Luhatjet e tensionit shkaktojnë zjarr në një banesë
Një luhatje e tensionit të lartë është bërë shkak i rënies së një zjarri në një fshat të Rrethit të Beratit. Masa e krijuar në pajisjet elektro-shtëpiake ka shkaktuar zjarr në shtëpinë e Fadil Çelës, në fshatit Vodicë. Familjarët kanë qenë jashtë banesës në kohën që një prej dhomave të shtëpisë është përfshirë nga flakët. Ata kanë ndërhyrë menjëherë, duke thyer xhamat e dritareve nga ku kanë bërë të mundur fikjen e zjarrit. Fatmirësisht, situata është vënë nën kontroll shpejt dhe dëmet kanë qenë vetëm materiale. Ky është rasti i dytë kur në këtë fshat bie zjarr për shkak të luhatjeve të tensionit të energjisë elektrike.