Shtohen kërkimet, pakësohen shpresat
Ende asnjë gjurmë nga gomonia e zhdukur në det të hapur. Identifikimi në brigjet malazeze i një mjeti lundrues dhe gëzimi rreth mesditës së djeshme kanë qenë të parakohshme, pasi nuk bëhej fjalë për gomonen e kërkuar. Komandanti i Brigadës Detare, kapiten i rangut të parë, Kristaq Gerveni, tha për gazetën "Shqip" se operacionet e kërkim-shpëtimit gjatë orëve të pasdites janë përqendruar në kufirin ujor malazezo-kroat, pasi i gjithë territori ujor shqiptar është kontrolluar në mënyrë të vazhdueshme dhe gomonia nuk është pikasur dhe as janë gjetur gjurmë të saj. Drejtuesit e rojës bregdetare shqiptare janë në kontakt të vazhdueshëm me qendrat kombëtare operacionale të kërkim-shpëtimit të Kroacisë dhe Malit të Zi, për të koordinuar veprimet dhe komunikuar për çdo rast. "Është kërkuar ndihmë në plan të gjerë, por nuk jam në dijeni nëse është përfshirë në operacion një helikopter i forcave italiane", tha Gerveni. Në Komandën e Forcave Detare, por edhe në Kapitanerinë e Përgjithshme të Porteve Shqiptare në Durrës, ka tingëlluar i çuditshëm njoftimi i dhënë për gjetjen e gomones dhe tre burrat që ndodheshin në të ishin shëndoshë e mirë. Informacioni i dhënë nga policia e Shkodrës rezultoi i pasaktë, ndërsa ende nuk dihet fati i tre vlonjatëve, të cilët që nga dita e diel kanë dalë në det. Drejtoria e Kufirit dhe Emigracionit në Durrës njoftoi se pas ndërprerjes së kërkimit mbrëmjen e së martës, që në orët e para të ditës së djeshme shërbimet e policisë kufitare kanë vazhduar operacionin e kërkimit dhe shpëtimit me mjete detare për gjetjen e mjetit lundrues me tri persona në bord, që ishte nisur nga Vlora dhe më pas ka humbur orientimin në kushtet e një deti të trazuar.
Kërkime në Kroaci
Lidhur me kërkimet që po zhvillohen për gjetjen e mjetit lundrues me tre shtetas, drejtori i Përgjithshëm i Policisë kroate, Vladimir Faber, përmes një komunikimi zyrtar ka informuar se autoritetet kroate po bëjnë gjithçka për të ndihmuar në kërkimin e mjetit lundrues. "Në këtë moment, përveç Zyrës Qendrore Kombëtare Kroate për Kërkimin dhe Shpëtimin në det janë përfshirë në kërkim dhe autoritetet e Portit të Dubrovnikut dhe Rajoni Policor i Dubrovnikut", ka thënë drejtori i policisë kroate. Sipas tij, Zyra Qendrore Kombëtare Kroate për Kërkimin dhe Shpëtimin në det dhe policia kroate janë në kontakt me Qendrën Kombëtare Malazeze të Kërkimit e Shpëtimit. Në përfundim të komunikimit të tij, Vladimir Faber, siguroi se autoritetet kroate do të bëjnë gjithçka brenda mundësive për të ndihmuar në kërkimin e mjetit lundrues.
Familjarët
Shumë nga familjarët e tri personave të humbur në det janë nisur drejt Shëngjinit, për të ndjekur më nga afër operacionet e kërkim-shpëtimit. Në shtëpinë e njërit prej personave që ndodhet në gomone, Romeo Pulazit, ishin dje bashkëshortja, nëna dhe dy fëmijët e tij. Nëna e Romeos, Sania, tha se djali kishte ikur nga shtëpia për peshkim qysh të dielën, pasion që sipas saj ai e kishte që i vogël. Ndërsa bashkëshortja e Romeos, Bruna, tha se po kalon një periudhë të tmerrshme. "Nga minuta në minutë prisnim lajmin e gjetjes së Romeos. Në orën 11:00 na njoftuan se ishte gjetur gomonia me tri personat në bord. U gëzuam pa masë, por më pas rezultoi lajm i rremë", tregon gruaja. Ajo kërkon intensifikim të kërkimeve nga autoritetet shtetërore: "I lutemi shtetit të shtojë kërkimet dhe të gjejë tri personat para se deti t‘i përpijë. Shteti të mos vërë në lëvizje vetëm pak mjete lundruese, se nëse do të kishte kërkime intensive, ata do të ishin gjetur dhe shpëtuar, sepse, siç thanë në telefon ishin shumë afër bregut të detit, në zonën e Shëngjinit apo Malit të Zi".