohtë që ka prekur territorin tonë ka ulur temperaturat, duke i bërë ato jo normale për stinën dhe muajin në të cilin ndodhemi. Ata thonë se mbi rajonin tonë ka pasur një masë të ftohtë ajri që ka ulur temperaturat, ndërsa në malësitë e Peshkopisë dhe Kukësit kanë rënë reshje bore.
"Moti gjatë gjithë kësaj jave do të jetë i freskët, ku temperaturat mund të arrijnë deri ne 23 gradë celsius, ndërkohë që pritet të ketë një rritje në fundjave. Gjatë ditës se shtunë në orët e pasdites parashikohet të ketë reshje shiu në orët e pasdites, ndërsa e diela premton mot më të mirë", - pohojnë meteorologët.
Pas stuhisë se fundjavës, në portet e vendit është rikthyer normaliteti. Si tragetet e linjës, ashtu dhe anijet tregtare po punojnë normalisht. Vetëm peshkarexhat nuk po lejohen të dalin në det. E ndërsa shirat pritet të reduktohen ndjeshëm në zonat e ulëta dhe bregdet, temperaturat do të mbeten në këto nivele.