E Shtunë, 31 Tetor 2026

Financimi i partive, PS-PD ndërhyrje në ligj

Parlamenti shqiptar po debaton dy nisma që synojnë të vendosin kontroll për miliona euro që qarkullojnë në të zezë përmes mburojës së aktivitetit të partive politike.

Qëllimi është krijimi i rregullave për donacionet që u jepen subjekteve politike përpara zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të vitit 2009.

Partia Demokratike në pushtet, e drejtuar nga Kryeministri Sali Berisha dhe Partia Socialiste në opozitë, me kryetar Edi Ramën, kanë gjetur gjuhë të përbashkët në distancë për rritjen e transparencës në financimin e fushatave zgjedhore, duke menduar edhe shkurtimin e kostove dhe forcimin e mekanizmave të kontrollit.

Prej vitesh dhuruesit privatë, kryesisht bizneset, kalojnë shuma shumë të mëdha parash drejt partive politike në fushatat zgjedhore, duke paguar pothuajse gjithçka, nga këshillimi për imazhin, deri te pagat e stafeve dhe koncertet madhështore.

Klasa politike e ka cilësuar reformën në sistemin elektoral si shumë të nevojshme.

Kjo reformë është edhe një nga kushtet e vendosura prej NATO-s që Shqipëria të bëjë progres në rrugën e saj drejt anëtarësimit të plotë, që prej dritës jeshile që ajo mori nga aleanca në Samitin e Bukureshtit në muajin prill.

Më parë reformimi i financimit të partive dukej se do mbetej jashtë axhendës të politikës së Tiranës.

Një shenjë aspak pozitive ndodhi në vitin 2001, kur Gjykata Kushtetuese amendoi ligjin për partitë politike, duke i hequr të drejtën Kontrollit të Lartë të Shtetit të investigonte mbi dhurimet private që partitë politike merrnin në fushatat zgjedhore.

Si rrjedhim, KLSH u shmang, duke kontrolluar tashmë vetëm fondet që subjektet politike marrin nga buxheti i shtetit. Vendimi u justifikua me arsyen se nuk i takon Kontrollit të Lartë të Shtetit të merret me fondet që nuk vijnë nga buxheti i shtetit.

Nga ky moment, partitë politike kanë deklaruar dhurimet dhe shpenzimet e fushatave në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në fund të çdo procesi, por strukturat zyrtare kanë kontrolluar vetëm mënyrën se si janë përdorur paratë e tërhequra nga buxheti i shtetit. Të ardhurat e tjera dhe hetimi mbi to është injoruar.

Pas publikimit në "Shqip" të këtij fakti skandaloz, Presidenti Bamir Topi, teksa merrte pjesë në një aktivitet për luftën ndaj korrupsionit, lëshoi një deklaratë të fortë në mbështetje të një ndërhyrjeje ligjore që të bënte më transparent financimin e partive.

"Njerëzit që kanë reputacion publik nuk kanë nevojë për financime, nuk kanë nevojë që të abuzohet në këtë linjë", vlerësoi Presidenti.

Kreu i shtetit insistoi se "gjërat janë të lidhura, nuk janë spontane, nuk janë trajtime metafizike segmentare, por të gjitha vijnë edhe nëpërmjet reformimit të ligjit dhe kontrollit të financimit të fushatave, qoftë kjo edhe në planin individual".

Në raportin më të fundit për monitorimin e luftës ndaj korrupsionit, "Transparency International" konstatonte se shuma e parave të shpenzuara nga partitë politike në fushatën zgjedhore për procesin e vitit 2007 ishte shumë më e madhe se çfarë mendohej, duke qenë edhe më e madhe se shumat e shpenzuara në zgjedhjet e mëparshme.

Raporti nënvizonte faktin se në deklarimet që bënin, partitë politike vinin në pikëpyetje shpenzimet e fushatave, pasi shifrat nuk reflektonin koston reale.

Duke u nisur nga disa burime alternative, bazuar në koston e shërbimeve në treg, partitë politike kryesore kanë shpenzuar deri në 12 milionë euro në fushatën e vitit 2007.

