E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lukshic Rajoni shikon tek Shqiperia nje shembull nxites

Gjatë punimeve të sesionit të 66-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me Kryeministrin e Malit te Zi Igor Lukshiç.

Në takim u ripohuan marrëdhëniet e shkëlqyera dhe miqësore që ekzistojnë midis dy vendeve dhe angazhimi i të dy qeverive për t’i zgjeruar dhe thelluar ato edhe më tej, në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë.

Të dy Kryeministrat ritheksuan rëndësinë e eliminimit të të gjitha barrierave për të mundësuar lëvizjen tërësisht të lire të mallrave dhe qytetarëve midis dy vendeve, por edhe me vendet e tjera të rajonit.

Duke ndarë të njëjtën pikëpamje se kjo do të mundësojë konsolidimin e mëtejshëm të miqësisë midis dy popujve dhe do të sjellë një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e vazhdueshëm ekonomik e të gjithanshëm për të gjitha vendet e rajonit dhe në ecjen përpara me shpejtësi drejt integrimit të plotë në Bashkimin Europian, i cili është dhe mbetet projekt madhor për të dy vendet.

Kryeministri Berisha e siguroi homologun malazez se Shqipëria do të vijoi të mbështesë plotësisht anëtarësimin e Malit te Zi në NATO.

Kryeministri Lukshiç e falënderoi Kryeministrin Berisha për këtë mbështetje dhe theksoi se vendet e rajonit shikojnë tek Shqipëria një shembull nxitës në rrugën dhe përpjekjet e tyre për t’u bërë pjesë e Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Në takim u diskutuan çështje të bashkëpunimit dypalësh, në veçanti përpjekjet e të dy vendeve për të zgjeruar dhe modernizuar edhe më tej infrastrukturën lidhëse mes dy vendeve.

Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë për vizitën që do të zhvillojë së shpejti në Malin e Zi, e cila do të sjellë një kontribut të rëndësishëm në konsolidimin e bashkëpunimit mes dy qeverive dhe dy vendeve fqinj dhe mike.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›