E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjakmarrja, dokumentar në BBC

Disa tradita të vjetra që ende mbahen gjallë në Shqipërinë e sotme, vazhdojnë të shokojnë të huajt. Ata që më shumë e shohin Shqipërinë si një kuriozitet për të eksploruar të shkuarën sesa për të paraqitur zhvillimet e reja për modernizim dhe integrimin e saj. Pas "virgjëreshave të betuara", ose "grave që bëhen burra" në Veri të vendit, një fenomen që bëri bujë në mjaft media perëndimore pak muaj më parë (temë e kthyer në libër nga amerikania Antonia Jong), një tjetër dokumentar është transmetuar në BBC, në lidhje me Kanunin dhe gjakmarrjen. Gazetari Majk Lancin ka vizituar një familje të ngujuar në zonat e thella në Veri, një familje e shokuar prej 6 anëtarësh. Lancin rrëfen historinë e tyre të dhimbshme. Kolë Ndrepepa është shkaktari i kësaj situate. Për një krim ai ka burgosur sot jetët dhe ëndrrat e katër fëmijëve të tij, të cilët jetojnë të izoluar pa guxuar të dalin jashtë portës së shtëpisë. "Ne, si shumë familje të tjera shqiptare jemi në gjakmarrje. Unë vrava dikë, shkova në burg dhe u lirova në 1996 me amnisti. Gjatë regjimit të vjetër, mund të dilja në rrugë ndonjë ditë, por pas ardhjes së demokracisë, nuk mundem", thotë ai. Pastaj shton: U përpoqëm të pajtoheshim me palën tjetër, por nuk patëm sukses, ndaj ne jemi të izoluar në shtëpitë tona dhe nuk mund të lëvizim. Familja e ngujuar është e re dhe nuk e di si është bota jashtë. "Fëmijët mërziten, sepse lëvizjet e tyre janë shumë të kufizuara. Ata nuk mund të shkojnë në shkollë, as në kishë dhe as vërdallë në fshat", shton Ndrepepa. Në fund të rrëfimit të tij, në këtë dokumentar, i ngujuari apelon: Edhe sipas Kanunit, unë nuk duhet ta vuaj këtë, pra ngujimin, pasi e kam kryer dënimin tim. Kanuni duhet të më kthejë ditët që kalova në burg. Nuk duhet ta paguaj dyfish".

Ky është rrëfimi i babait të penduar, por më prekëse është situata e fëmijëve. Ëndrra e 11-vjeçarit me emrin Nikolin është vetëm të dalë nga ajo portë e mbyllur, të ecë një ditë pa frikë dhe të shkojë në shkollë. E ndërsa kjo duket diçka e pamundur, fëmijët dëshirojnë të largohen përfundimisht nga Shqipëria e të jetojnë diku tjetër, larg Kanunit, larg gjakmarrjes.

Ngujimi sipas "Kanunit", fenomen që vjen pas vrasjes midis familjeve sipas "ligjit shekullor", qëndrimi i izoluar nga gjakmarrja po i sjell vendit pasoja mjaft të rënda. E pikërisht nga ky fenomen, me qindra fëmijë janë të ngujuar kryesisht në zonat veriore të vendit. Shumë të rinj qëndrojnë të ngujuar, në pritje të krimit të radhës, që vjen nga plaga e rëndë e gjakmarrjes. Shpesh organizma ndërkombëtarë kanë tentuar të zgjidhin deri diku fenomenin e gjakmarrjes, duke ndërhyrë për pajtimin e familjeve, por realiteti vazhdon të jetë tepër shqetësues. Së bashku me organizmat e huaj janë edhe ato shqiptarë të pajtimit të gjaqeve, që kanë ndihmuar jo pak në uljen e numrit të familjeve të ngujuara, por pa mundur ta eliminojnë këtë dukuri shqetësuese, që po shtrihet edhe në zona, ku gjakmarrja nuk është traditë, si p.sh Vlora. Vrasjet midis familjeve nga kjo zonë, disa prej të cilave më pas tronditën edhe Tiranën, pa kursyer as gratë apo fëmijët, tregon se situata mbetet tepër shqetësuese. Kjo e vlerësuar nga organizmat ndërkombëtarë, por edhe nga vetë qeveria shqiptare, e cila ashpërsoi Kodin Penal, në pjesën që ai flet për vrasjet me motiv gjakmarrjen. Ngjarjet kriminale të vitit ‘97 kanë sjellë për shoqërinë edhe mjaft raste krimi, pasuar nga gjakmarrja në familje. Deri tani janë me dhjetëra raste të pazbardhura që kanë provokuar vetëgjyqësinë. Burime policore thonë se shumë dosje janë ende në hetim ose janë pezulluar, por për asnjë çast zyrtarët nuk kanë reshtur punën për zbardhjen e plotë të tyre. Një krim i tillë, ndodhur në qershor ‘97, pranë stadiumit "Dinamo", në Tiranë, ka mbetur ende e pazbardhur, duke sjellë frikën e hakmarrjes për familjet e përfshira në këtë ngjarje. Nga policia është hetuar ky rast, ku ka mbetur i vrarë Denis Ahmeti dhe i plagosur Alket Liksala, por ende nuk ka autorë. Dosja është pezulluar nga policia. Për të shpëtuar jetën, i plagosuri u detyrua të largohej nga vendi. Një gjakmarrje e mundshme mund të viktimizonte edhe pjesëtarë të familjes së tij, pas largimit nga Shqipëria. Jeta e vëllait të tij, Bledarit, ishte gjithashtu e rrezikuar, pasi policia ende nuk i kishte gjetur dhe arrestuar autorët e krimit. Ky është një ndër të shumtat raste të ngjashme në Shqipëri.

Kohët e fundit, ekspertë të huaj të kësaj fushe kanë ngritur zërin për fenomenin shqetësues të gjakmarrjes në Shqipëri, duke kërkuar nga qeveritë evropiane t‘i bëjnë presion shtetit shqiptar për të luftuar fenomenin e gjakmarrjes. Profesori i universitetit "Durham" në Britaninë e Madhe, Dr. Alex Sandish, një nga studiuesit e këtij fenomeni dhe një nga ekspertët e të përditshmes irlandeze, "Irish Times", konstaton se fenomeni i gjakmarrjes po merr përmasa shqetësuese në Shqipëri. "Nuk është diçka ireale ajo që pohojnë refugjatët e ardhur këtu. Ata deklarojnë se në vendin e tyre ekziston diçka e tillë si gjakmarrja. Është e mirëdokumentuar dhe nuk mendoj se mund të vihet në dyshim ekzistenca e kësaj dukurie", thekson Dr. Standish. Ai shton se të tilla fenomene ndodhin në vende, ku sistemi gjyqësor dhe policor janë të dobët.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›