“Luigj Gurakuqi dhe Isa Boletini, kontribut të pazëvendësueshëm në shpalljen e Pavarësisë”

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, kurora me lule në shtatoret e patriotëve Luigj Gurakuqi dhe Isa Boletini në Shkodër
Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli në shenjë nderimi dhe mirënjohje për patriotët që kontribuuan në shpalljen e Pavarësisë së vendit vendosi sot në Shkodër kurora me lule në monumentet e Luigj Gurakuqit, firmëtar i Aktit të Pavarësisë, veprimtar i lëvizjes kombëtare dhe ministër e deputet, si dhe në monumentin e Isa Boletinit, atdhetari i shquar për çlirim e bashkim kombëtar. Pas nderimit përpara monumentit të Luigj Gurakuqit, kryetarja Topalli tha se ai ishte një vigan liberator, projektuesi autentik i projektit europian për Shqipërinë. “Luigj Gurakuqi ishte firmëtar i Aktit të Pavarësisë, mbështetësi dhe pjesëmarrësi kryesor i kryengritjeve të 1912-tës. Ai ishte krahu i djathtë i Ismail Qemalit dhe model i shqiptarit të madh, pjesëmarrës i Kongresit të Manastirit. Luigj Gurakuqi ishte njeriu me moral që e deshi këtë vend pa kushte, duke i kushtuar edhe momentet e fundit të jetës së tij. Ai është një nga figurat më të larta, jo vetëm të Shkodrës e Shqipërisë, por të gjithë kombit shqiptar. Në këtë 100 vjetor të Pavarësisë është detyra jonë të nderojmë këtë burrë vigan dhe njëkohësisht të reflektojmë për atë që kanë qenë 100 vite më parë dhe në këtë mënyrë të projektojmë 100 vitet e ardhshme”, u shpreh Topalli. Kryetarja e Kuvendit, pas vendosjes së kurorës me lule në shenjë nderimi në monumentin e Isa Boletini-t vlerësoi figurën e tij legjendare duke e cilësuar si një ndër luftëtarët për çlirim kombëtar, ndër më të mëdhenjtë e Shqipërisë. “Është figurë legjendare epike e jashtëzakonshme. Deputeti britanik Aubrey Herbert, një ndër diplomatët më të shquar të asaj periudhe, e quante Isa Boletinin, Robin Hudin e shqiptarëve. Pa luftën, kryengritjet, pa shpirtin e tij të madh dhe besimin e flaktë për bashkimin kombëtar, pa Isa Boletinin do ishte e pamundur që ne të arrinim të 28 nëntori në Vlorë, te shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, te ngritja e flamurit. Ndaj edhe sot i paguajmë tribut këtij heroi luftëtar legjendar, këtij udhëheqësi të jashtëzakonshëm shqiptar që shkriu çdo gjë; jetën, familjen, gjithçka që kishte, për këtë flamur para të cilit përulemi me nderim”, u shpreh kryetarja e Kuvendit.
...