Rizbulim i Anton Harapit në 120-vjetorin e lindjes
Këto ditë në kryeqytet është zhvilluar konferenca shkencore “Një jetë kushtuar Shqipërisë”, me rastin e 120-vjetorit të lindjes së françeskanit të madh, Pater Anton Harapi. Studiues e albanologë të njohur bënë apel për një interesim më të gjerë në ndriçimin e figurave të kulturës kombëtare. Kujtesa e përbashkët për kontributin e Pater Anton Harapit, françeskanit të madh shkodran, jo vetëm në lëmin fetar, por edhe në atë të modernizimit të kombit shqiptar, ka bashkuar në këtë simpozium personalitete të shquara të kulturës, artit, shkencës, historisë dhe publicistikës shqiptare. Kumtesa me këtë rast kanë mbajtur historiani, Kolec Topalli, drejtori i Qendrës Kombëtare të Albanologjisë Adrian Marashi, publicisti dhe drejtori i Institutit “Alcide de Gasperi” Fahri Balliu, kolonel Sander Lleshi, Kalorësi i Urdhrit të Meritës të Republikës së Francës, ish gazetari, bashkëvuajtës i Anton Harapit, Beqir Ajazi, magjistër Evalda Paci dhe dr.Gjovalin Çuni nga Shkodra, studiuesi shqiptar që jeton dhe punon në Itali, Arben Ndreca, etj. Referuesit kanë folur për aspekte të ndryshme të Harapit duke nisur që nga karakteri i tij, jeta, formimi, aspekti fetar e moral, vuajtjet dhe padrejtësitë e hequra, kontributi i tij në zhvillimin e mendimit modern kombëtar, etj.
6 Maj 2008