E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana, në FSHF: Duam paratë tona

 SK Tirana zbarkon sërish në dyert e Federatës Shqiptare të Futbollit. Klubi ka bërë një kërkesë, e treta për të njëjtin problem e cila konsiston në të ardhurat e palikuiduara që ky institucion i ka klubit bardheblu. Sipas informacioneve FSHF duhet të kalojë në llogari të Tiranës rreth 270 mijë euro, të cilat vijnë si rezultat i pjesëmarrjes së kësaj skuadre në Kupat e Evropës. Realisht shuma që Tirana merr nga UEFA ka qenë 330 mijë euro, por mësohet se rreth 60 mijë euro nga kjo shumë janë shpenzuar dhe zbritur nga kjo llogari. Sipas informacioneve klubi bardheblu pati bërë edhe dy kërkesa të tjera zyrtare në FSHF me të njëjtin motivacion, por pa marrë asnjë përgjigje zyrtare nga drejtuesit e Federatës. Ndërsa jo zyrtarisht pas kërkesës së parë u tha se paratë nuk kishin mbërritur ende në FSHF. Atëherë klubi bardheblu kërkoi informacion nga zyrat e UEFA-s e cila konfirmoi se më 6 nëntor 2009 kishte kaluar në arkën e Federatës shqiptare të gjitha të ardhurat që u takonin ekipeve shqiptare nga pjesëmarrja në Kupat e Evropës. Pas kësaj përgjigjeje, Tirana bën një shkresë të dytë, por këtë herë ngërçi erdhi nga Zyra e Përmbarimit e cila kërkoi ngrirjen e të ardhurave të Tiranës për shkak të një borxhi të vjetër ndaj ish-presidentit të saj, Metush Seferi. Vetëm pas apelimit të bërë nga Tirana dhe vendimit të gjykatës pro këtij apelimi para një jave, klubi ndërmerr një tjetër inisiativë drejt Federatës, ku i kërkon të ardhurat e mësipërme.  Sakaq mësohet se SK Tirana nuk ka marrë nga federata as investimin që kjo e fundit duhet të japë klubeve që dalin kampionë. Deri para një sezoni, të gjitha ekipet që dilnin kampione si në Superligë dhe në kategoritë inferiore nuk përfitonin para në dorë por investime kryesisht në ambientet sportive. Sipas drejtuesve të Tiranës për titullin e fituar vjet FSHF nuk ka ndërmarrë asnjë lloj investimi tek ky klub.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›