E Shtunë, 31 Tetor 2026

Denoncoi mafien e bregdetit, tritol shtëpisë

Një sasi tritoli ka shpërthyer në qendër të Velipojës, në banesën e Gjovalin Zekës, i cili është një nga denoncuesit për masakrën e pronave në këtë pjesë të bregdetit. 

VELIPOJE / RIDVAN DIBRA

Policia bëri të ditur se, shpërthimi ndodhi në lagjen "Sektor", ndërsa objekt i lëndës plasëse ishte shtëpia e ish-kryekomunarit të Velipojës në vitet '90. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 01.00 të mëngjesit të së mërkurës, por për fat të mirë, përveç disa dëmeve të vogla materiale, nuk ka pasur viktima. Gjovalin Zeka dhe familja e tij nuk ishin në shtëpi në momentin e shpërthimit, pasi ishin në plazh me pushime. Ata janë sinjalizur nga komshinjtë e tyre, të cilët janë zgjuar të tmerruar nga ku shpërthim. Pas kësaj ngjarjeje, Zeka deklaroi se, "ky është një kërcënim i pastër për të më mbyllur gojën". Sipas tij, e gjithë kjo ka një prapavijë politike, që ka lidhje me korrupsionin që po ndodh me tokat në komunën e Velipojës. Në fakt, vendosjes së lëndës plasëse i kanë paraprirë shpërndarjet e disa letrave kërcënuese, të cilat i janë dërguar herë pas here në forma dhe me shkrime nga më të ndryshmet. Madje, disa letra ishin gjetur të ngjitura edhe mbrëmjen e ngjarjes në disa nga automjetet e parkuara në oborrin e shtëpisë së tij. Sipas policisë, lënda plasëse, tritol, është vendosur në portën e jashtme të banesës private të Gjovalin Zekës. Pasojë e këtij shpërthimi është një gropë e vogël pranë portës së jashtme të oborrit. Ndërsa porta ka pësuar dëmtime të vogla. Policia tha se, lënda plasëse ka qenë e vogël, çka bën të dyshosh se autorët vetëm sa kanë dashur ta kërcënojnë Zekën. Sipas Zekës, kjo nuk është hera e parë që ai kërcënohet nga individë anonimë, të cilët direkt ose indirekt i kanë dërguar letra kërcënuese të shkruara herë me dorë të lirë dhe herë në kompjuter. Denoncimi i vjedhjes së votimeve në komunën e Velipojës, denoncimi i zgjedhjes së paligjshme të disa kryepleqve në këtë komunë nga këshilli i komunës, akuzat e shoqatës "Pronësi me drejtësi" ku ai edhe bën pjesë, në lidhje me abuzimet e pronave në këtë zonë aq të lakmuar, dyshohet se janë disa nga arsyet e kërcënimit në adresë të tij. Denoncimet e bëra për masakrën dhe mafien e tokave në pjesën e bregdetit të Velipojës disa vite më parë çuan në pranga edhe një kryetar komune, një zyrtar të Zyrës së Kthimit e Kompensimit të Pronave. Policia ka marrë me vete edhe letrat kërcënuese në adresë të Zekës, të cilat ishin ngjitur në xhamat e makinave, por përmbajtja e tyre akoma nuk bëhet e ditur. Burime të policisë sqarojnë se, janë duke hetuar në disa pista. Por ata nuk përjashtojnë as pistën e kërcënimit të tij për shkak të këtyre denoncimeve të bëra. Zeka ka dhënë dëshminë në polici në lidhje me dyshimet e tij. Policia nuk jep detaje në lidhje me dëshminë e Zekës, por burimet bënë të ditur se, dyshimi kryesor i dhënë nga ai ka të bëjë pikërisht me denoncimet që ai ka bërë. Ai ka pohuar në polici se, e gjithë kjo ngjarje ishte kërcënim për të që ai të mbyllte gojën. Policia mori në pyetje edhe komshinjtë e Zekës, të cilët kanë pohuar se kanë qenë në gjumë në momentin e shpërthimit dhe se nuk kishin vënë re lëvizje të dyshimtë më parë. Gjithsesi, policia tha se, është duke hetuar për këtë ngjarje që tronditi Velipojën për të vënë në pranga edhe autorët e saj.

