E Diel, 1 Nëntor 2026

Luis Fernandez sulmon Dinjon: Ai merrte femra në dhomë

Ish-trajneri i Paris Sent Zhermenit, Luis Fernandez, ka vendosur që të publikojë një autobiografi, ku nuk kursehen kritikat ndaj disa prej emrave më të njohur të futbollit që ka njohur gjatë karrierës së tij. Në majën e kësaj liste është Ronaldinjo, braziliani i Barcelonës, i cili po përjeton një krizë të vërtetë prej dy sezonesh, duke qenë tashmë më shumë pjesë e stolit të katalanasve, sesa fushës së lojës. Fernandez ka treguar se si braziliani mbërriti në klubin francez në vitin 2000, por pas famës në Botëror, ndryshoi tërësisht sjellje.

"Kur mbërriti te PSG nuk dinte të luante lojën e skuadrës, nuk kishte asnjë disiplinë ushqimore dhe asnjë përgatitje taktike. Në Paris ai mësoi shumë, aq sa Skolari më falënderoi për punën që kisha bërë dhe e mori në Botëror". Por pikërisht pas fitores së Kupës së Botës, në vitin 2002, Ronaldinjo ndryshoi sjelljen dhe mënyrën e jetesës, pasi tashmë ishte bërë i famshëm në të gjitha kontinentet. "Në grumbullimet e ekipit, ai merrte femra në dhomë. Shkonte shumë shpesh në diskoteka. Shokët e skuadrës filluan të protestonin, por atij i dukej vetja mbi të tjerët". Ky ndryshim vinte edhe nga presioni i sponsorit të lojtarit, kompania "Nike", e cila dëshironte ta dërgonte në një klub më të njohur, Mançester Junajtid apo Barcelona, të cilët ishin të lidhur me këtë kompani. Edhe presidenti i parisienëve dëshironte ta shiste me një çmim të lartë. Ndaj përplasjet me stafin ishin të pashmangshme, ashtu si shitja e tij te Barcelona në vitin 2003. "Problemi është se në atë periudhë më quanin të çmendur kur nuk e aktivizoja, por tani të gjithë pyesin veten nëse ia vlen që të vazhdohet të investohet për Ronaldinjon", tregon Luis Fernandez.

Ish-trajneri i PSG-së nuk kursen kritikat as për Tierri Henri. "Rekordi i tij në kombëtare (44 gola në 98 ndeshje), nuk mund të krahasohet me atë të Mishel Platini që shënoi 41 gola në 72 ndeshje. Ato ishin ndeshje të vërteta, jo me kundërshtarë si Lituania apo Ishujt Faroe. Henri është një individualist dhe dueli i tij me Trezege është vetëm çështje egoje", shprehet Fernandez. Sulmi i radhës ka qenë ndaj Janik Noah, "mjeshtrit" të motivimit që ndihmoi Paris Sent Zhermenin që të fitonte Kupën e Kupave në vitin 1996. "Ai na ndihmoi për finalen, por nuk mjafton të ftosh të gjithë për një darkë në restorant dhe të mbash një fjalim, e më pas të marrësh të gjitha meritat e arritjes. Ne Kupën e fituam duke mundur Parmën apo Sëlltikun. Por Noah është personaliteti më i dashur nga francezët, për këtë arsye është i paprekshëm", tregon Luis Fernandez në librin e tij. Kjo autobiografi me titullin "Luis kundërsulmon" pritet të dalë sot në shitje në të gjithë Francën dhe mendohet se do të jetë një nga librat më të shitur. Të gjithë duan të dinë sa më shumë sekrete për jetën e disa prej futbollistëve që militojnë në Francë, për më tepër sipas këndvështrimit të një prej trajnerëve më të njohur.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›