E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana brenda filxhanit të kafesë

"Dëshira që ke menduar, do të të plotësohet. Për 2 orë, për dy ditë, do kesh një telefonatë...".Dikujt këto fjalë mund ti duken të pakuptimta, por për një pjesë tjetër janë aq të kuptueshme sa edhe lëvizja e akrepave të orës.

"Leximi" i filxhanit është një traditë shumë e vjetër në Shqipëri. Për vite me radhë, ka patur njerëz apo adresa ku mund të të "lexonin filxhanin". Gratë që praktikonin këtë rit, rëndom janë quajtur dhe quhen fallxhore.

Zakonisht përfytyrimi që të jep kjo fjalë, është një grua e zezë, me shami në kokë, me shumë vathë e nishanë në fytyrë, e me rroba të lyrta të gjata deri në fund të këmbëve.. Por shumë "fallxhore" të ditëve të sotme janë ku e ku më të lezetshme..

Disa janë "profesioniste" që ta japin, si të thuash, të ardhmen në pëllëmbë të dorës, e disa të tjera, e ushtrojnë për hobi: dinë një apo dy kode dhe formulojnë fjali klishe duke zhytur herë gishtin e herë vështrimin në fund të filxhanit…

A është edhe sot në Tiranë po kaq e fortë tradita e "leximit të filxhanit"? Apo paradoksalisht, në një vend ku konsumohet kaq shumë dhe kaq gjatë kafe, "fallxhoret"- të bukura e të shëmtuara, të vjetra e të reja, me zhele apo me xhinse – janë racë në zhdukje?

Z.A, është 78 vjeç. Ka mësuar të lexojë filxhanin nga nëna e saj dhe kjo e fundit, nga gjyshja e vet. Vendosëm ti bëjmë një vizitë, pasi i mësuam adresën. Pritëm të gjenim ndonjë tufë plakash të ngeshme. Por u gabuam. Kur shkuam tek shtëpia e saj, gjetëm tre vajza që dukeshin shumë të reja. Nuk i pyetëm për moshën që të mos thyenim rregullat e mirësjelljes dhe të mos zemëronim fallxhoren tonë të moshuar, por pranë vajzave kishte çanta që dukeshin si çanta shkollore…Ishin gjimnaziste ose studente të vitit të parë.. Dy nga ato ishin duke pirë kafe, ndërsa tjetra kishte "kthyer" filxhanin.

E moshuarana tregoi se shtëpia e saj, rrallë herë qëllonte të rrinte bosh. "Vijnë njerëz, vijnë qamet njerëz…". E pyesim nëse vijnë edhe burra, por plas i qeshuri. Kuptojmë që burrat nuk shkelin aty.. "Vijnë shumë nga këto vajzat e reja, - na thotë e moshuara. Po çfarë presin këto vajzat nga filxhani? Biseda bëhet papritur interesante për to dhe nisin të flasin duke ndërprerë njëra tjetrën.. Kuptojmë që meraku kryesor është ndonjë lidhje dashurie dhe janë në ankth: duan të dinë se çfarë do të ndodhë.. Po sikur të mos kenë lidhje? Epo filxhani hyn njësoj në punë.. Duan të dinë nëse do kenë një të tillë..Është e vështirë të kuptosh nëse besojnë vërtet në ato që thonë apo vinë për të shtyrë kohën..

Ka mundësi që shumë nga fansat e figurave dhe kodeve misterioze që krijon llumi i zii kafesë ti përkasin kësaj kategorie të dytë.. Marika D. 53 vjeçare, tregon: "Nuk kam besuar dhe nuk besoj ndonjëherë në këto "marifete", por tani që jam në shtëpi gjithë kohën, më është bërë zakon që pasi të pij kafen ta kthej filxhanin. E shikoj më shumë si një mënyrë argëtimi dhe humbjeje mëndjeje nga hallet e tjera të përditshme, sesa si një shpresë, apo që do më zbulojë dicka për të ardhmen".

