E Shtunë, 31 Tetor 2026

Luksemburgu ofron mbështetjen për Kosovën

Prishtinë -Luksemburgu ka shprehur edhe një herë mbështetjen për Kosovën. Ministri i Punëve të Jashtme dhe Imigracionit të Luksemburgut, z.Nicolas Schmit ka zhvilluar sot një takim me kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi, ku ka theksuar se përkrahja e Luksemburgut për Kosovën do të vazhdojë në ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët në Bashkimin Evropian. Ministri Schmit është shprehur edhe për angazhimin e Luksemburgut për ndërtimin e një shoqëri demokratike në Kosovë që do të kontribuojë për stabilitetin e rajonit, dhe rrjedhimisht, edhe të vet Evropës.

“Luksemburgu ishte prej vendeve të para që e njohu Kosovën si shtet i pavarur, sovran dhe demokratik dhe dëshiroj që në emër të institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës të shpreh falënderimin më të sinqertë të Ministrit dhe autoriteteve në Luksemburg”, deklaroi kryeministri Thaçi gjatë takimit.

Kryeministri Hashim Thaçi ka vlerësuar edhe rolin aktiv që është duke luajtur Luksemburgu në Kosovë me pjesëmarrjen e vetë në kudër të KFOR-it por edhe në mbështetjen financiare me zotimin në Konferencën e Donatorëve deri në 25.5 milionë, për të mbështetur sektorin e edukimit, shëndetësisë, agrikulturës dhe sektorë tjerë të zhvillimit ekonomik të Kosovës.

Në takim është vlerësuar edhe roli i diasporës kosovare në Luksemburg, por edhe e ardhmja e sigurt e Kosovës në NATO-s dhe Bashkimin Evropian që është e ardhmja e përbashkët evropiane dhe e zhvillimit ekonomik.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›