Pensionet e ish-ushtarakëve, emrat e 130 përfituesve të rinj
Instituti i Sigurimeve Shoqërore publikon zyrtarisht listën më të fundit të përfituesve nga ish-ushtarakët, të cilëve u është caktuar dhe lidhur pensioni deri më 3 qershor. Në total bëhet fjalë për 130 emra të rinj përfituesish, për të cilët tashmë ka përfunduar procesi i caktimit dhe i rillogaritjes së përfitimit dhe që masa e pensionit u ka kaluar në qendrat përkatëse paguese. Me gjithë përfituesit e fundit, në total numri i ish-ushtarakëve për të cilët ka përfunduar procesi i llogaritjes dhe caktimit të pensionit, sipas shifrave të publikuara nga ISSH, shkon në 1700, të cilët i përkasin dikastereve dhe rretheve të ndryshme të vendit. Pjesa më e madhe e ish-ushtarakëve që kanë përfituar deri më tani nga ligji nr.10142 janë kategoria e atyre të cilëve u ka lindur e drejta qysh prej datës 1.7.2009, por nuk kanë përfituar të drejtën e pagesës. Deri më tani nga kjo kategori kanë përfituar 1038 ish-ushtarakë, ndërkohë që, sipas të dhënave nga ISSh, janë mbi 4 500 ish-ushtarakë që do të përfitojnë për herë të parë pensione suplementare, pensione të parakohshme, dhe rillogaritje të pensionit nga ligji nr.10142, i datës 15 maj 2009. Përsa i përket dikastereve që kanë më shumë përfitues, deri më tani, në krye të listës qëndron Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit me 398, pasuar nga Ministria e Mbrojtjes me 378, Blanks 272 dhe Ministria e Brendshme 169. Kurse përsa i përket llojit të përfitimeve, ashtu siç edhe ISSh ka bërë të ditur që në nisje të procesit se në fazën e parë të rillogaritjes së pensioneve të ish-ushtarakëve do të përfundojë sa më shpejt procedurën për të gjithë ata persona të cilëve u ka lindur e drejta qysh prej datës 1.7.2009, por nuk kanë përfituar të drejtën e pagesës. Më konkretisht, në listën e emrave përfitues që është publikuar në nisje të këtij procesi është bërë një ndarje e numrit të përfituesve sipas kategorive. Së pari, janë 267 përfitues të cilëve u ka lindur e drejta që nga data 1 korrik e vitit 2009; më pas janë ish-ushtarakët e dalë në pension përpara korrikut të vitit 1991, që përfitojnë pensione suplementare dhe që në total shkojnë në 1 339 përfitues; dhe 2 937 përfitues të tjerë janë ata persona që kanë aplikuar për procesin e rillogaritjes. Por, përpos nisjes së procesit për ushtarakët që do të përfitojnë për herë të parë pensione të parakohshme, burime nga ISSh-ja bëjnë të ditur se tashmë ky institucion është gati të llogarisë dhe ndajë pensionet edhe për ushtarakët e tjerë që trajtohen jo vetëm me këtë lloj përfitimi, ndërkohë që pritet vetëm konfirmimi i të dhënave nga institucionet përkatëse, që janë vjetërsia në punën dhe paga referuese. Faza e dytë janë personat të pensioneve suplementare të ish-ushtarakëve para 30 qershorit 1991, të cilët kanë dalë në rezervë. Kryesisht, këta janë kategoria e personave të cilët kanë dalë që të gjithë në pension, por nuk kanë përfituar nga ligjet e mëparshme. Aktualisht ka nisur procesi edhe për këta të fundit, dhe në çdo listë të publikuar nga ISSH numri i tyre vjen duke u rritur.
Përfituesit sipas dikastereve
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë 398
Garda 67
Ministria e Brendshme 169
Ministria e Drejtësisë 3
Ministria e Mbrojtjes 378
PMNZSH 5
SHISH 166
Blanks 272
Totali 1458
Përfitim i ri 1038
Rillogaritje 228
Pa përcaktuar 192