E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çmimi i naftës përgjunj Amerikën rurale

Gjatë fundjavës së shkuar, çmimi i benzinës arriti për herë të parë një mesatare prej 4 dollarësh për galon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke shtrenjtuar përdorimin e çdo lloj mjeti transporti.

Por dhimbja nuk ndihet njëtrajtësisht në të gjithë vendin. Nëpër zona të konsiderueshme të shteteve jugore, jugperëndimore dhe gjetkë, kombinimi i pakësimit të të ardhurave për frymë, rritja e çmimeve të karburantit dhe varësia e plotë ndaj kamionçinave dhe furgonëve "pickup" (të përdorura gjerësisht në thuajse të gjitha aspektet e jetës) po vë në vështirësi standardet e jetesës për shumë familje amerikane.

Në derdhjen e Misisipit, shumë punonjës po u marrin hua punëdhënësve për të blerë karburantin e duhur, për të shkuar në punë. Disa po kërkojnë vende të reja pune, që të jenë sa më afër qendrave ku banojnë. Njerëzit po sakrifikojnë, duke kursyer te produktet ushqimore për të përballuar shtrenjtimin e çmimit të karburantit. Dhe gjithnjë e më shumë automobilistë po ngelen pa benzinë, duke lënë makinat e zbrazura anës rrugëve deri sa të gjejnë paratë për t‘i furnizuar.

Pabarazia mes Amerikës rurale dhe pjesës tjetër të vendit ka të bëjë thjesht me mënyrën se si i shpenzojnë të ardhurat financiare. Në nivel kombëtar amerikanët sot shpenzojnë 4 për qind të të ardhurave për frymë për të blerë karburant. Ndërkaq, në disa zona të caktuara, siç është ajo e derdhjes së Misisipit, kjo shifër e ka kaluar 13 përqindëshin.

"Kriza u rëndon shumë atyre që gjenden pranë kufirit të varfërisë, më së shumti në zonat rurale dhe veçanërisht në disa pjesë të juglindjes", thotë Fred Rozell, analist në një kompani eksperte në çmimet e karburanteve. "Këta janë njerëz që u duhet të vendosin të blejnë ushqime apo karburant".

Me pak përjashtime verilindja duket më pak e prekur nga çmimet e naftës, pasi banorët fitojnë më shumë para, përshkojnë distanca më të shkurtra për të shkuar në punë, ose e bëjnë këtë me tren, apo me mjete publike transporti.

Por, në zonën përreth Misisipit dhe jugut rural mjetet publike të transportit janë të pakta dhe njerëzve u duhet të shkojnë me makinat e tyre në punë. Duke qenë se edhe vendet e punës janë të pakta, shpesh punojnë deri 30 kilometra larg nga shtëpitë. Shumica e tyre zotërojnë kamionçina e furgonë të vjetër, që shpenzojnë sasi të konsiderueshme karburanti.

Një studim tregoi 13 kontetë, ku banorët shpenzojnë 13 për qind të të ardhurave për të blerë karburant: 5 janë të vendosur përgjatë Misisipit, 4 në Alabama, 3 në Kentaki dhe 1 në Virxhinian Perëndimore. Duhet theksuar se në disa prej këtyre zonave mesatarja arrin në 15.6 për qind, ndërkohë që në disa pjesë të Nju Jorkut disa mezi arrijnë te 2 përqindëshi.

Megjithatë, ekonomistët amerikanë mendojnë se impakti që ka rritja e çmimit të naftës aktualisht në jetën amerikane është shumë më i lehtë nga ai i krizave të viteve ‘70 dhe ‘80, kur mungesa e karburantit krijonte radhë të pambarimta në pikat e furnizimit, ngriti inflacionin dhe detyroi ekonominë të pësonte rënie.

Sipas ekonomistit Brajën Betun, tani amerikanët shpenzojnë rreth 4 për qind të të ardhurave (duke përjashtuar taksat) për të blerë karburant. Kjo i afrohet shifrës 4.5 për qind të regjistruar në fillimin e vitit 1981, më e larta që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.

Ndërkaq, ndërsa njerëzit flasin gjithkund për rritjen e çmimit të karburantit, disa njerëz në Çula kanë shkuar përtej fjalëve. Entoni Klark, punonjës ferme nga Çula, thotë se lutet çdo mbrëmje për uljen e çmimit të benzinës. Së fundmi vendosi të mos e riparonte kamionçinën e tij "Chevrolet" të vitit 1992, pasi, gjithsesi, nuk e përballon dot çmimin e benzinës. Tani u kërkon familjarëve ta shoqërojnë me makinat e veta për të psonisur, apo për nevoja të tjera, ndërkohë që punëdhënësi dërgon një makinë për ta sjellë në punë, që gjendet rreth 15 kilometra larg.

Çdo udhëtim nga Çula te qendra më e afërt i kushton të paktën 25 dollarë, që përbën 10 për qind të asaj që fiton në javë.

Teksa konsumojnë orën e pushimit bashkë me shokët e punës, flet për ndryshimet që ka sjellë në jetën e tij rritja e çmimit të karburantit. Dollarët ekstra të shpenzuara për benzinë, do të thotë të lësh pa paguar faturat e energjisë elektrike e të gazit, makaronat po zëvendësojnë mishin në darkë. Dhurimet për kishën janë harruar, ashtu si edhe marrja e filmave me qira.

Shenjat e vështirësive të përshtatjes me gjendjen e re janë të dukshme kudo. Restorantet po mbyllen, pasi njerëzit nuk hanë më jashtë. Në dyqanin e pajisjeve kompjuterike të zonës, shitjet kanë rënë në 30 dollarë në ditë, nga 250 deri një muaj më parë.

"Paratë tani shpenzohen për të blerë benzinë. E di mirë se kështu veprojnë edhe njerëzit e mi", thotë menaxheri i këtij dyqani.

Autoritetet vendore po i lënë barishtet e këqija të rriten anës rrugëve njëherësh, duke bërë edhe më pak riparime për të kursyer. Drejtuesit e kontesë Holms e kanë modifikuar javën e punës në katër ditë (me të njëjtat orë pune), në mënyrë që punonjësit të shpenzojnë më pak karburant.

Teksa mundohet të gjejë mënyrën për të pakësuar numrin e punonjësve të impiantit të rritjes dhe përpunimit të peshkut, presidenti i kompanisë "Consolidated Catfish Producers" tregon se javën e shkuar dhjetë punëtorë i qenë paraqitur në zyrë për t‘u larguar vullnetarisht, duke qenë se nuk e përballonin dot më udhëtimin e përditshëm prej rreth 100 kilometrash nga Çarlestoni i Misisipit. "Karburanti i hëngri të gjallë", shtoi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›