E Diel, 1 Nëntor 2026

Luhatja e temperaturave, 200 fëmijë në ditë në urgjencën e pediatrisë

Mjekët këshillojnë për një kujdes të veçantë për fëmijët dhe të moshuarit
Urgjencat dhe spitalet në gatishmëri, fluksi i pacientëve gjatë këtyre ditëve për to ka qenë i papërballueshëm. Ulje-ngritjet e temperaturave që kanë qenë shoqëruese të ditëve gjatë kësaj kohe kanë sjellë probleme të shumta shëndetësore tek qytetarët. Nëpër spitale është shënuar një fluks i madh pacientësh thuajse i papërballueshëm për to. Sipas personelit mjekësor të repartit të pediatrisë në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza në Tiranë është bërë e ditur se për çdo ditë paraqiten rreth 200 raste në urgjencën e këtij reparti. Fëmijët që janë paraqitur deri më tani kanë pasur temperaturë të lartë, diarre, këputje trupore dhe probleme të tjera të këtij lloji.Por ky numër është edhe më i lartë në ditë të veçanta. Ajo që mjekët japin si arsye të një fluksi kaq të madh janë temperaturat e larta si dhe luhatjet e shumta të këtyre temperaturave gjatë këtyre ditëve që kanë qenë shumë të çrregullta. Mjekët këshillojnë mbi të gjitha një kujdes të veçantë për moshat e vogla si dhe për personat e moshës së tretë pasi ato janë shumë të ndjeshëm në këto luhatje temperaturash. Por pediatria nuk është i vetmi repart që ka pasur një fluks të madh pacientësh në këto kohë. Edhe urgjenca qendrore e SUT-së ka shënuar një fluks të madh pacientësh që i kalojnë të 100-ët në ditë si dhe reparti i kardiokirurgjisë.
Mjekët: Mos i mbani fëmijët e sëmurë në shtëpi
Ato që janë përballur të parët me fluksin e pacientëve të shumtë janë mjekët e urgjencës së pediatrisë në QSUT. Mjekët e pediatrisë kanë pohuar se, na vijnë fëmijë me temperaturë 40 gradë, fëmijë që u ka rënë tërësisht rezistenca trupore dhe pacientë me diarre dhe të vjella. Problematikë janë sidomos pacientët me sëmundje kronike, pasi e kanë më të vështirë për të përballuar këtë situatë, për shkak të imunitetit të dobët që kanë.
Sipas tyre këto fëmijë që janë paraqitur në pediatri kanë qenë në një gjendje shëndetësore shumë të rëndë dhe ka pasur edhe nga ato raste që janë klasifikuar si shumë të rënda. Ndërkohë, ata theksojnë se kjo situatë ka ardhur për shkak të luhatjeve të temperaturave dhe, neglizhenca e prindërve për t'i mbajtur në kushte normale, ka ndikuar në sëmundshmërinë e fëmijëve. Mjekët kanë shtuar më tej se, koha ka qenë e paqëndrueshme dhe nënat, shpesh, nuk dinë si të sillen me këto luhatje të temperaturave. Shumica i veshin shumë fëmijët edhe kur del koha me diell, ndërsa një pjesë tjetër e prindërve neglizhojnë dhe i lënë fëmijët të veshur hollë, kur koha freskon për shkak të shirave. E rëndësishme është që nënat t'i përshtaten kohës dhe t'i mbajnë fëmijët në kushte sa më normale. Ndërsa prindërit të shqetësuar pohojnë se fëmijët e tyre po vuajnë nga temperatura e lartë dhe diarreja prej disa ditësh. Disa nga prindërit i kanë mbajtur fëmijët në kushte shtëpie prej më shumë se pesë ditësh në gjendje të rëndë shëndetësore me pretendimin se mund ti kalonte dhe kur e kanë parë që fëmija pi i përkeqësohej i janë drejtuar urgjencës gjë e cila sipas mjekëve nuk duhet të ndodhë pasi është shumë e rrezikshme për fëmijët.
Mjekët këshillojnë
Të mbahet higjienë maksimale dhe kujdes nga konsumimi i produkteve ushqimore jo të garantuara. Ky është apeli që bëjnë mjekët pediatër, duke theksuar se në këto temperatura mikrobet janë të destinuara për t'u zhvilluar sa më shumë. Për ta bërë këtë sa më ta qartë për të gjithë prindërit mjekët pediatër kanë pohuar se, vëmë re shumë fëmijë që kanë infeksione në zorrë për shkak të kequshqyerjes. Tashmë rekomandohen vetëm produkte të freskëta dhe të sigurta. Madje ata kanë shtuar më tej se, fëmijët janë më të ekspozuarit ndaj këtyre infeksioneve, ndaj duhet kujdes maksimal.
Mosha e tretë të prekur nga ndryshimet e temperaturave
Nuk janë vetëm fëmijët që po vuajnë motin e nxehtë dhe luhatjet e temperaturave, por edhe të moshuarit. Kështu, mjekët specialistë, pohojnë se tek të moshuarit, moti i nxehtë shkakton probleme shëndetësore, si pasojë e ndryshimit të sistemit të çrregullimit të temperaturës trupore. Të moshuarit shpesh nuk janë në gjendje të kuptojnë domosdoshmërinë e mbrojtjes nga të nxehtit, ndaj mund të paraqesin probleme dhe kërkojnë një kujdes më të veçantë, kur dihet se edhe forcat mbrojtëse të tyre janë të ulura. Ata mund të goditen nga nxehtësia, nga dielli apo të rëndohen sëmundjet kronike. Mjekët këshillojnë se është më se e domosdoshme që të gjithë personat e moshës së tretë duhet të konsumojnë të paktën dy litra ujë gjatë 24 orëve. Ajo që nuk lejohet në mënyrë absolute për këtë kategori është konsumi i pijeve akolie.  Gjithashtu të gjithë personat e moshës së tretë sipas mjekëve duhet të evitojnë me doemos lëvizjet dhe aktivitetet fizike në pikun e vapës përkatësisht gjatë orëve 11.00 deri në orën 16.00. Sipas tyre dy kategoritë që duhet të tregojnë më tepër kujdes janë fëmijët dhe të moshuarit.

Last Updated on Tuesday, 07 July 2009 19:25

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›