Në një takim në muajin shkurt me përfaqësues të "Transparency International", Kryeministri Sali Berisha tha se ekspertët po punojnë për një draft që rregullon financat e fushatave.

"Ne do të punojmë për një ligj që siguron transparencë maksimale për burimet e financimit të partive politike", tha Berisha.

Burime nga Këshillimi i Ministrave sqarojnë se janë përpunuar disa variante nisur nga këshillat e bëra prej faktorëve ndërkombëtarë dhe që synojnë transparencën në këtë drejtim. Duke lënë të kuptohet se paralelisht me reformën zgjedhore do të marrë jetë edhe ndërhyrja e plotë në kuadër të transparencës së partive politike.

Teksa qeveria po shqyrton mundësinë e ndërhyrjes legjislative, Parlamenti po futet në një debat për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, në vijimësi të ndryshimeve kushtetuese të realizuara në muajin prill.

"Aktualisht, në kuadër të reformës në Kodin Zgjedhor po diskutohet kalimi i dhurimeve nëpërmjet sistemit bankar dhe me llogari të deklaruara që në momentin e regjistrimit.

Bashkëkryetari socialist i Komisionit parlamentar të Reformës Zgjedhore, Kastriot Islami, mendon se "duhet parë edhe ulja e kontributit individual deri në 50 mijë lekë, ndalimi i kontributit nga ana e personave juridikë, ose të paktën personave që kanë përfituar kontrata publike në 4 vitet e fundit", insiston Islami.

Një tjetër drejtim ka të bëjë me vendosjen e sanksioneve të rrepta, si dhe legjitimin e personave të interesuar apo grupeve të interesit për të kërkuar procedim administrativ.

Mendohet që të vendoset hapësira e auditit të specializuar me anë të metodës së sondazhit nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, apo organizmave të specializuara.

Një nga masat më radikale që pritet të diskutohet ka të bëjë edhe me sanksionet penalizuese, deri në pezullim mandati, me kusht kalimin e shumës së përfituar në mënyrë të paligjshme shtetit.

Eksponentët e mazhorancës, ashtu sikurse Presidenti Bamir Topi, kanë lënë të kuptohet se kontrolli i financave të partive mund të jetë edhe kompetencë e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP).

Teksa pranon mangësitë ligjore, kryeinspektorja e ILDKP-së, Fatmira Laska, lë të hapur mundësinë e angazhimit të institucionit që drejton. Ajo vendos këtë mision në varësi të kompetencave shtesë që mund t‘i caktohen përmes ndryshimit të ligjit aktual për partitë politike.

Diskutimi i pritshëm mes faktorëve politikë në legjislativ do të sqarojë përfundimisht rregullat e munguara në lojën politike në Shqipëri.

Në një kohë kur qeveria dhe legjislativi po punojnë në rrugë të ndara, Kastriot Islami mendon se "një variant më i përshtatshëm do të ishte konsolidimi në një ligj të vetëm i financimit të partive, së bashku me financimin e fushatave elektorale".

Masat që pritet të diskutohen

1. Zvogëlim i kostove të fushatave përmes zvogëlimit të financimit privat.

2. Forcim i mekanizmave të raportimit dhe masat shtrënguese.

3. Kalimi i dhurimeve vetëm nëpërmjet sistemit bankar dhe me llogari të deklaruara që në momentin e regjistrimit.

4. Ulja e kontributit individual deri në 50 mijë lekë.

5. Ndalimi i kontributit nga ana e personave juridikë ose të paktën personave që kanë përfituar kontrata publike në 4 vitet e fundit.

6. Sanksione të rrepta, si dhe legjitimimi i personave të interesuar/apo grupeve të interesit për të kërkuar procedim administrativ.

7. Auditimi i specializuar me anë të metodës së sondazhit nga ana e KQZ-së, apo organizmave të specializuar.

8. Sanksione penalizuese deri në pezullim mandati me kusht kalimin e shumës së përfituar në mënyrë të paligjshme shtetit.

9. Sanksione për dhuruesit që nuk zbatojnë ligjin.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›