Luhet Besa-Tirana, Rraklli vë bast për vendlindjen
Leonard KarajTirana do japë maksimumin e saj, por favorite mbetet Besa. Ky është konstatimi i Altin Rrakllit disa orë para ndeshjes së parë të Kupës së Shqipërisë midis verdhezinjëve të Shpëtim Duros dhe bardhebluve të Tafajt dhe Mukës. Ish-sulmuesi i Kombëtares, i cili ka provuar fanellat e të dy ekipeve gjatë karrierës së tij vë theksin tek atmosfera elektrizuese që ekziston në Kavajë përkundrejt asaj të nderë sipas tij përqark kampionëve në fuqi. “Ndikon shumë atmosfera në ekip. Tirana prej kohësh nuk është e qetë dhe së fundmi ka pasur edhe problemin e trajnerit, plus rezultateve jo fort të mira në kampionat. Tjetër gjë te Besa, ku gjërat kanë shkuar më mirë ndaj edhe mendoj se skuadra do të jetë më e qetë dhe do të luajë pa presion”, ka pohuar Rraklli në një prononcim për gazetën “Panorama”. ObjektiviMë tej ish-sulmuesi i Kombëtares pohon se kupa është i vetmi trofe që mund të diskutohet nga këto dy skuadra, ndonëse matematikisht Besa ka shanse ende për të rivalizuar në kampionat. “Përshtypja ime është se Tirana do të luaj shumë fort. Ekipi do të japë më shumë se 100 % e vet pasi ata e dinë mirë se nuk kanë mundësi tjetër për të shkuar në Evropë dhe për të shpëtuar në një farë mënyre sezonin. Por nga ana tjetër edhe Besa, ndonëse ndodhet në vendin e dytë dhe me gjasa e ka të sigurt Kupat e Evropës, kjo nuk do të thotë se do të neglizhojë në ndeshjen e sotme. Fakt është se vendi i dytë në renditje nuk është se të jep ndonjë trofe, ndaj edhe Besa do të kërkojë me çdo kusht kupën. Ndaj shikoj gati një finale të parakohshme por që do të luhet me dy raunde, vajtje-ardhje”, ka vazhduar Rraklli.Favoritja E megjithatë edhe në këtë përballje ka një skuadër favorite dhe një tjetër që kuptohet disi më ulët. Për Rrakllin, nisur edhe nga ecuria në kampionat Besa është më e favorizuar, ndaj e shoh edhe në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë. “Besa ka bërë një merkato cilësore këtë sezon dhe fakti se ndodhet tani aty ku është, në vendin e dytë pas Dinamos, nuk është rastësi. Ndaj sipas meje Besa është disi më e favorizuar sesa Tirana e cila, nuk mund të them se ka dështuar por me problemet që ka pasur dhe atmosferën që e rrethon ka mundësi të dalë totalisht nga objektivat”, sqaron ish-futbollisti i lindur e rritur në Kavajë por që ka mbrojtur edhe ngjyrat e Tiranës. Në fund Rraklli jep edhe parashikimin e tij: “Për mua fiton Besa, por mos të harrojmë se ka edhe një ndeshje tjetër, ajo e kthimit dhe aty do të vendoset përfundimisht skuadra që do të kualifikohet. Takimi i nesërm (sot) mendoj se do të luhet me më shumë kujdes nga të dyja ekipet, me qëllimin e vetëm që të mos pësojnë gol dhe më pas të bëjnë llogaritë mirë në 90-minutëshin e ardhshëm”, përfundon Rraklli.