E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studimet për ullirin, 15 milionë lekë

Studimet për ullirin do të kushtojnë 15 milionë lekë. Është ky fondi që Këshilli i Ministrave vendosi dje që t‘i akordojë si shtesë buxhetit të vitit 2009 për Ministrinë e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit. Ky fond, thuhet në vendimin e djeshëm të qeverisë do të shërbejë "për kryerjen e studimit të plotë, në shkallë vendi, për gjendjen aktuale të kulturës së ullirit dhe për perspektivën e zhvillimit të tij". Ky fond i kërkuar me propozimin e ministrit të Bujqësisë, Jemin Gjana, do të përballohet nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave. Kryeministri Sali Berisha pak kohë më parë ka deklaruar se do të iniciojë një fushatë për mbjelljen e 2 milionë rrënjë ullinjve, në të gjithë vendin për t‘i dhënë jetë kësaj kulture për të cilët shqiptarët kanë një traditë të lashtë. Nga ana tjetër një deklaratë e tillë u komentua si tejet e ekzagjeruar nga ana e specialistëve të fushës, të cilët llogaritën se edhe gjatë sistemit të kaluar ku u përdor gjerësisht puna vullnetare përmes aksioneve kolektive nuk mundën të mbilleshin më shumë se rreth 4 milionë rrënjë ullinj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›