E Diel, 1 Nëntor 2026

Nis sot në Elbasan Festivali Folklorik i Këngës Qytetare

Në qytetin e Elbasanit starton sot edicioni i 10- të i Festivalit Folklorik Tipologjik Kombëtar i Këngës Qytetare. Elbasani është qyteti organizator i shtatë edicioneve të Këngës Popullore Qytetare. Kështu në prag të Ditës së Verës, Elbasanit i shtohet një tjetër festë muzikore, që do të zhvillohet 11 dhe 12 mars. Qyteti i Elbasanit njihet për bukurinë e këngës

qytetare dhe përcjelljen e saj ndër breza. Që më vitet 1850 është fillesa e këngës qytetare, kur filluan të mblidheshin ndër festa e këndonin jo vetëm në qytet, por edhe në rrethina. Emërtimi i parë i këtyre këngëve ishte Këngë të vjetra. Më së miri këto këngë i përcolli Isuf Myzyri në fillim të shekullit 20-të dhe pas tij vëllezërit Zena, që vunë themelet e Këngës Popullore Qytetare në Elbasan dhe në Shqipërinë e Mesme si dhe Albert Tafani, Suzana Qatipi, Zeliha Sina, Flutura Hida, Mustafa Mehja e shumë të tjerë. Në qytetin e Elbasanit është edhe fillesa e festivaleve të këngës qytetare. Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike, organizatore dhe menaxhuese e festivaleve folklorike tipologjike kombëtare, tashmë ka një përvojë mbi 15-vjeçare në ketë drejtim. Në bashkëpunim me Bashkinë e Elbasanit, janë marrë masat paraprake që festivali të jetë në nivelin e duhur artistik, në arritjen e synimeve të aktivitetit. Pranë QKVF u mblodh Komiteti organizator i Festivalit të Këngës Qytetare dhe ftoi të gjitha qendrat kulturore pranë bashkive të vendit në konkurrim, si dhe grupe të ftuara nga Ulqini, Gjakova etj. Qëllimi i këtij festivali, siç u tha në ketë mbledhje është shpalosja e vlerave të këtij zhanri të muzikës tonë popullore, ruajtja nga deformimet, si dhe evidencimi i artistëve të rinj dhe krijimeve të reja. Gjithashtu ketë vit Orkestra e Elbasanit mbush 105 vjet nga krijimi i saj. Planifikimi i një teme për rrugën e Orkestrës me zë të Elbasanit e ndër më të njohurat e vendit, do shtojë interesimin e auditorit për njerëzit e artit tonë popullor. Tema i është besuar z. Astrit Lopari, drejtor i shkollës artistike Onufri në Elbasan. Festivali Folklorik Tipologjik Kombëtar i Këngës Popullore Qytetare, në Elbasan është festival i këngëve popullore qytetare mbarëshqiptare, që zhvillohet në muajin mars. Ky festival është një tribunë e këngës popullore qytetare, tek e cila ndërthuren harmonishëm elementet tradicional të trashëguar dhe elementet e rinj të orkestracionit, interpretimit, etj, të cilët i japin asaj freskinë dhe dinamizmin e kohëve që po jetojmë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›