Zeka: Inspiruesit janë politikanë në Parlament

Pas shpërthimit në portën e shtëpisë, Gjovalin Zeka rrëfen dyshimet dhe arsyet sipas tij, për tritolin.
Z. Zeka, ju keni dhënë shpjegime edhe në polici, keni dhënë emra konkretë për tritolin që u vu tek banesa juaj?
Unë nuk e di kush mund të kenë qenë autorët e vënies së lëndës plasëse në derën e shtëpisë. Por mund të them se inspiruesit e tyre janë pushtetarët vendorë këtu në Velipojë të mbështetur edhe nga politikanë të lartë në Parlamentin shqiptar. Për këto unë kam opsionet e mia dhe do t'i bëj publikë në momentin e duhur. 
A keni ju një dyshim për arsyen e vendosjes së lëndës plasëse?
Ky veprim tregon edhe një herë se iniciuesit e tyre duam të më ndalojnë që unë të vazhdoj të bëj denoncimet e radhës ndaj veprimeve masakre, që i janë bërë zonës së Velipojës. Kam qenë unë, së bashku edhe me disa shokë të tjerë, që denoncuam në vitin 2003 veprimet korruptive të kreut të atëhershëm të komunës, i cili edhe u arrestua. Po kështu kam qenë unë që denoncova veprimet e papërgjegjshme të këshillit të komunës për 4 kryepleq fiktivë në 4 fshatra të zonës së Velipojës. Ata ishin përzgjedhur që t'i shërbenin me zell drejtuesve të komunës. Madje, një rast të tillë ne e kemi fituar edhe me vendim të gjykatës, e cila na dha të drejtë dhe hodhi poshtë vendimin e komunës. Ndërsa së fundi unë së bashku me shoqatën "Pronësi me Drejtësi" kemi akuzuar sërish për mafien e tokave në Velipojë, ku kemi akuzuar sërish drejtuesit aktual të komunës, pasi në Velipojë s'ka mbet njeri pa i dalë zot tokave, ndërsa ish-pronarët real të saj, me dokumente dhe tapi të vjetra dhe origjinale nuk po u jep askush të drejtën e gëzimit të pronës. Pak janë të gjitha këto që të më kërcënojnë? Mjafton që të interesoheni në Agjencinë e Kthimit e të Kompensimit të tokave në Shkodër dhe aty do të mësoni se janë rreth 12 dosje, të cilat janë pezulluar vetëm për Velipojën. Janë kontaktuar mangësi dokumentesh, mbivendosje pronash etj., etj.  
Jeni kërcënuar më parë?
Kjo nuk është hera e parë që unë kërcënohem, por shpresoj që të jetë e fundit. Jam kërcënuar me jetë nga persona fizikë, të cilët më kanë dalë hapur në rrugë, jam kërcënuar me jetë nëpërmjet letrave anonime apo nëpërmjet mesazheve telefonike. Pjesën më të madhe të tyre unë e kam denoncuar në organet përkatëse, pasi jam njeri që respektoj shtetin dhe institucionet e drejtësisë. Asnjëherë nuk kam kërkuar që t'i zgjidh privatisht gjërat, jo se nuk jam i zoti, por sepse besoj dhe respektoj shtetin. Megjithë këto kërcënime, do të vazhdoj të mbledh fakte të reja për të denoncuar korrupsionin që është bërë dhe po bëhet me tokat e Velipojës.

Doshi: Ngjarja, pas arrestimit të nipit të kryetarit të komunës

Pas shpërthimit të ndodhur në Velipojë, dje reagoi edhe deputeti i Shkodrës, Tom Doshi, i cili dënoi ashpër këtë ngjarje. Deputeti i zonës, duke shprehur keqardhjen për këtë gjest dhune ndaj një banori të Velipojës, e dënon me forcë atë, duke e cilësuar "si një akt të shëmtuar dhe me prapavijë interesash. Në deklaratën e Doshit thuhej se, "Gjovalin Zeka, ka denoncuar disa herë aferën e pronave në këtë komunë me mjaft resurse dhe të lakmuar për pozicionin e saj me drejtim turistik. Pas këtyre denoncimeve, janë arrestuar disa zyrtarë lokalë". Sipas Doshit, akti i dhunës ndaj jetës dhe pronës së Gjovalin Zekës ka lidhje me arrestimin më të fundit, atë të shefit të urbanistikës, i cili është edhe djali i vëllait të kryetarit të komunës së Velipojës. "I bëj thirrje Prokurorisë së Shkodrës të hetojë me themel ngjarjen e shëmtuar dhe të zbardhë sa më shpejt autorët dhe shkaqet e vërteta të këtij sulmi ndaj Zekës, i cili në mënyrë permanente ka denoncuar aferat e zyrtarëve lokalë të komunës së Velipojës", thuhej në deklaratën e deputetit, Tom Doshi. Nisur nga deklarata e tij, nuk është e vështirë të shkohet tek autorët dhe nxitësit e tyre, po të kemi parasysh se ky kërcënim vjen menjëherë pas arrestimit të shefit të urbanistikës së komunës së Velipojës dhe disa arrestimeve të mëparshme, lidhur me aferat e pronave dhe trojeve, afera këto të denoncuara nga i dëmtuari.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›