Lul Basha, mision anti-Withers në SHBA
Lulëzim Basha është nisur me urgjencë për një mision të pamundur në SHBA. Megjithëse nuk dëshiron ta bëjë publike axhendën e tij, burime të afërta me të bëjnë të ditur se ai ka marrë rrugën e largët për t’i dhënë një mësim të mirë ambasadorit Withers në Tiranë. Një mik i tij privat me origjinë boshnjake i ka sugjeruar që të përdorë këshilltarin e jashtëm të qeverisë, Tom Ridge, për të testuar qëndrimet reale të Departamentit të Shtetit për Berishën. Kaq i ka mjaftuar Bashës dhe ka prerë biletën e avionit, menjëherë pas mbledhjes së qeverisë. Qëllimi i vizitës informale në Uashington është të hetojë deri në ç’masë sulmi që diplomatët amerikanë në Tiranë i bënë qeverisë përmes një takimi formal me disa gazetarë është i rekomanduar nga Uashingtoni. Basha i ka premtuar doktorit se do ta përmbysë situatën dhe do t’ia tregojë vendin këtyre diplomatëve amerikanë në Tiranë.
Por, pavarësisht kësaj, dhe ai është i bindur se misioni ka plot pikëpyetje. Së pari, ai ka nevojë të jetë i përgatitur, nëse zyrtarët e pyesin se në ç’fazë janë hetimet për Gërdecin. Ai mund të përgjigjet që prokuroria është e pavarur dhe nuk jep informacion, por do t’i merret si personale, pasi është dhe vetë ministër pa imunitet.
Po ashtu, i duhet të jetë i përgatitur për konsulencën që i vjen nga këshilltari i kryeministrit, Tom Ridge, pasi pagesa që ai ka marrë këtu për tri vjet këshilla, është më e madhe sesa pesë vjet punë që ka bërë në Shtëpi të Bardhë. Me këtë pagesë ne kemi pas leverdi të marrim në punë George Bushin e vjetër, meqë është dhe pensionist dhe do na kishte ndrequr më shumë punë. Po ashtu, miku i tij Damir, që e ndihmon në këto raste, po i prish shumë punë, pasi është përgjuar nga disa shërbime rajonale që përveç tregut të energjitikës dhe telekomit, me të cilat ka bërë biznes në emër të Berishës, është interceptuar dhe për tregti armësh, që mund të kenë shkuar dhe në vende jo-mike të SHBA, siç mund të jetë dhe Irani. Dhe për dreq, shumë nga këto armë i ka marrë nga Bosnja. Për të gjitha këto Basha është i përgatitur të përgjigjet, por më parë do siguri se në Departament të Shtetit nuk është dhënë ndonjë autorizim për diplomatët në Tiranë që të flasin hapur kundër qeverisë.
Të paqartë për këtë çështje, ne pyetëm administratorin Flamur, i cili bëri disa shpjegime të pjesshme. Flamuri tha se nuk beson shumë te misioni i Lul Bashës, pasi ai, sipas Flamurit, e gënjen rregullisht doktorin për çdo gjë. Kështu e ka pas gënjyer për rrugën Durrës-Kukës, për rrugën Vlorë-Levan, pastaj për bisedimet për ftesën e NATO-s etj.
- Më kujtohet si na mashtroi për rrugën Vlorë-Levan, - tha Flamuri. - Na çoi në mes të dhjetorit 2006 atje e premë shiritat. Na gjeti dhe një fitues të quajtur Gëzim Kalaveri dhe na e prezantoi si austriak. Më pas, kur pamë ne, ai ishte përfaqësues i një firme serbe me administratore një nëpunëse shqiptare. Na tha: “E kemi gati kredinë dhe shpronësimet dhe mund të fillojmë”. Çuditëm gjithë dynjanë. Ne e premë shiritin më 2006, kredia u miratua në fund të 2007, shpronësimet nuk kanë mbaruar as më 2008 dhe akoma nuk ka filluar puna. Luli është mashtrues. Gjithë këta të KOP-it janë mashtrues, po ai është më i madhi. Ai ka për t’ia futur doktorit. Ka për t’u kthyer andej dhe do thotë që “e rregullova”. Do t’i sajojë ndonjë bisedë kot dhe do na bëjë gjëmën, se do të vazhdojmë sherrin kot këtu. Se pastaj gjithë përgjegjësinë e mbaj unë dhe ai burri. Se këta të KOP-it, sa plas pushka e parë, ikin në emigracion dhe kthehen kur vjen prapë pushteti. Përgjegjësia më mbetet mua dhe atij burrit. Po ç’t’i bëj atij unë, që i duron, se unë nuk i kisha mbajt një minutë. U kam thënë, në PD s’keni punë, se m’i ka lënë mua çelësat ai burri. PD i vijnë rrotull ata, po ç’t’i bëj që i ka fut në qeveri. Të m’i lërë mua në dorë, se di un ç’u bëj.