"Supermarketi Juve", emra të mëdhenj për merkaton
Juventusi, gjithmonë e më pranë Ligës së Kampioneve, ka sjellë edhe strategjitë e klubit për të krijuar një skuadër të denjë për aktivitetin më të madh në kontinent për klube. Objektivët kryesorë të bardhezinjve janë tre: me shumë prioritet shihet afrimi i mesfushorit të Çelsit, Frenk Lampard, që gjatë verës mund të ndryshojë skuadër. Problemi i vetëm për anglezin është çmimi i lartë i kartonit dhe rroga e majme. Përveç tij, pëlqehen edhe brazilianët e Serisë A, Amantino Mansini (Roma) dhe sulmuesi i Palermos, Amauri. Drejtuesit e skuadrës torineze duken të papërmbajtur edhe për alternativat në mesin e fushës: bëhet fjalë për danezin e Seviljas, Poulsen, dhe argjentinasin e Portos, Luço Gonzales. Një lëvizje tjetër shumë e rëndësishme është cilësuar edhe rinovimi i kontratës së italo-argjentinasit, Mauro German Kamoranezi, të cilit do t‘i ofrohet qëndrimi deri në vitin 2011. "Vitin e kaluar rinovuam kontratën e Kamoranezit deri në vitin 2010, tha drejtori sportiv, Alesio Seko. Por, nëse ai vazhdon të luajë kështu si tani, mendoj se pas disa muajsh do t‘ia zgjasim kontratën deri në vitin 2011. Synimi ynë është që të diskutojmë sezon pas sezoni me të gjithë yjet që kemi në skuadër, të moshës 30 vjeç e lartë". Nuk mungojnë as zërat për përforcimin e sulmit, pavarësisht se ky është një nga repartet më të forta të skuadrës. Përveç Amaurit po mendohet edhe për Mladen Petriç, i cili ka shënuar në fitoren 2-3 të Kroacisë në "Uembli", duke lënë jashtë fazës finale të Euro 2008 Anglinë. Interesimin për lojtarin e Borusias së Dortmundit e ka zbuluar gjermania "Bild Zeitung". 27-vjeçari është një sulmues teknik dhe mjaft i fortë fizikisht dhe deri në këtë pikë të karrierës e ka kaluar kuotën e 100 golave të shënuar në karrierë. Juventusi po ndjek me vëmendje edhe objektivat e së ardhmes: bardhezinjtë po ndjekin Obertan, 19-vjeçarin e Bordosë, që krahasohet me Henri dhe që do të jetë pasardhësi i Nedved. Nëse nuk arrihet te mesfushori francez, për krahun e djathtë mund të synohet portugezi Bosingua.