E Diel, 1 Nëntor 2026

Takimi Qipros, kryeparlamentarët e KiE-së deklaratë për Shqipërinë

“Zgjedhjet i fitoi partia më e votuar, justifikimet e opozitës janë të papranueshme”


“Zgjedhjet parlamentare të 2009-ës në Shqipëri i fitoi Partia më e votuar nga shqiptarët. Nuk mund të ketë asnjë argument kundër fituesit, pala humbëse s’duhet të fshihet pas justifikimeve të pazakonta”. Ky ishte përfundimi i parlamentarëve evropianë të mbledhur në Qipro gjatë dy ditëve me radhë, të cilët diskutuan edhe për situatën politike në Shqipëri dhe për ngërçin e pazakontë politik të shkaktuar nga tekat personale të një kryetari të dëshpëruar që humbi zgjedhjet. Zyrtarisht, kryetarët e parlamenteve europiane të KiE-së, të pranishëm në konferencën dyditore të PACE në Qipro, duke komentuar situatën e krijuar në Shqipëri pas zgjedhjeve të 28 qershorit vlerësuan se “nuk ka argument kundër fituesit, ai që humb nuk mund justifikohet”. Në punimet e ditës së dytë të konferencës së kryeparlamentarëve të KiE-së, Topalli vijoi takimet me homologë europianë si, kryetaren e parlamentit të Estonisë, Ene Ergnan, nënkryetarin e Parlamentit të Hollandës Harm Evert Waalkens, të Lituanisë, Ceslovas Jursenas, të Finlandës dhe me personalitete të tjerë të pranishëm. Gjatë këtyre takimeve kryetarja e Kuvendit kërkoi mbështetjen e vendeve të tyre për të realizuar lëvizjen e lirë të shqiptarëve. Po ashtu ajo i njohu me punën e madhe që shqiptarët dhe qeveria kanë bërë duke përmbushur çdo detyrim të palës shqiptare. Jozefina Topalli i informoi kolegët e saj me reformat e tjera të mëdha të bëra pas zgjedhjeve të fundit të 28 qershorit 2009. “Këto zgjedhje u vlerësuan nga 518 vëzhgues ndërkombëtarë dhe ODIHR-i si zgjedhje të lira e të ndershme dhe që arritën standardet”, mësohet të ketë nënvizuar ajo. E veçanta e këtij procesi zgjedhor, veç të tjerash, ishte fotografimi, filmimi dhe transmetimi on-line i çdo vote gjatë procesit të numërimit. Bashkëbiseduesit e cilësuan të admirueshëm këtë proces që mundësoi një transparencë unike si në asnjë vend tjetër. Nënkryetari i parlamentit të Hollandës e vlerësoi këtë proces transparence në numërim si “mahnitës dhe shumë modern”. Në kuadrin e diplomacisë parlamentare, kryetarja Topalli e shfrytëzoi këtë konferencë të KiE-së për të lobuar me të gjithë kryetarët e parlamenteve të 27 vendeve anëtare të BE-së për anëtarësimin e Shqipërisë në këtë organizëm. “96 për qind e shqiptarëve e aspirojnë anëtarësimin në BE. Asnjë individ, asnjë pakicë, asnjë përpjekje antishqiptare nuk mund të bllokojnë këtë proces të kësaj ëndrre të madhe që është më afër se kurrë drejt përmbushjes”, tha Topalli. Në takimet me homologët e saj europianë, kryetarja e Kuvendit diskutoi gjithashtu për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Konferenca Europiane e kryetarëve të parlamenteve të KiE-së e organizuar nga Parlamenti Europian nën kujdesin e Presidentit të tij, Mevlut Cavusoglu zhvillohet në një periudhë kur në të gjithë Europën institucioni i parlamentit ka marrë një rol thelbësor në politikbërje, si element kyç i vendimmarrjes.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›