Lamtumirë koleg!
Sandër SIMONI Dy ditë më parë, ne përcollëm për në banesën e fundit një nga kolegët tanë më të mirë e më të dashur , gjyqtarin e Gjykatës për Krime të Rënda, të ndjerin Xhelal Elezi. Humbja e një kolegu qenka diçka e dhimbshme dhe nisur nga ajo çfarë ndiej unë e kolegët e mi në këto momente, u ula të shkruaj dy fjalë për të in memoriam. Jeta e një gjyqtari është e lidhur me sallën e gjyqit- do shkruante dikush- dhe jeta e Xhelal Elezit ishte e tillë. Kolegu ynë u shua në sallën e gjyqit, iku duke bërë detyrën e tij, të vetmen gjë që di të bëjë një gjyqtar, të gjykojë. Iku pa u ndjerë, pa u ankuar, pa folur, nuk donte të jepej, nuk donte as të ndërpriste seancën, nuk donte të dukej si i dobët në sallën e gjyqit, para palëve, publikut, gazetarëve. Mjekët na thanë se puna e përditshme, lodhja, stresi, i shkurtuan rrugën e jetës. Prandaj dhe dhimbja jonë si kolegë është e madhe, dhimbja dhe respekti në të njëjtën kohë. Ai ishte njeri mbi të gjitha, burrë fisnik, i përkushtuar, i ndershëm, ishte një gjyqtar që gjykonte me bindje e zemër, guxim e ndjeshmëri. Për ne ishte një koleg, shok, mik, burrë i mençur që nuk përtonte të të jepte një mendim e këshilla të vyera. Pak më shumë se 6 vjet më parë, ne filluam punën në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Këto vite kanë qenë vite pune të vështira, përkushtimi, gjykimi të shumë çështjeve të rënda. Puna jonë e përditshme bazohej në filozofinë se një drejtësi pa besimin e atyre për të cilët jepet e pa forcën ndaj atyre ndaj të cilëve jepet, s’është e tillë. Prandaj dhe puna jonë e përditshme ishte e vështirë, më e vështirë se e kolegëve të tjerë gjyqtarë, ka qenë e lodhshme, vetëmohuese. Opinioni i gjerë publik, gazetarët kanë qenë dëshmitarë të të gjithë kësaj pune e mbështetësit tanë më të mëdhenj.Si Kryetar e kësaj Gjykate, në momentin e krijimit të saj e për gati 5 vjet më pas, unë kam respektin më të madh për përkushtimin e kolegëve të mi, por mbi të gjithë për gjyqtarin Xhelal Elezi, si gjyqtari në moshën më të madhe në këtë Gjykatë. Fati e desh që në eksperiencën e tij në këtë Gjykatë, ai të kalonte nëpër duar disa nga çështjet më të vështira penale. Asnjëherë nuk u ankua, asnjëherë nuk është ndier i ndryshëm nga ne më të rinjtë apo gjyqtarët e një shkolle e periudhe tjetër. Puna e përditshme, profesionalizmi, përkushtimi, kthjelltësia, raportet miqësore me ne si kolegë, pozicioni i tij i respektuar në kolektivin tonë, besoj se ishin inspirim për të. I tillë ishte deri në fund, deri momentin kur u shua. Në kujtesën tonë do mbeten të pashlyera momentet e fundit me të, shprehjet e tij modeste e me humor. Një gjyqtar u shua në sallën e gjyqit, iku nga kjo jetë në ushtrim të detyrës...! Dikur njerëz të tillë i quanin heronj. Por gjyqtarët janë njerëz modestë sepse profesioni i tyre i bën që të jenë racionalë e konkret, por nëse nuk është koha për t’i quajtur heronj pas vdekjes, nuk do të thotë që ata duhen harruar në të gjallë. Ky është një moment reflektimi për të gjithë. Kolegu ynë iku nga kjo jetë, por dhe ai si ne të tjerët në këto vite ka ndjerë keqardhje e shqetësim për ato që thuhen për gjyqtarët apo për mënyrën se si trajtohen ato nga shoqëria të cilës i shërbejnë. Por ky është një moment për të reflektuar në idenë se gjyqtarët qenkan dhe ata që ikin nga kjo jetë në punë, në sallën e gjyqit, me dhimbjen e sëmundjen, mbështjellë me togën e zezë, pa u ankuar, pa bërë zë, pa lënë seancën se detyra e gjyqtarit është një dhe vetëm një, të jetë aty duke dhënë drejtësi. Ky është një moment reflektimi mbi idenë se një gjyqtar iku nga kjo jetë i nderuar, pa u përfolur, i përgjegjshëm e i përkushtuar deri në momentin e fundit.është një moment reflektimi dhe për atë që ne se dimë nëse kolegu ynë u gëzua në këtë jetë, megjithëse ai ka lënë një familje të mrekullueshme që duhet të jetë krenar për të. E megjithatë ti nuk je më i dashur koleg....! Ne do ta ndjejmë mungesën tënde, i dashur koleg, mendimin e pjekur, këshillat e tuaja bisedat e mençura, me humor, një kafe me ty e diskutimet e përditshme, modestinë e fisnikërinë tënde. Por do ruajmë gjithmonë respektin për ty dhe do të të kujtojmë ashtu siç ti ishe...! Ne të përcollëm me trishtim, dhe me merakun nëse mundëm të bënim për ty diçka, një përkujdesje ashtu siç e meritoje...!Kujtimi që do ruajë familja jote, të afërmit, miqtë, respekti i kolegëve gjyqtarë, prokurorë, avokatë dhe i të gjithë atyre që të njihnin, së bashku me lutjen e Nënë Terezës janë gjëja më e mirë.Lamtumirë koleg...!*Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda