E Diel, 1 Nëntor 2026

“Alegreto Albania”, ngujimi vjen në Teatrin Kombëtar



Kanë nisur përgatitjet në Teatrin Kombëtar për “Alegreto Albania”, dramën fituese të konkursit të Dramës Shqipe, organizuar nga Ministria e Turizmit, Kulturës Rinisë dhe Sporteve. Në dramën e autorit Stefan Çapaliku, që pritet të ngjitet në skenë brenda këtij muaji, marrin pjesë aktorët Mirush Kabashi, Ahmet Pasha, Vasian Lami dhe krahas tyre, katër aktorë të rinj: Olta Daku, Gazmend Paja, Xhejni Fama e Klea Konomi. Drama është një produksion i Teatrit Kombëtar. Skenografia e kostumet i janë besuar Iliriana Loxhës, muzika Ramazan Kaponit dhe regjia Altin Bashës. Vepra është një udhëtim brenda universit të individit në realitetin e sotëm. Në qendër të saj vihet një kryefamiliar i ngujuar sëbashku me familjen e tij. Ngujimi bëhet jo për një krim të kryer nga burri, i cili, megjithatë duhet të përgjigjet në bazë të ligjeve të Kanunit. E fuqishme aq sa e çuditshme paraqitet dilema e familjes së ngujuar dhe e vetë kryefamiliarit. A është babai më i zoti i fisit të tij? Egoja i thotë që ai është një njeri i relizuar. Halli i thotë se ai nuk është një njeri i zoti dhe si i tillë, hakmarrja nuk mund të bjerë mbi të. Në këtë situatë dilemash përzihet edhe një OJQ e huaj, e cila në emër të asistencës humane nuk merret me zgjidhjen e problemit, por dhuron për familjen e ngujuar pampersa dhe një aparat radiografie. Grotesku përforcohet kur kësaj situate i shtohet edhe paraqitja që media i bën dramës së familjes në dilemën e ekzistencës. Shfaqja do t’i ngjajë një procesi diagnostifikimi mjekësor. Radiografia e një familjeje të izoluar që jeton brenda një hapësire nën presionin e së nesërmes. Personazhet duken të futura në një kullë të ndërtuar nga shkallë, të cilat i ndihmojnë të ngjiten për të kontrolluar çdo gjë që i afrohet dhe për të zbritur poshtë në vetminë e izolimit. Madje aq të normalizuar duken me terrenin ku jetojnë; ecin, hanë e flenë. Gjithçka vërtitet mbi ato shkallë, që mund t’i ngrenë lart, por njëherësh, mund edhe t’i varrosin. Aparati i radiografisë që u dhurohet si shenjë e solidaritetin njerëzor, jo vetëm që do të kthehet në një aparat që zbërrthen karakteret e tyre, por do ta shndërojë shtëpinë në një arkiv pamjesh makabre të disa njerëzve që nuk e kanë zgjedhur fatin e tyre. Atmosferën e përcjell muzika e gjallë e një orkestre, ku secili instrument përfaqëson një personazh dhe ku të gjithë bashkohen si një familje.
P.GROSI

6 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›