Ditari i një të mbijetuari
Eno Bozdo Ditari: 25 maj 2010.. sot pritet të fillojë numri i kutive të Beratit, Tiranës dhe Shkodrës. Numërimi do të kryhet në një nga sallat e Kuvendit të Shqipërisë dhe do të transmetohet ‘live‘ thuajse në të gjitha kanalet televizive, me përjashtim të kanaleve që transmetojnë «Big Brother». Nga maxhoranca janë zgjedhur pesë deputetë dhe po kaq nga opozita. Të dhjetë do të ngujohen në sallën e numërimit. Flitet se kriteri i përzgjedhjes ka qenë rezistenca ndaj pagjumësisë, si dhe të dhëna të tjera të qëndrueshmërisë fizike. Sipas llogarive, numërimi i çdo vote do të kërkojë të paktën 45 sekonda, nga ku pritet që përfundimi i numërimit të mbyllet diku pas 4 javëve, gjithmonë nëse palët bien dakord për çdo votë. Por sigurisht të gjithë presim që procesi të zgjasë më shumë se kaq: do të ketë përplasje deri në fund për çdo votë të kontestuar, për çdo shenjë që ka dalë milimetrikisht jashtë kufijve të kutisë së shenjës së votimit, madje pritet që çdo votë në vetvete të kontestohet dhe rikontestohet pafundësisht. ..do të jemi me fat nëse ky numërim do të përfundojë pas 1 muaji. Të shpresojmë...Ditari: 29 qershor 2010..ndërsa numërimi i votave po shkon drejt përfundimit, kanë ngelur 352 vota të kontestuara, ku secila nga palët pretendon t’i ketë të vetat apo t‘i nxjerrë të pavlefshme. Për momentin numërimi është bllokuar, dhe po tentohet të arrihet një kompromis për një ndarje të balancuar të këtyre votave. Sidoqoftë edhe kjo nuk do të jetë e lehtë: një grup deputetësh nga opozita i kanë kërkuar Gjykatës Kushtetuese ‘t’i numërojë ajo vetë mbi këto vota, të cilat sipas llogarive mund të lëvizin një gjysmë mandati. Përfaqësuesit e maxhorancës kundërshtuan propozimin, duke ironizuar mbi kërkesën: “..ju që nuk njohët vendimet e mëparshme të GjK, nuk mund t‘i kërkoni asaj numërimin tani..”. Situata nuk duket se do të marrë një zgjidhje të shpejtë. Për të komplikuar edhe më shumë këtë situatë, një grup miks deputetësh i kanë kërkuar GjK interpretim mbi kushtetutshmërinë e aktit të numërimit të votave. Ky grup pretendon se flet në emër të shtetit ligjor dhe nuk përfaqëson asnjë parti politike. Ditari: 5 Gusht 2010Shpresës së vakët të kompromisit për 352 votat e ngelura, iu dha një goditje e fortë kur maxhoranca kërkoi rinumërimin e votave (sipas të njëjtës logjikë) në qytetin e Shkodrës, Fierit dhe Elbasanit. Sipas maxhorancës, rinumërimi do të rriste me dy mandate përfaqësimin e saj në Kuvend, por sigurisht opozita e quajti këtë pretendim si të pavlerë. Kërkesa e maxhorancës pritet të miratohet dhe një komision i dytë hetimor të ngrihet për këtë qëllim. Tashmë, gjithmonë sipas llogarisë, nëse një votë duhet të numërohet për 45 sekonda, atëherë kutitë e reja do të duan të paktën 3 muaj për t’u numëruar, pa llogaritur të gjithë kontestimet e procesit. Zoti na ruajt...Ditari: 18 Gusht 2010Erdhi edhe surpriza (e pashmangshme) e radhës: një grup deputetësh të shkëputur nga opozita, kërkojnë rinumërimin e të gjitha kutive të mbetura ende të panumëruara. Mendohet që ato të jenë rreth 3700. Arsyeja: nëse duhet të kërkohet e vërteta, asaj duhet t‘i shkohet deri në fund. Zëdhënësi i opozitës e akuzoi menjëherë këtë lëvizje si hap që përkon me interesat e maxhorancës, por zëdhënësja e grupit që ndërmori kërkesën, kundërsulmoi, duke thënë se nga e vërteta ka frikë vetëm lideri i opozitës, i cili duhet të largohet nga posti i tij sapo të rinumërohen të gjitha kutitë dhe të certifikohet humbja.... ndoshta duhet të kalojmë në zgjedhje të parakohshme. Ditari: 1 tetor 2010GjK u shpreh përsëri mbi të drejtën e ligjvënësve për të hapur kutitë, duke e konsideruar aktin të paprecedentë, por tashmë është vonë: loja ka filluar e mesa duket nuk do të mbarojë kurrë...pritet që në datë 1 nëntor të fillojë numërimi i kutive për të gjithë Republikën, por tashmë nuk merret vesh se kur procesi do të përfundojë: në të vërtetë ende nuk ka një zgjidhje përfundimtare mbi 352 votat e para të kontestuara, ndërsa vetëm në Tiranë flitet se numri i këtyre votave është 10 herë më i lartë. Një grup deputetësh i miks, i cili kërkoi interpretimin nga GjK mbi procesin e votimit, tashmë, nën arsyetimin e të drejtës së pakufishme të legjislativit, e drejtë që tejkalon edhe vendimin e GjK, deklaroi dje në një konferencë shtypi që sapo procesi i numërimit të të gjitha votave të Republikës të ketë përfunduar, do të kërkojë rinumërimin e plotë përsëri nga e para (pra rinumërimin e rinumërimit) sepse ka dyshime të arsyeshme që deputetët që numëruan votat të kenë qenë të njëanshme në gjykimin e tyre. Kësaj deklarate, për herë të parë pas një viti, edhe maxhoranca edhe opozita iu përgjigjen duke e quajtur si veprim që dëmton interesat kombëtare. Por grupi miks u kundërpërgjigj se këtë “derë” e kishin hapur ata vetë dhe tashmë duhet të përballeshin me atë që ata vetë gatuan... Ditari: 10 janar 2011Seanca e parë parlamentare për këtë vit. Një grup prej 27 deputetësh kërkoi ngritjen e një komisioni hetimor për të hetuar mbi rezultatet e numërimit të komisionit të parë hetimor (që numëroi kutitë e para të Beratit, Tiranës dhe Shkodrës). Arsyeja: ka prova të mjaftueshme që, për shkak të dremitjes së disa deputetëve, disa vota mund të jenë trafikuar. Në të vërtetë, në asnjë nga kanalet ku u transmetua direkt numërimi nuk u panë skena të përgjumjes, përkundrazi, në orët e vona të natës shikueshmëria e “procesit të numërimit” ia kaloi madje edhe asaj të ‘Big Brother’. Por grupi i 27 deputetëve argumentoi se edhe për komisionin e parë hetimor nuk pati prova filmike manipulimi, por komisioni u ngrit dhe operoi. Flitet se ky grup prej 27 deputetësh punon për llogarinë e vet: shumica e tyre e ka të qartë që nuk do të jenë përsëri deputetë në legjislaturën e ardhshme, dhe me këtë veprim duan të bllokojnë zgjedhjet e vitit 2013, duke shpresuar në zgjatjen pafund të mandatit të tyre...Ditari: 17 Janar 2011Nuk kisha ndërmend të hidhja gjë në ditar sot, por një ngjarje tjetër e komplikoi situatën edhe më: një deputet, vëllai i të cilit ishte dënuar me vendim të formës së prerë për trafik narkotikësh, kërkoi ngritjen e një komisioni hetimor për të hetuar vendimin e gjykatës, sepse sipas tij gjykata kish qenë e një anshme. Kjo kërkesë shkaktoi një reagim nga media dhe deputetët e tjerë, por deputeti në fjalë komentoi: “..kur hapët kutitë e para, nuk u kujtuat për vendimet e gjykatës dhe i dhatë vetes të drejtën ta ndryshonit atë. Pse kjo nuk mund të ndodhë edhe për vëllain tim? Pse, janë më të rëndësishme kutitë se vëllai im? Sigurisht që jo..” Ka të ngjarë që komisioni të fillojë nga puna menjëherë...nuk është çudi, që tashmë secili nga deputetët të ngrihet dhe të kërkojë një komision parlamentar hetimor privat për çështjet personale...madje thonë që një grup prej 9 deputetësh po kërkon një hetim mbi vendimin e gjykatës për çështjet e disa pronave në bregdet... e ka marrë dreqi këtë punë...Ditari: 23 mars 2011Zgjedhjet vendore po afrojnë, por askush nuk ka ndërmend të merret me to, pa u zgjidhur më parë çështja e kutive...por edhe këtu numërimi ka ngecur, në disa vende avancohet, por u kthehen përsëri numërimit nga e para e kështu me radhë... është gati për të filluar punë edhe komisioni i dytë hetimor, i cili do të numëronte votat nga e para, për të gjithë Republikën, gjithmonë mbi bazën e dyshimeve të pavërtetuara, por tashmë asgjë nuk ka më kuptim. Dje pati edhe një sherr banal midis dy komisioneve që numëronin në të njëjtën kohë, sepse gabimisht po numëronin kutitë e njëri-tjetrit, dhe secila nga palët synonte të shënonte në fletë rezultatin e vet...sherri përfundoi me disa karrige të thyera, fashime krahësh e plagësh të lehta sipërfaqësore..kompromisi u arrit që secili komision të nxirrte fletën e tij të rezultateve dhe pastaj, Presidenti i Republikës të vendoste cilën fletë të pranonte...Ditari: 21 Maj 2011Zgjedhje vendore duhej të ishin mbajtur përpara 3 javësh, por situata është e tillë që më mirë që nuk u mbajtën sepse sigurisht nuk do të bihej asnjëherë dakord për rezultatin, dhe humbësit do të kërkonin rinumërim të kutive sa herë të donin dhe kur të donim...në këto kushte, kur ende ka kuti nga zgjedhjet e 2009, të cilat duhet të numërohen dhe rinumërohen...më mirë të mos hyjmë më në asnjë palë zgjedhje të tjera..deri sa kjo rrëmujë të mbarojë.. zoti na ndihmoftë...Shënimi i ditarshkruesit:datë: 11 shkurt 2009“The Day After” është titulli i një filmi serial post-apokaliptik, ku banorët e Tokës përpiqen të mbijetojnë pas katastrofës së luftës bërthamore. Ditari i mësipërm paraqet një rrjedhë të mundshme të ngjarjeve, nëse për arsye të pashpjegueshme do të sfidohej vendimi i Kolegjit Zgjedhor, dhe Pushteti Legjislativ do t`i mbivendosej pushteteve të tjera kushtetuese. Vendimi për hapjen apo jo të kutive nuk ka lidhje me zgjedhjet dhe rezultatin e tyre, por me të ardhmen e këtij vendi, me stabilitetin e tij afatgjatë ekonomik dhe shoqëror, me faktin nëse do të zgjedhim të jemi një vend normal, (me vështirësitë dhe problemet e njohura) apo një vend i kolapsur. Nëse zgjedhim të dytën, pra nëse vendosim të sfidojmë vendimin e prerë dhe përfundimtar të një gjykate, ditari i “ditës së mëpasshme” nuk do të jetë më i pamundur.