E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Ngadhënjimi” i persekutorëve

Leonard Olli Persekutorët e pushtetshëm, për fat të keq ngadhënjyen sërish. Nga pozitat e të “fortit”, ndryshe thënë nga uzurpimi i disa hallkave të sistemit, mundën edhe njëherë të rrëzojnë ligjin e pastërtisë së figurave. Mundën edhe njëherë të vonojnë të vërtetën. Mundën edhe njëherë të fshehin gjurmët e krimit, edhe pse ndoshta në zbatim të “teorisë së strucit”. E vërteta mund të vonojë, por nuk do të harrojë. Nuk do të harrojë pasi me mijëra të vrarë, burgosur, internuar, denigruar e poshtëruar nga dora e një klike gjakatare, nuk do të pushojnë kurrë së kërkuari drejtësi. Sado që persekutorët të përpiqen të fshihen pas gishtit (sistemit) klithmat e dhimbjes, vuajtjes, dëshpërimit do të ushtojnë pafundësisht në veshët e tyre. Makbethët dhe ledit e regjimit komunist, nuk do të mundin kurrë të shpëtojnë nga makthet e krimeve të tyre për të siguruar pushtetin absolut. “Pashallarët e kuq” nuk mund të shpëtojnë kurrë nga e keqja më e madhe që “mbollën” në Shqipërinë e shekullit të 20-të, atë të një sistemi diktatorial, që dhe vetë Po Poti do ta kishte pasur zili. Nuk do të shpëtojnë kurrë nga krimet monstruoze që i bënë popullit shqiptar dhe për ironi të fatit “në emër të tij”. Në emër të luftës së klasave, prindi u detyrua të mohojë fëmijën apo fëmija prindin, vëllai u detyrua të mohojë vëllain, gruaja burrin e kështu me radhë. Por “mulliri që gëlltiste shpirtra”, nuk do të kënaqej me kaq. Do të internoheshin, do të burgoseshin, torturoheshin, madje, dhe do të ekzekutoheshin pa gjyq. I hodhën në varre masive, pas ekzekutimit paburror, me një plumb pas koke, sipas “traditës” usbashe apo çetnike (mësuesit e tyre ideologjikë e shpirtërore). Varret e zbuluara në malin e Dajtit, pak ditë më parë, por jo vetëm, janë dëshmia më e mirë për këtë. Pa harruar “legjendat urbane” për Malin me Gropa (apo dhe vende të tjera), që sigurisht vetëm legjenda nuk janë, por të vërteta shokuese të makabritetit komunist. Me një sadizëm të pashoq do të përndiqte me egërsi të gjitha ata që kishin pasur “fatin” të kishin të bënin, apo të ishin të afërm me ta.Të tjerë do të gjykoheshin “ditën për diell”, nga “(pa) drejtësia popullore” e do të shpalleshin armiq. Armiq të kujt mund të pyesë dikush me të drejtë. Përgjigjja është po, ata ishin armiq. Ishin armiq të krimit, të diktaturës enveriste, armiq të mungesës së lirisë! Por, për fat të keq, disa prej tyre nuk e dinin këtë, pasi thjesht ishin viktima të radhës, ishin shpirtrat që duhej të gëlltiste “mulliri”. Të tjerët u përpoqën të hapnin mendjen dhe zemrat e shqiptarëve, u përpoqën të sillnin pak më shumë qytetërim, u përpoqën ta afronin sa më shumë Shqipërinë me Evropën, aty dhe ku është vendi i saj. Por më kot. Në vend të mirënjohjes, morën plumba pas koke, tortura e dhimbje pafund! Me mijëra familje u shkatërruan krejtësisht. Me mijëra të tjerë, diktatura i detyroi të vdisnin me hir a me pahir, por pa “vënë dorë” mbi ta. Qindra të tjerë do të ekzekutoheshin pa mëshirë në klone e mbi telat me gjemba që rrethonin kampin e përqendrimit, kalanë e kuqe komuniste, vetëm e vetëm se nuk donin më të jetonin të “lumtur” në “parajsën enveriane” dhe dëshironin me shpirt të vuanin në “ferrin kapitalist”. E megjithatë, vetëm pak ditë më parë, shqiptarët mësuan se këta kriminelë apo frymëzues të krimit nuk mund të ndëshkohen as moralisht, pasi kjo përbën “shkelje të rëndë” të Kushtetutës dhe të drejtave themelore të njeriut! Me cinizëm të pashoq, të afërmit e mijëra e mijëra viktimave të komunizmit, por dhe gjithë shqiptarët që vuajtën për 50 vjet me radhë, mësuan se në emër të “demokracisë” (në emër të popullit, mund të thuhet edhe sot), do të duhet të shikojnë sërish persekutorët e tyre të gëzojnë pushtet politik dhe ekonomik. Po me kaq cinizëm tellallët e tyre të mirëpaguar u vërsulën të akuzojnë hartuesit dhe votuesit e ligjit, se ishin dhunuesit më të mëdhenj të të drejtave të njeriut e të Kushtetutës!  Po pse? E thjeshtë përgjigjja: Edhe këta guxuan të gjejnë të vërtetën, edhe këta guxuan të denoncojnë krimin dhe genocidin e pashoq komunist, sepse edhe këta ashtu si kundërshtarët e dikurshëm të regjimit, kërkuan drejtësi dhe ndëshkimin moral të krimit, si detyrimin më minimal ndaj atyre qindra e mijëra viktimave komuniste apo dhe ndaj gjithë shqiptarëve, kërkuan largimin nga postet shtetërore e administrative të të gjithë atyre, që në “emër të popullit”, pra në emrin tonë na mbajtën të burgosur për 50 vjet. Largimin nga jeta publike e hartuesve dhe zbatuesve të politikës së “bollëkut të tollonit”, e njëkohësisht “arkitektë” të (ç)njeriut të ri komunist. Largimin e gjithë atyre që dhe sot guxojnë të ndalojnë fjalën e lirë apo të kërcënojnë sërish nën buzë, me “nostalgjinë e ëmbël të pushtetit famëkeq që gëzonin dikur, që sipas tyre merret dhe mbahet vetëm me dhunë. E të mendosh se tellallët e tyre në vijë të parë e ata vetë pas kuintave akuzojnë për mungesë demokracie sot!      Por, edhe pse fituan këtë betejë, një gjë është e sigurt: luftën e kanë të humbur dhe kjo është thjesht çështje kohe. Shumë shpejt shoqëria shqiptare do të gjejë forcën e duhur për të denoncuar genocidin dhe krimin e kuq. Shumë shpjet shoqëria jonë do të gjejë forcën dhe kurajën, në respekt maksimal, të dhurojë paqen shpirtërore të qindra mijëra viktimave të komunizmit. Askush mos të besojë se do t’i shpëtojnë së vërtetës së madhe. Paçka, më mirë vonë se kurrë!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›