Por...ka dhe nga ata, që besojnë, dhe jo vetëm kaq, besojnë në një mënyrë pothuajse të verbër.

Anila D, një studente në vitin e tretë, e cila jeton në konvikt tregon një eksperiencë të sajën, por ajo shton se këtë gjë e bëjnë edhe shumë shoqe të saj.

Kur janë me sezon provimesh, ato nuk lodhen duke marrë librat me vete, duke pritur me orë të tëra në radhë. Këtë e bëjnë vetëm për të takuar një fallxhore, e cila, jo vetëm që u shikon filxhan dhe u thotë nëse do i marrin, apo jo provimet, por u bën disa marifete tek librat, që ato të marrin provimet.

Sesa e frytshme ka qenë kjo, e tregojnë rezultatet.. Të treja vajzat kishin ngelur në provim. Duke qeshur, Anila shprehet: "Ne e bëmë tamam si ajo barcaleta, ku një burrë po mbytej dhe i thoshte zotit më ndihmo, e zoti i tha se e kishte ndihmuar, pasi i kishte dhënë krahët, ai vetëm duhet ti lëvizte. Kështu na ndodhi edhe ne. Që atëherë nuk kam shkuar më në asnjë vend të tillë, edhe pse këtu në Tiranë ka shumë, edhe pse shoqëria në konvikt, shpesh herë ta imponon një gjë të tillë. Nuk besoj se këtanjerëz kanë aftësi të veçanta, përderisa ata i vënë një çmim shërbimit që bëjnë, mendoj se kjo është thjesht një mënyrë punësimi, asgjë më tepër".

Por ka të tjerë që pohojnë të kundërtën. Njerëz që mendojnë se kur kanë lexuar filxhanin u kanë rezultuar shumë gjëra të vërteta.

Eri, një tjetër studente thotë: "Ajo që e mundon më shumë njeriun, është e ardhmja. Është pjesa më e errët dhe pikërisht për këtë arsye, kam dëshirë të di diçka më shumë për të ardhmen time. Nuk them dot me siguri të plotë që të gjitha fallxhoret janë të sakta, por ajo ku unë shkoj, ka rezultuar në shumë raste e saktë, kjo është dhe arsye që unë shkoj shpesh dhe për më tepër gjithnjë tek i njëjti vend".

E për ata që mendojnë se kjo punë, pra leximi i filxhanit është i theshtë, gabojnë.

78 vjeçarja na tregon se leximi i filxhanit, është një zanat më vete, që kërkon mbi të gjitha dhunti, përqëndrim dhe të lodh shumë.

Supersticiozët, ata që janë të fiksuar pas filxhanit, e dinë shumë mirë se nuk shihet filxhani pasditeve, pasi fallxhorja është e lodhur dhe nuk lexon dot, apo ka ditë të caktuara, në të cilat nuk mund të lexosh filxhan, pasi në gjuhën e tyre "hyn në gjynah".

Ajo që kuptojmë nga vëzhgimi ynë është që fallxhoret janë shtuar bashkë me kafexhinjtë dhe se supersticionet janë shtuar bashkë me stresin.. Dikur ishin pak dhe më të besueshme.. Sot janë shumë dhe shërbejnë edhe për zbavitje.. Le ta mbyllim me atë historinë e famshme të Coehlos:

".. Dikush donte të dinte me patjetër të ardhmen dhe kërkonte fallxhoren më të aftë.. Më në fund e gjeti. U ul para saj dhe i tha: Të përgjërohem dua të di të ardhmen time..

Fallxhorja i tha: E ardhmja jote? Do jetë e mirë, ose e keqe..

Kërkonjësi i habitur e pyet sërish: Pse përgjigje ëhstë kjo.. Unë dua të di të ardhmen me saktësi..

Dhe fallxhorja: Po pse o njeri e kërkon me kaq ngulm.. Nëse e ardhmja do jetë e mirë, do jetë një surprizë e këndshme.. Nëse do jetë e keqe, pse të fillosh të vuash që tani..?

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›